Përkujtim
PESË MUAJ PA DJALIN TONË TË MIRË, LURANIN
Nga Xhabir Ahmeti
Biri im, jemi mbledhur në shtëpi e cila pas pesë muajve që s’të kemi pranë i ngjan një faltoreje ku lutjet bëhen në heshtje dhe dhembja shprehet me gjëmë që ngrihet deri në qiell brenda nesh, thellë në shpirt. Njëri rri në një kënd, tjetri ulur në kauç, i treti e i katërti bën ndonjë punë të zhveshur nga vullneti. Vetëm Arba jote e vogël shpërndan me grusht shkëndija jete. Po ajo nuk dëshiron të na shohë ashtu. E kërkon dritën e dikurshme të gëzimit, kur ti e shpërndaje si ylli i shtëpisë, prandaj do ajo ta ndryshojë atmosferën e rënduar.
Arba e ka një peshk të vogël që i ngjan atij peshkut i cili t’i plotëson tri dëshira, kurse ajo vet i ngjan asaj vajzës që e ka gjetur peshkun. “A e keni ushqyer peshkun”? na pyet. Pastaj shton: “Këtë peshk e kemi blerë me babin”. Ne buzëqeshim, por mungon drita e gëzimit. Në muret tona me pak piktura e shumë libra, duket se buzëqesh vetëm Lurani i fotografuar kur ka qenë fare i vogël me Lindën dhe me ne prindërit. Telefonat e miqve cingërojnë rrallë e më rrallë kështu që edhe telefonat tonë i janë dorëzuar heshtjes të harruar nëpër xhepa ose këndet e ndryshme të shtëpisë. Gjithë ata libra i ka gëlltitur heshtja e rëndë. I ka mbuluar një tis pikëllimi edhe papuçet që rrinë renditur te pragu i derës. Filxhanat duken si suvenire të panevojshme të renditura në sergjen. Çdo cikërrimë e ka marrë ngjyrën e përhitur të heshtjes. Heshtjen e prish vetëm një qen i fqinjëve që gjithë ditën vrapojnë pas lekëve. E lënë të gjorin qen mbyllur nga mëngjesi deri natën vonë.. Arba thotë: “Gjynah, qeni qan… Po ta kisha unë një qen”, thotë, Arba, “do të luaja me të dhe do ta shëtisja”. Pastaj qeni hesht, po ushton pikëllimi për ata që kanë veshë. Rëndë është sa s’ka. Shtëpia pa ty s’i ngjan shtëpisë me oxhak të lartë. E ndjen edhe Arba këtë, por ajo ka vendosur të bëjë diçka që ta heqë nga shpina e saj e njomë këtë barrë. Don të na bëjë me dije se babi i saj është këtu, prandaj çdo ditë nxjerr ndonjë teshë të veten a ndonjë lodër ta shohim duke përsëritur vazhdimisht: “Shikoniii, këtë ma ka blerë babi”!.
Arba dëshiron me ngulm të na gëzojë. Ah, sa e mundon mungesa jote, sa zbrazëtinë që e ndjen ajo pa babin e saj me të cilin luante. Ajo është shkrirë aq shumë në këtë dashuri, në dashurinë ndaj teje, biri im, sa dashuria e saj shndërrohet në zemrat në burime lotësh. Vazhdimisht kur hyn midis nesh Arba ta përmend emrin: “Babi im, babi im”! Në këtë sintagmë ka shumë dashuri e shumë krenari. Arba kështu e ngjyros shtëpinë me rrezet e saj të ngrohtësisë fëmijërore. Megjithatë herë pas here na shikon me radhë me kujdes. Inteligjenca i pëshpërit asaj diçka. Atëherë ajo koka e vogël dhe e bukur vihet në lëvizje. Dyshon Arbushi vogëlushe. Diçka e ka prishur rendin e harmonisë së saj. Na shikon edhe një herë të gjithëve dhe në heshtje pret përgjigje nga ne, pret një përgjigje për ty, biri im, pret t’i tregojmë pse kaq shumë kohë nuk iu ktheve. E di, djali i babit, fëmijës gjashtë vjeç pesë muaj sa nuk të ka pranë i duken periodë shumë e gjatë, ndoshta më shumë se sa i duken babit tënd pesëdhjetë vjet. Ne pastaj e lavdërojmë teshën që na e tregon, ose themi ndonjë kujtim për ty, kur kemi qenë bashkë në piknik, por përgjigjen që e pret prej nesh s’ia themi dot. Nuk na lejon pikëllimi, nuk na lejon e vërteta e hidhur, e rëndë sa një mal mbi supa, sa qielli mbi shpatullat e Atlasit, na gulçon dhembja që bëhet mur i pakapërcyeshëm për këtë përgjigje që e pret Arbushi. E dimë se dalëngadalë duhet t’i tregojmë, duhet ta marrë vesh se ti, babi i saj, jeton në kujtimet tona, në zemrat tona dhe në shpirtin tonë. Në dashurinë tonë. Se në këtë botë të kujtimeve e në zemër ajo do ta mbajë përgjithmonë babin e saj të buzëqeshur.
Ne e shikojmë Arbën dhe në sytë e saj e shohim atë vitalitetin tënd, biri im, e shohim atë vitalitet që të dallonte nga të tjerët. Arbushi jonë e mirë që të ngjan ty dhe që të do aq shumë, meqë nuk e merr përgjigjen shkon e përqafon atë enën e qelqtë ku e ruan peshkun “e artë”. Kur e përqafon enën, i duket se të përqafon ty, Lurani ynë, sepse shpesh, shumë shpesh, e përsërit edhe këtë: “Peshkun ma ka blerë babi. Dhe babit shumë i pëlqen emri Ari që ia kam vënë peshkut”, thotë. Pastaj kthehet e shikon edhe një herë peshkun dhe shton: “Babi im është babi më i mirë në botë dhe unë kurrë në jetën time s’kam parë baba më të mirë”! Ne pastaj e thërrasim të na përqafojë, por ajo e di se në këtë thirrje fshihet diçka e pazakontë, diçka e hidhët. E ka vizionin e saj ajo në një vëllim për lakmi që e shpie që dalëngadalë drejt zgjidhjes së këtij misteri që e mundon. Atëherë ikën, nuk na përqafon. Përnjëherë ajo e shikon nga dritarja një re në formë anijeje dhe thotë: “Babi im sigurisht është mbi këtë re dhe më shikon mua si luaj njësoj sikur që luanim bashkë”. Pastaj ditët ikin shpejtë kështu. Edhe vitet me to. Një ditë ajo do ta gjejë vetë përgjigjen dhe do të pikëllohet. Mirëpo ajo e ka strehuar zërin tënd në kujtime, sytë e tu, fytyrën tënde të bukur, zërin tënd. Tash atë e rrit dashuria. Dashuria e madhe për ty. Dashuria jote për të. Dashuria atërore që jep vullnet e që fal krenari.
Arbushi të do, të do shumë, shumë, biri im.
Është e pakufishme edhe dashuria jonë që kemi për ty, Lurani ynë. Dhe kjo jo vetëm që do të jetojë me ne deri në frymën e fundit, por babi yt do të luftojë si Prometheu që të mbetesh i gjallë pranë emrave të nderuar të kulturës sonë në kujtesën kolektive, anise atmosfera e “demokratizimit” dhe “lirive” të shumta ia mbajnë anën harresës. Por nuk i janë dorëzuar të gjithë njerëzit luhajës gjumëndjellëse. Ka njerëz që do t’i kemi krah që mos të harrohesh. Shiko çfarë thotë shkrimtari që tërë jetën shkruan bukur dhe që tërë jetën qëndroi vertikalisht përballë shumë stuhive, Miku im Shaip Beqiri: “Lurani do të jetë i gjallë përgjithmonë jo veç në kujtesën dhe tërë qenien Tënde! Ndonëse nuk e kam takuar kurrë, e mbaj po ashtu – të gjallë – vetëm nga shpërfaqja e tij në një emision televiziv, kur (pa e ditur që ishte biri Yt), thashë më vete: lum ata prindër që kanë lindur, në vend të një fëmije, një ENGJËLL si Lurani! Ti je burrë fisnik e bujar, prandaj na jep të drejtën që edhe ne të bashkëndiejmë me Ty kënaqësinë dhe dashurinë që na jep LURANI”! Ndërkaq eseistja Irini Shkodra shkruan: “Ende nuk jam ndërgjegjësuar për humbjen e Luranit, këtij djali me bukuri shumëdimensionale. Më është e pamundur ta besoj. Kur lexoj mesazhet e panumërta ngushëlluese për të, e kuptoj fare mirë pse më është e pabesueshme kjo lamtumirë. Qe artist, pra i të gjithëve. Qe patriot, pra i çdo shtëpie shqiptari. Ishte dhe mbetet nderi dhe krenaria jonë një personalitet si Lurani”.
O djali i babit, nuk po them unë, por, siç shkruajnë këto personalitete të veçanta, janë edhe shumë, shumë dëshmitarë me peshë që e ndajnë këtë mendim; se ke qenë aktor dhe njeri i veçantë. Të gjithë ata thonë: emri i Luranit të bëhet pjesë e përhershme e memories sonë kolektive. Dhe, ashtu do të jetë se ndryshe nuk bëhet, me gjithë atë punë qe ke bërë me qëllim të vetëm: ta afirmosh potencialin tonë krijues kolektiv, të dëshmosh se ne jemi dhe jemi dikush. Ta kultivosh dashurinë ndër ne. Ta deshifrosh bukurinë e shpirtit të njeriut tonë në skenë e në jetë, sepse ti e gjurmoje dhe si angazhim dije ta prezantosh më të bukurën tonë.
Ti je djali ynë. Ti je sinonim i dashurisë së vërtetë të një djali ndaj familjes, ndaj prindërve, ndaj motrës, ndaj bashkëshortes dhe ndaj yllit tonë – Arbës. Ti ke qenë dhe do të mbetesh zëri origjinal i asaj mirësie e bukurie me të cilën gjithmonë na befasoje në forma të ndryshme.
Ne, të thashë, nuk mund të të harrojmë KURRË, biri im. E si mund të të harrojmë kur Ti bukurinë absolute e kërkoje te e vërteta, jetoje për dashurinë. Ti kurrë nuk pajtoheshe me dështimet tona, ishe aktor për të cilin disa kolegë thanë se çdo gjë që dinë sot për skenën e kanë mësuar prej teje. Ti ishe aktor i preferuar i atyre që e duan teatrin, për ty kishte respekt populli.
Megjithatë gjendet ndonjë “dashamir” që na “këshillon” ndryshe: t’ia lëmë dhembjen për ty të së kaluarës. Këtë e kuptoj se pritet prej nesh të ta kthejmë shpinën. Këtë nuk e bëjmë dot sepse nga shpirti yt me bukuri të paparë dilnin shkëndija të cilat e ndriçonin oxhakun tonë që mbahej vertikalisht e ngrihej lart mbi supet tua. Ti je shenja njohëse jona, ti je dëshmitar se jemi e nesër do të jesh dëshmitar se jemi të gjithë e jetojmë në këtë gjuhë të bukur. Në këtë gjuhë që do të jetojë amshueshëm, siç kishe dëshirë të thoshe ti. Ne nuk do t’i harrojmë përqafimet tua që na kanë mbetur si një ndjenjë metafizike në formë të një shqetësimi të këndshëm. Nuk do ta harrojmë aftësinë tënde t’i flasësh të gjitha të folmet e të dialekteve shqipe, hapat e tu kur ktheheshe nga provat në teatër, shikimin e buzëqeshjen tënde, zërin tënd burrëror dhe veprën tënde të aktorit të arrirë në film e në teatër. Nuk janë këto pak shenja-urdhra që nuk na lejojnë të gjunjëzohemi. Të gjitha këto na shpijnë shtegut të ngazëllimit dhe të krenarisë sonë që duhet ta përcjellim tutje që ta dinë brezat se nuk kemi qenë kurrë një letër e pashkruar, një zë i shurdhër, një hapësirë e pa qenë, ta dijë brezi i Arbës se kemi pasur figura të mëdha, por se ato edhe shpeshherë të ndaluara do të dalin një ditë si aurora në mëngjesin e mugët, se kemi pasur e kemi figura që kanë depërtuar nëpër pamundësi dhe e kanë ngritur flamurin e gjuhës sonë të bukur dhe të dashurisë rreth së cilës duhet të lidhen në një valle të gjithë njerëzit.
Tash, kuptohet, vatra jonë ka mbetur nën peshën e rëndë të heshtjes dhe mbi shpatullat e lodhura të babit. Po babi yt kur të ka parasysh ty gjen forca t’i zgjidhë pengesat e shumta që dalin kur jeton në ambientin tonë. Nga ana tjetër është Arba që e ruan të gjallë zërin tënd, është ajo engjëllushë që na e kthen fëmijërinë tënde kur flisje me th-th-th…
Pesë muaj po bëhen që vendi yt në ballë të oxhakut që e kishe në shtëpi – ka mbetur zbrazur, është bërë një peizazh i përhimtë. Lulet në ballkon janë tharë, mani që kemi përballë nuk ka më kokrra, kurse ajo degë që lëvarej e madhe përballë nesh tash ka mbetur me gjethe të verdha nga thatësia, mirëpo fjalët që i thoshe, me atë humorin e veçantë dhe me kumbimin e papërsëritshëm fluturojnë si zogj të padukshëm nga bota e mitit të mrekullueshëm të Erosit e Psikës dhe nuk do të dalin dot asnjëherë nga kjo vatër. Aty e kemi edhe imazhin me buzëqeshjen tënde që ne do ta shohim si përmendore të madhe, sepse ti dite në mënyrë krejtësisht të veçantë të na doje ne, jo vetëm pesë anëtarët e familjes më të ngushtë, por edhe rrethin e gjerë familjar e tërë popullin, sepse ti ishe poliglot, por e mbaje më lart dhe me respekt të veçantë gjuhën e nënës. Ato i ruajmë të freskëta sepse përmes tyre mbushej dhoma me gëzim dhe ndriçoheshin planet e mëdha që të mbetën pa realizuar. Edhe forcën e vullnetit tënd e ruajmë me xhelozi sepse prej tij gufonte e shpërthente si gejzer ajo energji e cila vetëm njerëzit e veçantë i ngre kah lartësitë dhe shtigjet e dritës.
Biri im, ti krahas një banese ku jetonim të gjithë, e bëre edhe një banesë tjetër. E përtërive tërësisht dhe sa punonin mjeshtrit brenda, na the: “Nuk e kam bërë atë banesë që të ndahem prej jush, por e kam bërë që të ketë më shumë hapësirë që kërkon krijimtaria artistike”. Mendoje në atë banesë të bëje studio pune kishe plane për Edlirën të pikturojë. Madje edhe Arbës ia ke bërë një kënd ku do ta kërkonte talentin dhe ku do ta zhvillonte imagjinatën dhe ku do t’i realizonte ambiciet dhe ëndrrat e saj. Kështu e kishe planin që mbështetej në mirësinë tënde dhe në dashurinë që kishte për gjithçka që ishte e bukur dhe e mirë. Me një fjalë aty ishte noumeni i Platonit, pra ajo që mund të njihet vetëm me frymën dhe mendimin e pastër. Dhe, sa i krijove këto kushte, sa u përtëri kjo vatër e re me ngjyrat më të bukura dhe me këndet ku do të shpërthenin rrezet e artit – ti nuk arrite të hysh brenda pragut të kësaj shtëpie. Sa keq biri im.
Atë pamëni plot ngjyra, forma, ndryshime për të mirë e për të keq, nuk mund ta shohim. Nuk na lënë lotët dhe dhembja. Gjithandej edhe në këtë thatësi të madhe mbin ndonjë filiz të verdhë, çel ndonjë lule, këndon ndonjë zog. As këto i shohim, e as që i dëgjojmë. Veshët i kemi përqendruar te hapat e tu, mos ndoshta do t’i dëgjojmë kur vjen, ose çelësi i derës kur kthehesh nga premiera. Nuk arrite ta çosh Andrrushin në Durrës, siç priste ajo, nuk arrite ta regjistrosh në shkollën ku ke mësuar në shkollën fillore e ta shohësh si shkon me çantë në klasën e parë. Të gjitha këto i kujtojmë e do t’i kujtojmë dhe Arba do ta dijë se energjia jote do ta çojë përpara ashtu si kur ishe ti pranë nesh e bashkë dilnim t’i festojmë ditët familjare e nëpër vende të tjera ta gëzojmë Arbushin, ani se ky pejzash nuk është i plotë pa ty, por është tejet i varfër. Nuk e ka atë magjinë dhe gëzimin që e bëje ti. Por mbetet madhështor emri yt në dhembjen tonë, një emër sinonim i krenarisë. Dhe, le të shtoj se padrejtësisht t’u shkurtua e drejta e patjetërsueshme ta vazhdoje jetën dhe t’i realizoje të gjitha projektet artistike, por edhe neve na u grabit e drejta t’i kalojmë ditët e pleqërisë pranë teje që do të kujdeseshe më së miri për Arbën, për Lindën dhe për Edlirën.
Megjithatë jemi të vetëdijshëm se kemi pasur fat shumë të madh që të patëm e ku mund të ketë fatkeqësi më të madhe që të humbëm?! Mu në çastin kur para teje qëndronin plane shumë ambicioze artistike dhe ëndrra që të na bëje neve edhe më të lumtur, ne mbetëm me duar në gji.
Të duam Lurani ynë i mirë! Të duam SHUMË, SHUMË!
Babi, Mami, Linda, Edlira jote dhe ARBUSHI!
ObserverKult