Shkrim prekës nga Çun Lajçi për vajzën e ndjerë: Më kishte marrë malli me të takua… me t’përqafë…

Nga Çun Lajçi

Sot e shiqova gjatë atë foton e shfaqjes së fundit, n’rolin e sheh Rumiut; – me kaukun e verdhë! Me pallton e verdhë! Me tëspihet e verdhë, t’gjatë deri të gjunjët!

– Atë foton nga shfaqja e fundit si artist, me kornizën e madhe, që m’erdhi dhuratë nga ajo Zana regjizore, kur po përpiqesha me vdekë pak nga Covidi! Kur po përpiqesha me mbetë fotografi, i varun n’mur përgjithmonë, mes kornizave tua!

 Gjatë e shiqova foton time sot! Ndrrova edhe pozicion, se rrezet e diellit thyheshin n’xhamin e pluhnosun e ma prishnin imazhin!

– Herë m’dukej se jam unë herë m’dukej se je ti. Madje m’dukej sikur ti po dilje nga sytë e mi e po vareshe n’vetullat e mia t’zbardhuna.

– Ç’don ti këtu? – sikur po me flisje!

– Ti s’ke varr si unë!

– Nuk t’viziton askush, mes gurëve të ftoftë!

– As korbi nuk krrokë mbi foton tande n’granit, si mbi foton time!

– Zbrit nga korniza!

– Nuk dua me t’pas afër meje.

– Akoma ka jetë n’ty, ani pse je i zbardhun, i rrudhun!

– Lëviz e mos u struk mureve si hije, se t’harrojnë siç m’harrove edhe ti mua!

– Dhe mos u kollit, se ikin nga ti!

– Mos pështyjë këlbaz se nuk t’afrohet njeri. Mbetësh vetëm dhe i vetmuem. I gjallë as i vdekun!

– Mos i prano shenjat e vdekjes; – kollën e këlbazën!

Dy herë u ula n’divanin që rri përfundi kornizës se fotografisë. I mbylla sytë për pak minuta e kur i çela i fola fotografisë sate; – je ti apo ndonji engjëll që rri tash e sa vjet n’mur e nuk flet!

Ndaç mos me beso, por u përlota. Madje e mora faculetën dhe i fshina faqet e laguna!

– Nuk dua me t’pa të lig, – sikur m’qortove.

– S’je plakë! Vetëm je zbardhë! Ke vu syze që të dukesh fisnik! Të rrin bukur mosha ty!

– Merre bastunin e dil mes njerëzish. Ec me temena! Le t’shohin, sa i bukur dukesh me moshën e bardhë!

– N’aktrim je unik! Je edhe ma shumë; – je legjendë që bartë mbi kurriz libra e kangë!

Kaq m’fole. U mbylle e buzëqeshun n’kornizë. Mua me mbetën gjurmët e gishtërinjëve n’pluhunin e xhamit. Lotët i fshina me faculetë e gjëmova!

– Bija ime! Sot e ndjeva se më kishte marrë malli me të takua. Me t’përqafë e me t’përqafë e mos mu ngi!

  Ah! U banë shumë vite pa ty e shumë net pa gjumë!

N’ditën e pranverës të vitit 23

ObserverKult


Lexo edhe:

ÇUN LAJÇI REAGON ASHPËR PAS LAJMEVE PËR VDEKJEN E MIRUSH KABASHIT

Aktori ynë i njohur, Çun Lajçi, nëpërmjet një postimi në Facebook ka reaguar pas lajmit të rrejshëm që doli dje në disa media, dhe të cilat lajmëruan se aktori i njohur shqiptar, Mirush Kabashi ka ndërruar jetë.

Ky lajm u demantua nga të afërm të aktorit Kabashi. Duhet përmendur se kjo është hera e dytë që Mirush Kabashi shpallet i vdekur nga disa media.

Postimi i plotë i Çun Lajçit

Mirush!
Je Kabash ti dhe e dinë se banë gjithçka e çon randë, prandaj turrën si mizat n’m… e ta thërrasin vdekjen tash e dy herë, ca mjeranë që lekun e kanë babë e nanë!

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult