Xhejlane Tërbunja: Artisti është njeriu më altruist që e njoh!

Aktrimi, moderimi, poezia, janë këto angazhimet e ndërlidhura me emrin e Xhejlane Tërbunjës. Më shumë për secilën prej tyre, na flet vet aktorja e njohur në këtë intervistë:

Intervistoi: Zamira Rexhepaj

Çfarë e ushqen shpirtin e Xhejlanes si artiste?

– Unë e ushqej shpirtin me gjithçka t’bukur!

E, për fat në mesin e tollovisë njerëzore ka shumë gjana t’bukura; muzikë, poezi, natyrë, femijë, film, teatër, pikturë, përqafime të njerëzve të mirë, dashni…etj.

Si i kujtoni fillimet tuaja si aktore?

– Fillimet e mia si aktore gjithmonë i kujtoj me katër palë sy e veshë. Gjithmonë duke u mundu me kuptu  hala ma shumë, e entuziazmume me botën në të cilën sa kisha hy. E lumtun që kisha mundësi personazhet që dikur i lexoja veç në letër, e që ndanin me mu gjithçka të jetës se tyre ne mes të kopertinave, tash unë pas mundësinë me i nxjerrë jashtë e me i vendosë në skenë. Me u falë trupin, zanin, shpirtin tem. Me fjalë të tjera, sapo e kisha kuptu që vendi ku unë përkoj ishte pikërisht skena para publikut.

Çfarë do të thotë teatri dhe filmi për Xhejlanen?

– Unë nuk mundem pa njenën ose tjetrën. Kur kalon kohë e gjatë pa filmin mërzitem dhe kur kalon kohë e gjatë pa zhurmën e publikut në teatër gjithashtu mërzitem. Mirepo gjithmonë kam pas njifarë balanci në mes të të dyjave herë më të mirë e herë pak më të mirë. Fundja ne jemi krijues e nuk do të duhej te ngjanim në fabrika, kështu që pak teatër, pak film, pak televizion, pak familje e shoqni…

A mendoni se kanë mbështetjen e duhur institucionale aktorët e rinj?

Aktorët asnjëherë nuk e kanë pasur mbështetjen institucionale të mjaftueshme. Për fatin tonë të keq politika e ka rremby çdo cep të vendit tonë përherë dhe ato çfarë kanë mbetur për artin kanë qenë disa trosha të vockla që u kanë rrëshqitur prej duarve. Por edhe përkundër kësaj, artistët janë gjendur gjithmonë dhe kanë krijuar në çfarëdo forme a kushte, gjithmonë me shpresë që ka me u bo ma mirë. T’lumet na për këtë shpresë.

Cilat janë shfaqjet ose filmat në të cilat do të dëshironit të jeni pjesë e tyre?

Më beso që ka shumë që kam deshirë me qenë pjesë. Mirëpo ajo që e dëshiron çdo aktor është sfida, ajo që t’bon me tejkalu veten, ajo qe t’bon me sjellë fuqishëm role të pavdekshme, që një ditë kur të plakesh me u kthy prapa e me i pa me krenari veprat e tua artistike që i falin publikut emocione të papërsëritshme. Ajo që ne e bëjmë në fakt nuk është për ne, është për të tjerët. Artisti është njeriu më altruist që e njoh. Kënaqësia jonë është kënaqësia e të tjerëve përmes punës tonë.

Cilat janë rolet për të cilat ndieni nostalgji?

– Unë di me qenë goxha nostalgjike!

Por rolet për të cilat ndiej nostalgji janë komike. Tash për momentin kur po i pergjigjem kësaj pyetjeje m’u kujtuan dy role, një nga teatri dhe një nga televizioni. Ju edhe mund të prisni që këto personazhe janë të shkruara nga autorë të mëdhenj botëror, por jo. Këto janë personazhe të cilat i kam kriju vet bashkë me kolegët e mi. Janë personazhe, që i gjejmë në shoqërinë tonë shumë shpesh por jo në rrethanat ku i kam vendosur unë në kohën kur i kam realizuar. Janë rolet:

Gjyshja – nga shfaqja “Gjyshja ime” në teatrin Dodona

Gruaja- nga emisioni “Vikendi” në RTK

Si mendoni, a ka sot filma shqiptarë të cilët janë të realizuar mirë?

– Po, qysh nuk ka! Zemra mal me sukseset e fundit të filmave në vendin tonë. Ne jemi popull i vogël por me shumë artistë. Shumë aktorë të mirë, regjisorë të mirë, puntorë të mëdhenj e artdashës. Filmat e vendit tonë janë t’u i ngjitë majat dhe padyshim që kemi me i arritë majat njësoj si çikat e sportit që i mbërritën të gjitha majat.

Nëse do të ndryshonit diçka nga e kaluara në karrierën tuaj si aktore, çfarë do të ishte?

– Nese kisha ndërru diçka në karrierë, po besoj veç pasaportën universale do të kisha pasur dëshirë ta kem. Që me pas mundësi me komuniku e vizitu krejt botën e me prek secilën skenë botërore.

Ju jeni duke e realizuar një emision tuajin, përkatësisht emisionin “Veç kesh”. A janë realizuar pritshmëritë tuaja dhe sa jeni e kënaqur në përgjithësi?

– Emisioni “Veç kesh” ka pasur një përqafim shumë të shpejtë prej publikut edhe shumë të ngrohtë. Ashtu qysh edhe unë e kam shpërnda atë përqafim me plot dashni e ngrohtësi. Nuk e kam pas shumë idenë që aq shpejt rritet, mirëpo qëllimi ka qenë dhe është shumë i mirë. Po besoj se kjo e ka bërë të depërtojë me lehtësi në shtëpitë e njerëzve. Unë nuk i dua dramat, skandalet e vuajtjet në televizione. Jeta mjaftushëm është e dhimbshme dhe ka dramat e saj të përditshme. Për këtë arsye mundohem njerëzve për pak kohë me iu falë pak buzëqeshje e ngrohtësi për aq sa zgjat emisioni. Mundohem me iu tregu që përkundër të gjithave, njeriu duhet të gjejë arsye të kënaqet pa e tjerrë shumë, sepse jeta është shumë e shkurt’

Ndonëse keni qenë gjithnjë pjesë e jetës publike, sa jeni përshtatur me televizionin dhe sa është sfidë të realizosh një emision si “Veç kesh”?

– Hmm… në fakt nuk është edhe aq e lehtë. Është më stresuese sepse brenda javes duhet të krijosh diçka të re e ta transmetosh. Për një aktor është pakëz e mundimshme sepse duke qenë aktorë, ne jemi të mësuar ose të trajnuar që pjesa jonë e punës është analiza e tekstit dhe loja pastaj para kamerës apo para publikut në teatër. Ndërsa në televizion tash unë jam në  rolin e të gjithëve nga pak; edhe të producentit, regjisorit, organizatorit dhe skenaristit…me fjalë të tjera është një punë për dhjetë vetë.

Kjo për arsye se jam vetë autore dhe moderatore dhe pa dashje më vjen natyrshëm të kontrolloj gjithçka. Edhe pse njerëzit që janë prapa në pozitat që sapo i përmenda e bëjnë punën e tyre në mënyrë fantastike dhe janë shumë profesionistë e kreativë pa të cilët unë isha sjellë kot andej pari. Kështu që është një grup njerëzish, shumë puntorë që qëndron prapa “Veç Kesh”.

Përveç aktrimit dhe emisionit të cilin e realizoni, ju shkruani edhe poezi. Çfarë ju motivon të shkruani?

– Unë shkruaj poezi vetëm si nevojë e një manifestimi të brendshëm që nuk e di si ta shpreh ndryshe. Me gjasë kam nevojë me shpreh shumë e prandaj qëndroj pothuajse në të gjitha fushat krijuese. Poezia më ka pelqy me e lexu, me e interpretu dhe me e shkru si duket. Më motivon gjithçka e bukur dhe e trishtë, edhe dicka në mes të të dyjave… Më motivon njeriu i të gjitha fytyrave… Deshira me jetu dhe deshira mos me jetu … të gjitha më motivojnë.

Poetët kanë pikëpamje të ndryshme për poezinë pasi lidhja e tyre me të është e ndryshme. Ç’është poezia për Xhejlanen?

– Ka raste kur unë i rilexoj poezitë e njëjta, ka raste kur hulumtoj për poezi të reja, autorë të tjerë… mund të them që pothuajse nga e gjithë bota të paktën një poezi kam arritur ta lexoj. Poezia është gjuhë shpirtërore. Është një gjuhë e veçantë që komunikon veç me ata që e kuptojnë këtë lloj gjuhe. Mbi të gjitha është ngushëllim i shpeshtë për mua.

Gjatë gjithë këtyre viteve përveç që keni shkruar, me siguri edhe keni lexuar shumë. Cili nga autorët  ju ka bërë përshtypje, të cilit ndoshta me kohën i riktheheni dhe e rilexoni?

Prej kur kam qenë fëmijë i kam jetu dy jetë. Jetën reale me njerezit që i kam prekë dhe jetën tjetër me ata fiktiv në librat që i kam lexu. Deshira ime me u fut në botë të tjera ka qenë qysh prej fëmijë, (dhe  jo rastësisht sot gjendem në botën aktoreske)  prandaj autori im nga femijëria qe kam dëshirë me iu kthy kohë pas kohe është Daniel Defo përkatësisht vepra e tij magjike “Robinson Cruso”.

Ndërsa sot kam shumë autorë që i dua e i lexoj me andje Tolstoy, Bukowski, Neruda, Möpasan, Lorka, Podrimja, Camaj, Kerouac…te këta të gjithë kthehem në mënyrë konstante.

Cilat janë planet tuaja, a mendoni të botoni një vepër tuajën me poezi?

– Po, do ta botoj librin me poezi, por nuk e di kur sepse është në proces ka dy vjet tash. Si duket shtëpia botuese ka punë ma të mençme se ta botojë librin tim.

Nëse do të përshkruanit lidhjen tuaj me aktrimin dhe poezinë, me cilën e ndieni veten tuaj më të lidhur?

– Ahhh… Aktrimi është i lidhur ngushtë me poezinë, në fakt është poezi. Veçse derisa poezia është diçka krejt e brendshme e intime, aktrimi është një poezi që flet edhe prej jashtë.

ObserverKult

_ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _

Kliko edhe:

DEL NË ANKAND REGJISTRIMI I INTERVISTËS SË PAPUBLIKUAR TË JOHN LENNON