Shkurtë Kadriu Çitaku: Të kam parë në ëndërr Kosovë

Poezi nga Shkurtë Kadriu Çitaku

Të kam parë në ëndërr sot Kosovë,
dikush tha,
paj, lehtë është me pa ëndrra në liri,
po unë të pashë ëndërr,
ashtu të dashur, ashtu të ndrydhur,
ashtu të afërt, ashtu të largët.
Po po të pashë ëndërr Kosovë.
Në ecjen tënde çalonin hapat.
Mbi shpatullat tua diçka nuk shkonte.
Dhe nuk e di si ta shpjegoj, por u ndjeva e vogël,
tepër e vogël, për të marrë përdore,
për të kapur qafë e krahë.
Dhe nisa një rrugë tjetër,
në mes zhgënjimit e shpreses,
Kosovë.
Ëndrrat e mia për ty janë të mëdha, ah sa të mëdha,
po ti nuk e di pse nuk ishe aty.
Prisja para Ambasadës Gjermane, Ambasadës së Zvicrës,
Ambasadës së Norvegjisë, Suedisë, Francës, Italisë e Amerikës,
ashtu siç prisnin:
Drita, Nora, Leka, Rrezja, Dukagjini e shumë e shumë të tjerë…
Më pas,
isha larg teje diku.
Po po, ama krejt larg teje fillikat,
e mbaja ëndrrën time të bardhë për ty
të verdhë për ty, të kaltër për ty,
dhe shpejt e m’u degdise Kosovë.
Dhe shpejt e m’u zvogëlove moj Kosovë.
Dhe unë s’ po di si ta them, si ta shpjegoj,
se si të pashë në ëndërr.
E bardha ime, lulekuqja ime, drita ime e rinisë.
Të kam parë në ëndërr Kosovë.
Asnjëherë nuk u tremba nga ti, as ti nga unë jo.
Po nuk e di pse hapat më jepnin larg teje,
mora hopa fëmjën tim të vogël, edhe fëmijët e vëllait tim,
dhe ikëm bashkë te vëllai tjetër n’Gjermani, diku në Evropë, a se di se ku.
S’ mu bë se s’mu bë, të rri me ty Kosovë.
Të kemi parë në ëndërr Kosovë.

ObserverKult


Lexo edhe:

SHKURTË KADRIU ÇITAKU: BAB’ E BIJ’