Shkrimi prekës i Flutura Açkës: Ku është im bir tani?

Nga Flutura Açka  

Im bir është një vizitor i çuditshëm në shtëpinë time tani, edhe në ëndrrën time ku rrallë ka banuar njeri, ai zotëron të gjitha hapësirat.

Të pafundme. Kthimi i tij nga banor në vizitor i trojeve të mia, e ka mprehur kujdesin tim për ajrin që ai lëviz, për zhurmën e hapave të tij, për tingujt e fjalëve që thotë, për çdo tik a nojmë të buzëqeshjes së tij. Ai është një gjithçka që dikur nuk e njihja me kaq imtësi, tani mund t’ia vizatoj portretin symbyllas.

Ardhja e tij nuk kërkon asnjë përgatitje, nuk ka trokitje, heqje këpucësh, nxitim për festën e mirëseardhjes, këshilla rutinë prindi për kujdes – ai ikën siç vjen.

Nuk ka ditënata, ka vetëm kohë.

Në të vërtetë, nuk ikën ai, por ndërgjegjja ime e thithur prej gjumit, dhe besoj se mu në atë çastin e ikjes sime mendore, ai zë e përgjon fjetjen time dhe shpesh e kapërcen paretin e dremitjes e më vjen në ëndrra, si ta ketë marrë malli më shumë se netëve të tjera për mua, sikur gjumi im të ketë zgjatur me tepri.

Një vizitor i përminutshëm dhe i përsekondshëm është Ai.

Koha ime është Ai.

Këto mund të jenë ndjesi të pakapshme për njerëz që nuk e njohin dramën e humbjes së fëmijës dhe besoj se është e vështirë ta kuptosh një narrativë të tillë në kushte normale, të një jete në jerm si e imja dhe si e të gjithë prindërve, të cilët një çast fatal kthehen në jetimët e fëmijëve të tyre.

Pranimi i një humbjeje të tillë është një proces shumë i gjatë, mbase vetëm inteligjenca mund ta shpëtojë prindin nga akti gati blasfemik i mospranimit të fatit, i cili, në mënyrën më të pamëshirshme, të ka lënë pa materien që ndërton jetën tënde – të ka lënë pa “Nesër”. Të ka kthyer në automat. Religjioni duket se e ka shpëtuar njeriun nga ky hon, por ai vetëm e mbulon malcimin. Nuk ka fuqi dhe as tagër ta shërojë.

Ku është im bir tani? Çdo prind me fat të njëjtë si i imi, e ka një shpjegim; edhe unë e kam.

Ai tani është Unë.

Qysh nga lamtumira me të më 5 maj të vitit 2018, jam përpjekur të gjej një term të përshtatshëm në shqip për gjendjen time, për statusin e të tjerëve si unë, një fjalë të vetme që ta përmbledhë fatin e prindërve që kalojnë përmes një humbjeje të tillë.

Kështu, në kërkim e sipër, hasa një ditë në esenë e mprehtë mbi vdekjen të poeteshës angleze, Denise Ri- ley, ku ajo përpiqet të shpjegojë statusin e saj prej prindi pas humbjes së të birit.

Ajo thotë se nuk mundi të gjente dot një emër të veçantë për prindërit që nuk i kanë më fëmijët.

Shpjegimi për këtë është i thjeshtë: Ne jemi mësuar që rendin e gjërave ta ngremë mbi të pra- nueshmen, mbi radhën që bota duhet të ketë.

Humbja e fëmijës është në logjikën e jetës njerëzore mbi këtë dhé, por jo në logjikën e jetës personale të njeriut.

Ndaj njerëzimi, si t’i shmanget orëve dhe zonave të errëta të fatit, ka refuzuar të gjejë një emër për prindin që përcjell fëmijën e tij para vetes – bota nuk duhet të ketë një radhë të tillë.

Prind që s’e ka më të birë – të birë, këtu është pa gjini – do të ishte formulimi i saktë i statusit tim.

Në gjuhën kineze përdoret një fjalë e re me një kup- tim pak a shumë të tillë, një term i lidhur me politikën e planifikimit familjar, që njëfarë kohe i detyroi me ligj çiftet kineze që të kishin vetëm një fëmijë, të cilin, mje- risht mund edhe ta humbnin, siç e humbën një milion familje gjatë kohës së kësaj shtrëngeseje ligjore.

Shidù është shkurtimi për statusin shiqù dúsheng háizi, që fjalë për fjalë përkthehet: “ai që humb fëmijën e vetëm”.

Në gjuhën shqipe, një gjuhë e rrallë për të bërë letërsi, por me ç’duket edhe gjuhë e bërë për dhimbje të tilla të lashta, unë e kam gjetur atë fjalë. Unë jam tani e paBir. Një-nënë-e-pabir. Që nuk e ka më të birin. Që i ka vdekur i biri.

E pabir. Pa Birin.

Biri, ky do të jetë emri i tim biri në këtë libër, si fjala vetme që e bart të plotë kuptimin e thellë të qenies më të dashur të një nëne, një fjalë që jam e bindur se mund të tingëllojë lehtë në çfarëdo gjuhe të botës.

Edhe fjala “vdekje” do të përmendet gjithnjë e më rrallë në këtë libër.

Për mua ajo është një portë ku ne djegim të djegshmet tona, ato që lemë pas krahëve, gjërat tridimensionale, në të vërtetë, katërdimensionale, përderisa shpesh sendet tona jetojnë shumë më gjatë se ne në kohë.

Të vetmet që marrim me vete janë virtytet, veset, mendimet, dijet, talentet, hobet, buzëqeshjet, idetë dhe gjithçka tjetër që nuk mund ta lëmë këtu e që nuk i djeg dot “zjarri” që na pret tek ajo flegër. Nuk ka njerëz më të lumtur se ata që dinë të bartin gjëra të padjegshme për tek ai prag.

Biri barti shumë, do ta rrëfej ngadalë, kur të më japë lejë pikëllimi.

Në këta muaj qysh nga lamtumira me të, kam pyetur disa miq të mi të mirë se ç’është Nëna për ta? Sepse dua të di se ç’kam qenë unë për djalin tim, një kureshtje që më vjen prej një bindjeje se marrëdhënia nënë-bir është ndër më thelbësoret, në mos më thelbësorja, e kësaj bote. Çdo raport tjetër ka më shumë çelësa komuniki- mi e më pak kureshtje të palëve mes vedi. Një nënë e di mirë se ç’ndjen e bija, pasi kanë të njëjtën gjini dhe ajo është pasqyra e saj; një baba e kupton mirë të birin, pasi ai është thuajse vazhdimi i tij dhe ka me të shenja të njohura të gjinisë që i lidh; mbase një baba nuk do ta mësojë kurrë deri në fund se ç’ndien e bija, ngaqë e pengon gjinia, por ajo nuk është mish i mishit të tij.

Nënë-bir është një materie e epërme, pasi i biri është zgjatimi i vetes për një nënë, ajo është amë e frymës dhe e mishit të tij, por edhe një krijesë e një gjinie tjetër, me të cilën atij i duhet të krijojë kimi përmes kureshtjes.

Ky ndryshim dhe ky përngjasim akut nënë-bir, besoj e bën këtë lidhje më të shenjtën e kësaj bote, ndaj, e shtyrë nga nevoja për ta provuar këtë, tani kam një ritual të ri: Kudo që të shkoj, në çfarëdo qyteti që të jem, unë hyj në kishën e parë që ndesh dhe ulem e këqyr ikonën “Shën Maria me të birin”; është një nga ritet që më jep tani pak paqe, pasi jam në kërkim të qetësisë që ma kërkon ankimi i fëmijës sime të dytë, letërsisë, të cilën nuk do t’ia dal ta dua dhe ta ruaj në këtë jetë, pa e çuar deri në fund këtë rrëfim që shpresoj se do të lidhë vjegët e jetës sime të shkokluar.

Një personazhi im diku thotë se dhembshuria është një fjalë folklorike, nuk e di nëse ai ka të drejtë.

Ky libër nuk mëton t’ju zgjojë dhembshuri ndaj asgjëje – fati është fare personal – as të shpjegojë se sa e tmerrshme është vdekja si “substanca” që ndërton pikëllimin, por se sa tragjike është ta mbyllësh jetën në të ritë e tu të bukur dhe se sa fatale është të mos dish ta jetosh atë, edhe ashtu të shkurtër nga fati.

Biri diti të jetonte aq bukur!

(Fragment i shkëputur nga libri “Biri”)

*Titulli i origjinalit: “E paBir”

ObserverKult


Lexo edhe:

FLUTURA AÇKA RRËFEN BISEDËN ME DJALIN E SAJ NË SPITAL, DISA DITË PARA SE TË NDAHEJ NGA JETA

“Ishin ditë spitali. Im bir më pa drejt e në sy e më tha: Mam, unë e di që ti do mbyllesh pas kësaj. Do më vinte shumë keq, nuk do ta këshilloja. Çfarë ke për të humbur pas kësaj?! Çfarë tjetër ke për të humbur mam?”…

Janë fjalët e birit të Flutura Açkës, që ndonëse në ditët e fundit të jetës, tenton të lidhë nënën e dashur pas jetës. I kërkon të provojë të vazhdojë pa të, duke i premtuar se do jenë përherë bashkë. Letërsia për të është ai filli i shpresës, ndaj ai ngulmon që “Flutnesha” e tij të shkruajë një libër për të, e më pas të tjerë, pasi ky është misioni i saj. 

Shkrimtarja e tregoi kohë më parë episodin në “TVT”, në një rrëfim për “Birin”, librin e saj më të fundit që hapi qindra dyer leximi, ndonëse në një periudhë pandemie.

“Ishte një pyetje vendimtare: Çfarë kam për të humbur unë, pas humbjes së tim biri? Kjo është arsyeja pse rri në këmbë. Pse zgjedh të flas për atë që mund të ishte kolegu im, sepse si nënë, unë rrija e qaja në shtëpinë time”, rrëfen shkrimtarja.

Romani “Biri” përtej vdekjes, sjell tablonë e jetës së një të riu mbështetur në shtylla të forta, si familja, miqtë, librat e vlera humane, që papritmas mbulohen nga muzgu i një sëmundje të rëndë.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult