(Shkëputur nga Libri i Kujtimeve)
Nga Blerim Latifi
Biblioteka e fshatit tonë ishte shumë e pasur me libra. Thuhej se fondi i saj përbëhej prej 10 mijë volumesh. Në atë kohë Shtëpia Botuese “Rilindja” botonte mijëra tituj brenda vitit, me tirazh po ashtu prej mijëra kopjesh për secilin titull dhe një pjesë e këtyre librave dërgoheshin edhe nëpër bibliotekat e fshatrave.
Ndërtesa ku ishte vendosur biblioteka ishte më e bukura në fshat. Ishte një ndërtesë e stilit modern, me dy kate.
Në katin e parë ndodhej shtëpia e shëndetit, ndërsa në të dytin, përpos bibliotekës, ndodhej edhe zyra e bashkësisë lokale, një njësi adiministrative e cila hynte në kuadrin e komunës dhe rëndom përfshinte disa fshatra.
Ne, si nxënës, e vizitonim rrallë bibliotekën. Vetëm kur na dërgonin mësuesit për të marrë ndonjë libër që atyre u duhej dhe në përfundim të vitit shkollor kur duhej t’i merrnim librat të cilat mësuesit na i caktonin për t’i lexuar gjatë pushimeve të verës. Bibliotekisti ishte një njeri i zymtë.
Na priste ftohtë dhe mezi na i gjente librat të cilat i kërkonim. Ndonjëherë kur ishte në humor të keq, pa u ngritur fare nga vendi na thoshte të shkonim se librat që po i kërkonim i kishin marrë të tjerë.
Me pak fjalë: ai ishte një dembel, që dukej se e bënte pa qejf atë punë.
Erdhi viti 1990. Viti i dëbimit të shqiptarëve nga vendet e punës. Të gjithëve na kapi mërzia. Si do të jetonim tani pa të ardhura?
Një ditë kur shkuam në shkollë, e morëm vesh se edhe bibliotekistin e kishin larguar nga puna. Bibliotekës i ishte vënë dryri. Pas pak ditësh dikush e kishte thyer derën e saj dhe kishte hyrë brenda. Askush nuk u kujdes që ta mbyllte përsëri.
Kështu filloi shkatërrimi i bibliotekës së fshatit tonë. Ne tani hynim lirisht në të, ngase askush nuk na pengonte.
Brenda pak ditësh pamja brenda saj ishte bërë e tmerrshme. Dyer e dritare të hequra. Raftet e librave të rrëzuara në dysheme dhe qindra libra të shpërndara gjithandej.
Nuk vonoi dhe gjëra të tjera të shëmtuara filluan të ndodhnin në bibliotekë. Njerëzia hynin aty për të kryer nevojat e tyre fiziologjike.
Nisi të kundërmonte një erë e rëndë. Këtyre shëmtive iu shtuan hedhjet e librave nga dritaret në tokë. Një ditë i pamë disa mësues tek merrnin një sasi librash për t’i dërguar në shkollën tonë që ishte matanë rrugës. Shihej se donin të shpëtonin sa të mundnin nga ajo pasuri që po shkatërrohej para syve të tyre.
Dikush e dha idenë që si mësuesit të bënim edhe ne dhe nuk vonuam e u hodhëm në veprim. Për fillim merrnim librat me kopertina të bukura.
Edhe ashtu ato binin në sy më shumë. Personalisht dhjetëra herë kam shkuar aty për të marrë libra.
Herë vetëm e herë me ndonjë shok. I dërgoja në shtëpi dhe i sistemoja në një dhomë, të cilën në atë kohë nuk e përdornim për ndonjë gjë.
Kështu, brenda pak ditësh, unë u bëra me bibliotekën time personale, të përbërë prej qindra titujsh.
Mes tyre gjendeshin autorët më të mëdhenj të letërsisë botërore, si Balzak, Hygo, Gëte, Emil Zola, Anatol Frans, Kamy, Sartër, Drajzer, Heminguej, pastaj të gjithë shkrimtarët e mëdhenj rusë, e dhjetëra e dhjetrëra të tjerë, shqiptarë e të huaj.
Ngase e konsideroja timen, kujdesesha në mënyrë të veçantë për bibliotekën. I rendisja librat e saj herë në një formë, e herë në një tjetër.
Dhe kështu, dalë nga dalë, më lindi ajo që do të përcaktonte rrjedhën e mëpastajme të jetës: dashuria për librin.
Atë verë ia kushtova leximit të katër vëllimeve të romanit “Lufta dhe Paqja” të Tolstoit, ndërsa viti i ri shkollor më zuri duke lexuar një vepër tjetër voluminoze të tij, “Ringjalljen”.
Tetë vite zgjati ekzistenca e bibliotekës time. Në shtator të vitit 1998 ushtarët serbë u futën në shtëpinë tonë dhe ia vunë flakën asaj.
Flakët e përpinë edhe bibliotekën time. Vetëm pak libra prej saj arritën të shpëtonin, për shkakun se i kisha dërguar në Prishtinë pas fillimit të studimeve.
Sot ato i trajtoj si të ishin diçka e shenjtë dhe sa herë i marrë në dorë më duket se e ndjej aromën e bibliotekës time të dikurshme, e nga kjo ndjenjë më lindë nostalgjia për ato ditë të fëmijnisë, ato ditë që edhe pse ishin të vështira, prapë se prapë kishin gjërat e tyre të bukura.
ObserverKult
Lexo edhe:
NGA BLERIM LATIFI PËR BABAIN E NDJERË: NJË PIKË LOTI MË TRADHTOI…
Blerim Latifi: Elegji për babën
U ktheva te kafja në Skënderaj, aty ku rrije me shokët e tu.
Bosh ish vendi ku uleshe – zgavër në zemrën time, ulërimë fluturash kujtimi për ty
se Prekazi nuk vajton.
Një pikë loti më tradhtoi kur u largova
e nuk kisha kujt t’i them: Hajde plak se po shkojmë në shpi!
Nuk të gjeta as te berberi, aty afër.
As te furra e bukës, në anën tjetër të rrugës.
As mbi udhëkryqin e Prekazit,
aty ku ndaloje shpesh për t’u mbushur frymë
e me u falë me udhëtarë me një tungatjeta burrë!
Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObseverKult