Shkurtë Kadriu Çitaku: Fli, qenush, fli…

mes trotuarit një qen i vogel flinte rehat
si t’i them të largohet
të ikë nga hijet e rënda të njeriut t’ligë
nga këmbët që shkelin e bartin baltë në shpirt
fli qen i vogël fli,
kush e di cilat janë ëndërrat e tua tani
largohu nga thembra e ndonjë politikani,
e ndonjë shpirtligu, e ndonjë amorali, e ndonjë kokëboshi
e ndonjë të krisuri, e ndonjë të marri, largohu,
largohu nga njeriu me dy fytyra,
largohu,
ose fli,
fli, jeto të paktën me ëndrrat e tua
e nëse fati ka thënë të vdesësh tani
o Zot jo para syve të mi…
dhe kështu rehat, rri se bota është më e mirë në gjumë
aty ku s’ka fjalë, ka veç dremitje, qetësi
e qeni, po fle qeni…,
kush e di, ndoshta i druhet njeriut
ndoshta kafshës të sojit të tij
me rëndësi qenushi po fle
përballë botës mizore
nga ndërtuesi njeri
fli, qenush fli …