Shkrim prekës i babait të aktorit të ndjerë: Ne presim… presim të trokasë dera…

Nga Xhabir Ahmeti

Biri im, mbi ne pareshtur bie terri. Dhe gjëmon duke na e bërë me dije pashpresën se presim kot të na kthehesh. Po ne… Ne do të presim, ani se ikin ditët, ikin muajt, ikin vitet e treten duke na lënë në valët e turbullta e të tmerrshme të shqetësimit ku përsëritet fjalia jote: pritmëni se u bëra më mirë, pastaj foljen pres e thoshe në aorist: erdha pas fundjavës, të hënën, a të martën do të jem aty, shtoje. Me ju! E fjala jote e thënë kështu gumëzhin në mënyrë therëse nëpër shtegun e shpresës sonë të thyer ku mbi kokë na e mban shpatën Errësira!

Kështu i përcjellë me ngashërim valë – valë, me muaj e muaj palohet pikëllimi ynë i pafund në mullarin e shpresës që ngrihet nga bindja se djali ynë do të kthehet, do të vijë pranë nesh, do të vijë për hir të dashurisë prindërore që nuk përshkruhet dhe së cilës nuk mund t’i afrohet asnjë dashuri tjetër, do të vijë për shkak të dashurisë së motrës për vëlla, të bijës për baba dhe të bashkëshortes për shokun e jetës!

Ne presim. Presim të trokasë dera. Presim të na e thuash ëmbël foljen vij në aorist: ja erdha!, siç  dije vetëm ti ta thuash! Presim e ditët ikin. Ikin javët, muajt, vitet. E ne  vazhdojmë të presim. Se ti je biri ynë, vëllai i Lindës, BABAI I ARBËS dhe bashkëshorti i Edlirës. Të presim.

ObserverKult


Lexo edhe:

PUBLIKOHET PULLA POSTARE KUSHTUAR AKTORIT TË NDJERË, LURAN AHMETIT

Posta e Maqedonisë së Veriut edhe në mënyrë solemne ka publikuar pullën postare me figurën e aktorit të dëshmuar në skenën shqiptare dhe të huaj, Luran Ahmeti.

Me këtë pullë postare synohet të përjetësohet vepra e Ahmetit, i cili u nda nga jeta nga sëmundja e Covid-19 në kulmin e karrierës së tij.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult