“Shihmë për herë të fundit se s’do të më shohësh më”, këngëtarja e njohur Vera Laçi rrëfen mes lotësh si e parandjeu humbjen e të birit

Flutura Açka dhe Vera Laçi janë dy nëna që ndajnë një dhimbje të përbashkët, humbjen e djalit të vetëm.

Vuajtja e tyre ngjason, por historitë që u rrëfyen, kohë më parë, në “Shije Shtëpie” në Tv Klan, janë të ndryshme. Në dallim nga shkrimtarja që pati kohën t’i thoshte lamtumirë të birit, bilbili i këngës dibrane nuk mundi ta bënte këtë gjë.

Tri ditë më herët ajo sapo kishte mbyllur me sukses një koncert recital, por kishte një parandjenjë të çuditshme që s’e lejonte të ishte e lumtur.

Vera Laçi: Unë kam qenë në shtëpi, akoma s’e kisha marrë veten nga ai koncert. Faktikisht ndjehen disa gjëra. Nuk isha e lumtur fare për atë koncert edhe pse kishin sjellë lule në shtëpi, shtëpia ishte shumë bukur, i kishte rënë një nur i keq shtëpisë që më bënte përshtypje, ç’është kjo?

-E kishe vetëm ti këtë ndjesi apo bashkëshorti, djali?

Vera Laçi: Unë. Nuk e shpërndaja dot me të tjerët dhe thosha pse unë, pse nuk jam mirë, pse më duket shtëpia zi ndërkohë që më ishte dukur shumë herë më mirë ditët e tjera, ishte ky problem.

-Dhe kishe një rast për të gëzuar siç ishte koncerti.

Vera Laçi: Fare, në mënyrë absolute. Dhe djali im qëllon të ishte te e fejuara dhe e thërret një shok për të pirë një kafe. Ishte ora 9 e darkës, më 19 prill ka ndodhur. Domethënë në mes të rrugës, pa ardhur te shtëpia jonë në “Ali Dem”, një aksident me 40 km/h ka qenë, ashtu me ekspertizë siç e kanë… por që nuk duhet të kishte ndodhur. Nuk e di, janë ca gjëra që…

-Me shpejtësi aq të ulët?

Vera Laçi: Aq të ulët. Do të them edhe diçka. Djali im e parandiente diçka të tillë. Nuk e di pse, “Jo kam parë një ëndërr”, më tha përpara, i kam thënë një polici që…”. Ishte djalë çapkën, ecte me makinë edhe tha: “Sonte më ndali një polic. Edhe i thashë unë, duke pasur parasysh që gjithmonë i flisja që duhet të jeni të sjellshëm, duhet të jeni kështu e ashtu, si çdo nënë dhe ma tha kështu, nuk e harroj asnjëherë atë fytyrë: “Shihmë për herë të fundit se s’do të më shohësh më”. Pse?, i thashë e the këtë. “E thashë”.

Janë të ndryshme dhimbjet, të ndryshme ndarjet. Pastaj, mendo, pak orë para se djali im të ndahej nga jeta, poston në Facebook një këngë baladë timen që unë e kam kënduar shumë e re dhe ashtu siç e nisa në fakt, me baladë, ashtu më shkoi dhe mua. Më bëri përshtypje domethënë. I shkruaj ish-të fejuarës së djalit tim, i them pse Deni e ka postuar këtë këngë, pse pikërisht këtë këngë? Më digjte ajo pjesë dhe pas 5 orësh ndodhi aksidenti./TV Klan

ObserverKult  


Lexo edhe:

FLUTURA AÇKA RRËFEN BISEDËN ME DJALIN E SAJ NË SPITAL, DISA DITË PARA SE TË NDAHEJ NGA JETA

Ishin ditë spitali. Im bir më pa drejt e në sy e më tha: Mam, unë e di që ti do mbyllesh pas kësaj. Do më vinte shumë keq, nuk do ta këshilloja. Çfarë ke për të humbur pas kësaj?! Çfarë tjetër ke për të humbur mam?”…

Janë fjalët e birit të Flutura Açkës, që ndonëse në ditët e fundit të jetës, tenton të lidhë nënën e dashur pas jetës. I kërkon të provojë të vazhdojë pa të, duke i premtuar se do jenë përherë bashkë. Letërsia për të është ai filli i shpresës, ndaj ai ngulmon që “Flutnesha” e tij të shkruajë një libër për të, e më pas të tjerë, pasi ky është misioni i saj. 

Shkrimtarja e tregoi kohë më parë episodin në “TVT”, në një rrëfim për “Birin”, librin e saj më të fundit që hapi qindra dyer leximi, ndonëse në një periudhë pandemie.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult