Nga Blerim Latifi për babain e ndjerë: Një pikë loti më tradhtoi…

blerim latifi
Blerim Latifi

Blerim Latifi: Elegji për babën

U ktheva te kafja në Skënderaj, aty ku rrije me shokët e tu.
Bosh ish vendi ku uleshe – zgavër në zemrën time, ulërimë fluturash kujtimi për ty
se Prekazi nuk vajton.
Një pikë loti më tradhtoi kur u largova
e nuk kisha kujt t’i them: Hajde plak se po shkojmë në shpi!
Nuk të gjeta as te berberi, aty afër.

As te furra e bukës, në anën tjetër të rrugës.
As mbi udhëkryqin e Prekazit,
aty ku ndaloje shpesh për t’u mbushur frymë
e me u falë me udhëtarë me një tungatjeta burrë!

Ndalova tek arat tona.
Fara e grunit që hodhe në vjeshtë, ka fillu me lulëzu.
Kush mund ta dinte se ajo do të ishte fara e fundit e hedhun nga duart
e tua të palodhuna.

Eh, sa e doje gjelbërimin e grunit të ri!
– Na ka dalë e mirë fara sivjet,- thoshe.

Kur të piqet gruni një buqetë me kallinj kam me ta vendosë mbi vorr.
Besën e ki!
Sepse e di që kunorë ma të bukur nuk kishe me dashtë.
Ende nuk kam taku në botë njeri ma të dashunuem në tokën, si ty.
Nuk kishte vend në shpirtin tand për asnjë lloj urrejtje,
përveç urrejtjes për tokën e lanun djerrinë.

Ktheva kah shpia, por kambët nuk po më bënin të hyja në oborrin e
lanun pa fërkemët tu të kudondodhun.

Si të takohem me boshin, si me u pajtu me ikjen e Zotit të ksaj shpie?
Si ta duroj peshën e madhe të heshtjes n’ shpi e oborr?
Se aty çdo send ka zânin tand ushtimë prej babe.

E, more burrë Prekazi, sa shpejt ka fillu me më marrë malli!
Ai malli që âsht dhimbje për kthimin e pamundun në ditët kur unë nga
kudo e kurdo që vija, isha i gzuem se gjeja babën që mbante trarët e
shpisë mbi supe
me praninë e tij!

ObserverKult


blerim latifi

Lexo edhe:

BLERIM LATIFI: HISTORIA TRAGJIKE E ÇIKAVE TË KOSOVËS

Nga Blerim Latifi

Kjo është historia tragjike e çikave të Kosovës:

Dikur nuk i lejonin me shku në shkollë, pastaj, në një kohë tjetër, i helmonin në shkolla, pastaj erdhi një kohë kur i vrisnin, i masakronin e i përdhunonin, e sot, sot në liri, po duan t’i zezojnë, t’i mbulojnë, t’i arabizojnë, t’u vënë në ballë shenjën e të qenit pronë e burrave primitivë.

Dhe politikanët heshtin, sepse mendjen e kanë veç te pushteti i tyre personal, te votat, për të cilat janë në gjendje të koketojnë edhe me dreqin e me t’birin.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult