Shkumbin Istrefi: Kreativitetin e kemi reduktuar në raport me buxhetin…

shkumbin istrefi

Shkumbin Istrefi është tashmë një nga aktorët më reprezentues kosovarë, i njohur për rolet e shumta në teatër, film, seri televizive. Aktiv në skenë që nga vitet e ’90-ta, ai ka çfarë tregon për skenën teatrore e kinematografike kosovare.

Intervistoi: Zamira Rexhepaj

Si një ndër aktorët më aktiv kosovarë, para dhe pas luftës, gjithmonë prezent në skenë me agazhime të shumëta, a do tkishit mundë tna e bëni një përmbledhje të gjendjes së artit të shtatë te ne, cila janë sfidat me të cilat është ballafaquar teatri, filmi, ndër vite?

Unë jam në skenë nga fillimi i viteve të 90-ta, dhe pavarësisht mediumit, film apo teatër, sfida më e madhe gjithmonë ka qenë sigurimi i buxhetit për të prodhuar vepra artistike. Gjithmonë kreativitetin është dashur ta reduktojmë bazuar në mjetet financiare që i kishim në dispozicion. Nuk po e them për t’u ankuar, por si një rrethanë në të cilën jemi zhvilluar si artistë.  Kjo ndoshta edhe na ka ndihmuar të jemi “kreativ” në gjetjen e zgjidhjeve artistike që nuk kanë kosto financiare.

Fillimet e juaja në aktrim i gjejmë ne Teatrin Dodona si dhe në realizime të atëhershme video-televizive. Fillimisht a do tmund të flisnim për Teatrin Dodona. Ai thjesht nuk ishte veç një Teatër, ishte qendër takimi e bashkëpunimi që njëkohësisht mbante gjallë frymën kulturore të saj kohe? Cili ishte raporti juaj me këtë institucion kulturor në atë kohë?

Po, Dodona ka qenë vendi ku jemi zhvilluar dhe rritur artistikisht. Aty jo vetëm që kemi prodhuar shfaqje, por edhe kemi ndjekur ligjëratat gjatë studimeve, pasi që pushteti i atëhershëm na largoi nga objektet e fakultetit. Teatri Dodona, jo vetëm për ne, por edhe për audiencën shqiptare të Prishtinës e më gjërë ka qenë dritarja e vetme kulturore.

Po ashtu, aktorët e atëhershëm realizonin projekte të ndryshme të cilët shpërndaheshin në formë video-kasetash? Çfarë mund të na thoni për atë përvojë?

-Në mungesë të televizioneve, aso kohe, disa producentë privatë filluan edhe të distribuojnë brenda Kosovës dhe në diasporë videoprojekte humoristike, drama televizive dhe filma televizivë sic i quanim në atë kohë. Për ne si aktorë, kjo ishte mundësi që të mbahemi financiarisht mjaft mirë në ato kohë të vështira, e poashtu edhe të fitojmë popullaritet në mbarë audiencën shqipfolëse nëe Kosovë, Maqedoni dhe diapsorë.

Ndërkohë me kalimin e viteve, përfundimin e luftës, formimin e institucioneve, ndryshuan edhe rrethanat. A u bë më e lehtë për ju si person, si gjeneratë, si brez artistësh?

Në vitet e para të pasluftës, disi e harruam Dodonën dhe të gjithë synimin e kishim që të luajmë në Teatrin Kombëtar. Aty realizuam mjaft shfaqje të rëndësishme si “Hamleti”, etj. Veprimtaria me videoprojekte vazhdoi edhe pak dhe me hapjen e televizioneve, filluam që veprat audio-vizuele t’i prodhojmë dhe shfaqim në televizionet tona. Kështu gradualisht periudha e distribuimit të videokasetave, dvd-ve me programe filloi të zbehet.

Keni realizuar me dhjetra role. Secili prej tyre supozoj që ka marrë diçka prej jush e në secilin prej tyre keni dhënë dicka nga vetja. Çfarë mund të kishit dalluar me këtë rast?

Vlerësimi im mund të jetë subjektiv, por mua më kanë ngelur si më të dashura sidomos rolet që i kam realizuar në teatrin Dodona, roli i Sladekut në shfaqjen “Audienca” të Vaclav Havel, në regjinë e Fatos Berishës, roli i Vladimirit në “Duke pritur Godonë” nga Samuel Beckett, në regji të Fadil Hysajt. Me “Duke pritur Godonë”, në vitin 1997 kemi marrë pjesë në Festivalin e Teatrit “MESS” në Sarajevë, ku jemi shpërblyer me çmimin special të jurisë etj.

Skena e teatrit, filmi, serialet televizive….çdonjëra është e vecantë për nga natyra, po ku ju mendoni se mund ta realizoni veten më së miri, ose cila nga to ju flenmë shumë?

Nuk e di, secila më jep kënaqësi dhe mendoj që mund të luaj në secilin medium. Kohëve të fundit, filmin e kam më shumë afër zemrës.

Viteve të fundit sidomos filmi kosovar po çmohet e vlerësohet në festivale te ndryshme kudo në botë. A jemi vetëdijësuar së paku nga kjo, që të bëjmë më shumë për filmin e kulturën në përgjithësi?

Sukseset e filmave kosovar në vitet e fundit, besoj që do të ndikojnë që filmi të ngritet në interes nacional dhe njëkohësisht të mbështetet më shumë nga shteti.

Jeni edhe profesor në Fakultet të Arteve. Cila është perspektiva e studentëve aty. Si i motivoni?

Në një vend të vogël dhe të varfër siç është Kosova, ku nuk ka ndonjë industri të zhvilluar artistike, është shumë e vështirë të motivohen studentët. Ky demotivim vërehet qysh në vitin e dytë të studimeve, sepse në vitin e parë studentët ende nuk e kanë të qartë situatën. Por sukseset artistike të kinematografisë sonë, besoj që do të ngrisin motivin e artistëve të rinj. Megjithatë, mendoj që njeriu duhet ta gjejë motivimin në vete dhe jo të presë që të motivohet nga të tjerët. Profesioni i aktorit është profesion individual. Një aktor duhet të punojë vazhdimisht me veten, si në aspektin fizik, ashtu edhe në zgjerimin e njohurive dhe të jetë i gatshëm në çdo moment për ndonjë ofertë të mirë.

Dhe për fund a do tkishit mundur të ndani me publikun projektin tuaj të ardhshëm, apo ndonjë plan ambicioz që mendoni ta realizoni?

-Unë sapo përfundova filmin “Vera andrron detin”, me skenar të Doruntina Bashës dhe regji të Kaltrina Krasniqit. Premierën e kishim në Festivalin e Venedikut dhe tash filmi po shfaqet me shumë sukses në të gjithë botën. Deri tash kemi fituar një sërë çmimesh, ndër to edhe çmimin si filmi më i mirë në Festivalin e Tokios, që është festivali më i madh në Azi. Në këtë film kemi punuar prej vitit 2015, dhe si duket kam nevojë për pak pushim dhe akumulim. Mirëpo, megjithatë, unë nuk jam person që mund të rri, së paku pa planifikuar. Momentalisht jam duke analizuar mundësitë për prodhimin e një seriali televiziv, por ende nuk mund të ndaj informata me publikun.

ObserverKult

_________________

Lexo edhe:

XHEJLANE TËRBUNJA: ARTISTI ËSHTË NJERIU MË ALTRUIST QË E NJOH!