Nga Sibel Halimi
Tanimë jemi dëshmitarë të kohës së standardizimit të ‘tipit ideal’ të bukurisë së grave dhe vajzave. Shumë nëna derisa mbajnë në duar vajzat e tyre të vogla, para shkrepjes së një selfie stepen nga një ngrirje dhe fryrje buzësh. Po ashtu, ashensorët janë shndërruar në pasqyra të konfirmimit përfundimtar të trupave me të pasme, të cilat u japin ‘prani’ jashtë shtëpive të tyre.
A është ky standardi i industrializimit të imituar që po e ridefinon ‘feminitetin’ e nënës e që po përçohet edhe tek farkëtimi i identitetit të vajzave? Sa jemi të vetëdijshëm për brendësimin e këtij standardi dhe a do të kemi pasoja në krijimin e identitetit individual të vajzave?
Shkolla, media dhe shoqëria në përgjithësi duhet të sfidojnë normat hegjemone të bukurisë duke ruajtur individualitetin e vajzave dhe shpëtuar ato nga uniformizimi i mendjeve të tyre. Ky standard, në të ardhmen e afërt do të ndikoj negativisht tek vajzat e reja. Prandaj, nuk është e rastësishme, që në shoqëritë e industrializuara, vajzat vuajnë nga anoreksia e vetëvlerësimi i ulët, për shkak të përpjekjes së tyre që t`i ofrohen standardit të promovuar nga kultura e konsumerizimit, e ndikuar nga media e rrjetet sociale. Ndonëse tek ne as që flitet për këtë çështje.
Vajzat që nga mosha e shkollës fillore e tutje janë të ndjeshme ndaj presioneve kulturore për t’iu përgjigjur një game të kufizuar të formave të pranueshme të trupit. Prandaj, trupi, mund të konsiderohet njëri prej shkaktarëve kryesor të bullizmit tek vajzat, çështje kjo që shtron nevojën e diskutimit në shkolla e media, por gjithmonë duke pasur parasysh edhe mënyrën e të diskutuarit. Ngaqë në shumicën e rasteve, shkolla duke qenë konservative, qasjen ndaj trupit të vajzave mund të ketë po aq të dëmshme sa vet trendi aktual.
Në shoqërinë kosovare, p oashtu kemi një tendencë të bashkërendimit të presionit social të dyzuar në mes të vlerave të patriarkalizmit dhe kulturës së konsumerizimit. Ilustruesin më të mirë të kësaj gjendjeje e kemi nëpërmjet shpërfaqjes në media të efektit “Dubai”. Madje, në njërën prej skeçeve të grupit homoristik, “Stupcat”, kemi shembullin, se si vajza e kthyer nga Dubai, sjell një shumë të madhe të hollash babait të saj. Derisa, një grua qëndron e bezdisur rreth rrethojave të shtëpisë së bashku me vajzën e saj, e cila me fletoren në duar insiston për shpjegime shtesë për detyrat e saj të matematikës. Nëna, e ngazëllyer nuk arrin as t`i përgjigjet vajzës, madje në disa raste ajo i kërkon vajzës së saj, për të krijuar modelin e gruas së rikthyer nga Dubai, e për t`i braktisur detyrat që lidhen më shkollën, sepse nuk i sjellin dobi.
Tani, një skeç i tillë, mund të konsiderohet ironik dhe sarkastik, por të dyja rastet janë simptomat e një norme të re shoqërore, imitim i zbehtë i kapitalizmit të servuar nga mediat, e që po ndikojnë në krijimin e mitit të së bukurës tek vajzat adoleshente duke instrumentalizuar trupat, moshën e gjendjen e tyre shoqërore.
Herbert Marcuse, shkruan se kapitalizmi e vlerëson bukurinë e gruas, duke e shndërruar në mall. “Gratë të cilat nuk e konsolidojnë ose nuk e pranojnë këtë figurë, dëmtohen dhe nënçmohen, derisa sensualiteti i gruas do të mund të minojë ration represive dhe etikën punuese të kapitalizmit”.
Andaj, koncepti i ‘bukurisë’ duhet të jetë pjesë e diskutimit edhe në shkolla. Ky standard, i cili është në fuqi do të duhet të përjetonte një rivlerësim të themeltë, i cili i përgjigjet zhvillimit të vajzës përtej objektit seksual.