“Shkrimtari i ri” dhe sindroma e “mullirit” në letërsi!

ervin nezha shkrimtari ese observerkult

Ekziston një urrejtje e çuditshme ndaj autorit të ri ( nuk po guxoj as unë ta quaj shkrimtar), por edhe sukseseve të tij të para.

Nga Ervin Nezha

Nuk është fakt i panjohur që mjedisi shqiptar, është i ashpër dhe i dashuruar pas formave të dhunës si format më të dobishme të edukimit. Kjo devizë nuk përbën përjashtim as në fushën e paqtë të letrave, ku gangsterizmi të paktën formalisht duhet të qëndrojë i përjashtuar. Ekziston një urrejtje e çuditshme ndaj autorit të ri ( nuk po guxoj as unë ta quaj shkrimtar), por edhe sukseseve të tij të para.

Për një pjesë, këto suksese janë gjithmonë të pamerituara, e se derisa të meritohen e legjitimohen shkrimtari i ri duhet të jetë një thes boksi, ku secili provon grushtin apo shqelmin për të matur fuqinë.

Zakonisht fuqia e grushtave të hedhur qesim është e lehtë, sepse gjithmonë e mësyjnë kundërshtarin symbyllurazi, mirpo për një pjesë të spektatorëve, tifozë nostaligjikë, këto goditje janë të shkëlqyera.
Le pastaj, kur pas qerres së tyre, mprihet edhe turma e ambjentalistëve, me parrulla origjinale si:”Për librat priten mijëra pemë, e shkrimtarit të ri mëma natyrë nuk ia ka për borxh t’a pajisë me letër” apo turma e histerikëve me parrulla të tilla “që letërsi shkruhej dikur, ndërsa sot nuk shkruhet gjë”. Mendime tipike sipërfaqësore, të individëve që lexojnë një libër në vit.

Është e vërtet se jo të gjithë ata që shkruajnë janë shkrimtarë apo aspirojnë të bëhen të tillë, por në një vend si yni, ku letërsia imagjinohet si autobus, ku po nuk zbriti njëri nuk ulet dot tjetri, e ku më plakut i takon sedilja e parë, shkrimtari i ri është një qënie e papëlqyeshme.
Fat për autorin e ri, simbas atyre që marrin tagrin për t’i gjykuar, është që arriti të kapë autobusin, pa s’ka galje se sa kohë duhet të qëndrojë në këmbë.

Zakonisht, sulmet për shkrimtarin e ri, paraprihen nga ata shkrimtarët që gati tërë jetën e kaluan me mendimin se jeta u pati falur një talent të madh, mirpo që të tjerët nuk ditën ta vlerësonin. Kështu, ata e shikojnë se ende kanë mundësi të jenë të suksesshëm, pasi edhe pse talenti i tyre kaloi pa përshtypje, ata kanë zënë radhën përpara shkrimtarit të ri. Të mos flasim për ndonjë “meritë” shtesë që i japin vetes, të llojit, që filani shkrimtar i madh, e pati pirë kafen me mua. (Tani që ai iku në amshim, më afër letërsisë jam unë !)

Kjo në fakt është psikoza e “mullixhiut” që në pamundësi për të përshpejtuar procesin e bluajtjes i duket se kalon kohën në mënyrë të dobishme, duke inventarizuar rradhën.

Të tjerë këtë sindromë për të sulmuar autorin e ri, mund ta quajnë edhe si mbeturinë orientale, e një populli, që nuk shkel në spital po nuk qe doktori me syze ose nuk hipën në makinë po nuk qe shoferi me flokë të bardha.
Kështu autorit të ri i mbeten dy rrugë: “E para, ma e sigurta, ta nis zanatin vonë kur fizionomisht të jetë i përshtatshëm ose e dyta, të jetë i vemendshëm që kur të marri ndonjë vlerësim apo të japi ndonjë opinion për letërsinë, të thotë,- faleminderit, por rrallën për vlerësim e ka filani se është ngritur ma herët.”

Tani përtej shakave, a duhet të kritikohet një shkrimtar i ri?
Patjetër, përveçse nuk duhet kritikuar për arsyen pse është ri. Ashtu si nuk duhet kritikuar pse është i vjetër. Sepse ky është paragjykim. Dhe paragjykimi pa arsye është një lloj demaskimi pa shkak. Një lloj megallomanie e cila buron nga ligësia dhe smira.

A duhet përgëzuar kur bën një poezi, tregim apo roman të mirë? Jo detyrimisht ! Por është fisnike të përgëzohet dhe nuk ka pse të pritet gjithë jetën, për t’i dhënë meritën nga frika se në të ardhmen do shkruaj dhjetë poezi të këqija.

ObserverKult

LEXO EDHE:


TË VDESËSH NËN DIELL, TREGIM NGA ERVIN NEZHA