Shkrimi i Çun Lajçit për vajzën e ndjerë: Ti je aty, unë larg teje…

Po bahem gati!

Nga Çun Lajçi

M’duhet me ardhë me i pa gjethet e kuqrremta t’ahut e ato t’lulësat e qerrshive tue fluturua bashkë me trumcakët, kur fryjnë majet e shryhen grykat!
M’duhet me ardhë me i pa gjethet e verdha të dardhës tue ra mbi dheun e varrit tand. Me marr aromë gjethesh t’thata e larg mu tretë kujtimesh moj e mirë!
Po bahem gati me ardhë pa nisë fluskat e borës, se ditët po plakën e jeta po shkurtohet n’pikat e shiut vjeshtak!

Atje ku ti pushon përjetësisht, tani ka vetëm shushurimë gjethesh e cicërrimë zogjësh!
Ka edhe krrokamë sorrash edhe ulërimë ujqësh! Edhe bubullimë, por jo edhe thirrje; – çohu Bubulinë çilma derën se nuk po me mbajnë kambët e drobitune!
M’duhet me ardhë me i pa rremat pa gjethe e kaçat e kuqe që grimcohen nga kitrrat e trumcakët! Edhe murrizat edhe kulumritë edhe dardhat e egra që zbutën për krimba e buburreca!

Ti je aty, unë larg teje e mendja rrin mbi dërrasën e myshkun e tetori po soset! Edhe hana e pret nandorin mu ba drapën e unë me ardhë të varri me folë me hijën tande, si 6 vite ma parë, kur more rrugën e harrueme!

-Nji nandor t’zi e kemi unë e ti e sa herë vetëtinë qielli e laget varri yt, unë digjëm mallit e marr rrugë për Drelaj!
Po bahem gati me ardhë se po afron nandori e rrugët po mbushën puqilla uji nga vetmia e mërzia!

ObserverKult


Çun Lajçi bubulina

Lexo edhe:

SHKRIMI PREKËS I ÇUN LAJÇIT PËR PIRRO MANIN: E DI SE PO TA PRISHI QETËSINË E AMSHIMIT…