Letërsia ka pasur gjithmonë fushëbetejat e saj. Ushtarë me stilolaps në dorë, gati për t’u përballur me njëri-tjetrin, jo me teh shpate e as me arkebuz, por me fjalë të mprehta si thika.
Zënka letrare, sepse me këtë kemi të bëjmë sot, të cilat jo rrallëherë ndizen në urrejtje kokëforta dhe armiqësi të helmuara. Mosmarrëveshje të destinuara të zgjasin, në një mënyrë apo në një tjetër, gjatë gjithë jetës.
Një koment i pakëndshëm për një libër të ri, një kritikë e rastësishme (ose e qëllimtë), që shfaqet në faqen kulturore të kësaj apo asaj gazete dhe befas fillon shiriti, lufta shpallet menjëherë brenda natës.
Në të vërtetë, historia e letërsisë spikat me përplasje mes titanëve. Përballje të ashpra, që gjenitë letrarë kanë zhvilluar mes tyre, të aftë për të revolucionarizuar idenë e vetë romanit në “esprit d’un matin” (“fryma e një mëngjesi”).
Marsel Prusti dhe Zhan Loreni
Një mosmarrëveshje, që përfundoi me një konflikt të vërtetë. Në fakt, Marsel Prusti dhe Zhan Loreni e sfiduan njëri-tjetrin në duel. Pistoletat, falë zotit, nuk goditën asnjërin dhe që të dy dolën të padëmtuar. Pa as gërvishtjen më të vogël.
Nga buronte arsyeja e kaq shumë trazirave? Poeti i kishte kritikuar “Kënaqësitë dhe ditët”, duke nënkuptuar, në mënyrë të pashmangshme, se Prusti kishte një lidhje me djaloshin Lucien Daudet.
Lord Bajroni dhe Xhon Kits
Mesa duket këta dy gjigantë të poezisë angleze, nuk e kanë dashur shumë njëri-tjetrin. Bajroni, me titull dhe poshtërues, e konsideronte Kitsin një poet të kokni (dialekt i Londrës), të aftë për të shkruar vetëm vargje pa vlerë, kurse Kits, nga ana e tij, shprehte dyshimet e veta për talentin e kolegut të tij.
Një talent që ishte një mashtrim i vërtetë, i bazuar vetëm – këmbëngulte poeti i “Odë bilbilit” – në prestigjin shoqëror të familjes dhe te një dozë e mirë sharmi personal, që s’kishte të bënte me poezinë, transmeton ‘Konica.al’.
Virxhinia Ullf dhe Arnold Benet
Një duel fjalësh, recensione të hidhura dhe parodi që vunë përballë Virxhinia Ullfin, një nga penat më të mëdha të shekullit XX, dhe Arnold Benetin, shkrimtarin e njohur, por i ankoruar në bindjet e vjetra letrare.
Shkak i mosmarrëveshjes qe një recension i shkruar nga Benet, mbi librin “Dhoma e Jakobit”. Në fillim, Ullf e humbi durimin dhe iu përgjigj mjaft ashpër, më pas e kaloi në një lojë shumë më delikate, duke e qesëndisur me elegancë kolegun e saj.
Beneti i prekur qëndroi në heshtje, por nuk ia fali kurrë fyerjen dhe vazhdonte ta shigjetonte kundër të gjitha veprave të reja të koleges së shquar.
Gore Vidal dhe Truman Kapot
Mosmarrëveshja filloi në një festë të organizuar nga Tenesi Williams. Pikërisht gjatë një pritjeje të tijën, dy shkrimtarët filluan të ngacmonin njëri-tjetrin. Vidal e akuzoi Kapot për kopjimin e “Carson McCullers” dhe “Eudora Welty”, ndërsa Kapot iu përgjigj me përbuzje, se Vidal, sipas të gjitha gjasave, e kishe marrë frymëzimin nga një gazetë si “Daily News”.
Një shkëndijë e vogël, që shpejt u shndërrua në zjarr. Kohë më pas, autori i “Me gjak të ngrirë” i hodhi benzinë zjarrit, duke deklaruar publikisht, se Vidal ishte flakur jashtë Shtëpisë së Bardhë i dehur dhe shqetësues.
Sigurisht, Gore Vidal depozitoi menjëherë ankim. Padija bëri xhiron e botës dhe, mjerisht, që të dy vijuan ta shihnin përgjithmonë vrazhdë njëri-tjetrin.
Vladimir Nabokov dhe Edmund Uillson
Një miqësi prej më shumë se njëzet vjetësh, që u hodh në erë për përçarje politike dhe disa recensione, që, në fakt, vuri përballë njëri-tjetrin dy shkrimtarët e njohur. Nabokov nuk ia fali kurrë Uillsonit kritikat që ky i fundit kishte shprehur për “Lolitën”, veprën e tij më të famshme.
Gjërat nuk u përmirësuan, kur Uillson sulmoi edhe përkthimin rusisht të kryeveprës së Pushkinit: “Eugjen Onjegini”. Një mosmarrëveshje e kapur nga gazetat dhe që përfundoi (qartësisht) me përgojime në analet e letërsisë.
Lexo edhe:
CIKËL POETIK NGA ARBEN PRENDI: MES SHIUT TË NATËS TOKËSORE
ObserverKult