ja atje matanë asaj kaçube
është shtëpia, është varri i nanës
po po, matanë asaj kaçube
sa çel e mshel sytë të shfaqet atdheu,
rrugët e dikurshme prej kalldrëmi,
atje, atje, po të afrohesh
e njeh rrugën e shpirtit,
jehonën e çiftelisë,
rrëzë kaçube, dëgjohet edhe zeri i nanës,
sa e sa herë i bije kryq e tërthorë asaj rruge,
drithërohem, kur mendoj t’i afrohem,
se më shemben murët e shpirtit pastaj,
prishen imazhet me kalldrëme,
e humbet zani i nanës,
sa çel e mshel sytë mjegullohet atdheu,
për këtë, unë e kaçuba shihemi prej së largu,
për të mos humbur mallin e atdheut,
imazhin me kalldrëme,
zanin e nanës,
kështu, larg njëra tjetrës,
ëndërrojmë vendlindjen time,
pa prishur lojën e largësisë,
atdheu na sillet vërdallë,
e shtëpia ime larg … ah sa larg shtëpia ime…