Shkëlzen Halimi: Këngë për kalin e Rexhës

shkelzen halimi doktorojnë

Kur natën e vuri në gjumë kukuvajka
nga kënga doli kali i Rexhës
dhe u strehua në shtëpinë e rrënuar
për ta dëgjuar vajin e thekshëm
të nanës që mbeti pa dritën e syrit

Dhe vrapoi rreth mullarit
vrapoi e vrapoi
vrapoi derisa u plandos
pranë jargëve të vdekjes
dhe u përbirua nëpër rrëfimin e pikëlluar
të këngëtarëve që i këndonin Rexhës:
… çohu mor Rexhë dil te shkalla
dasëm t’madhe po t’bo nana…

Dhembja hodhi mbi supe hejbet plot mallkim
hapi derën dhe hyri në botën e brendshme
mbylli sytë sa për ta ëndërruar ilaçin
në pagjumësinë tonë plot ankth
për mëngjeset
që i paralajmëron kënga e korbit
ai zog i kobshëm i rrëfimeve të lokes:
… o ju krushq hani e pini
se ju Rexhën në dhe t’ma shtini…

Shkundet pluhuri i harresës
dhe nga mjegulla del kali me flatra
fluturon drejt qiellit të shpirtit tonë
drejt dënesjeve plot mall
për nusen e Rexhës që s’e pamë kurrë

ObserverKult

Lexo edhe:

SHKËLZEN HALIMI: TË SHKRUASH ËSHTË PUNË E DHIMBSHME
SHKËLZEN HALIMI: VJESHTA E SHPIRTIT
SHKËLZEN HALIMI: BËJ PËRPJEKJE MAKSIMALE PËR TA RUAJTUR HIGJIENËN SHPIRTËRORE!
REKOMANDIME LEXIMI NGA SHKËLZEN HALIMI
SHKËLZEN HALIMI: LIGËSIA