Shoqëria jonë vë mashkullin në qendër. E lejon të pushtojë hapësira që nuk i përkasin pa pasur në konsideratë pasojat fizike dhe emocionale që kjo mund të lërë.
Nga Rezart Cenaj
Kam disa ditë që ndjek me shumë vëmendje lajmin e përdhunimit së një minoreneje, me sa duket, të qenurit baba i një vajze bën që alerta jote të jetë më e lartë se ajo e një qytetari të zakonshëm.
▫️Kërkojmë zgjidhje të menjëhershme duke marrë masa afatgjata
Një nga pankartat që më zuri syri më shpesh në protestë ishte “eduko djalin”, dhe kësaj nuk i heq asnjë fije të drejte. Tani prindërit janë më të ndërgjegjësuar për mënyrën si edukojnë fëmijët e tyre, por do dojë të paktën 10 vite që “djemtë e edukuar” në bazë të politikës së protestave të jenë gati për të krijuar një marrëdhënie.
▫️Zonat rurale vs zonave urbane
Në zonat e vogla ku njerëzit njihen të gjithë me njëri-tjetrin duket sikur ky fenomen rëndohet akoma më tepër. Ndjesia e turpit, frikës apo humbjes së reputacionit shtohet në një ambient patriarkal dhe maskilist.
▫️Koncepti i përdhunimit
Shoqëria jonë i edukon vajzat me norma aq pak të qarta sa shpesh nuk kanë mjetet e mjaftueshme për të identifikuar një përdhunim kur e shohin. Kemi idenë se përdhunimi është një akt ku viktima është e tërësisht ndërgjegjshme dhe me anë të dhunës dhe forcës fizike sulmohet seksualisht pavarësisht rezistencës që bën.
Në fakt, shumica e përdhunimeve ndodhin në formë të pandërgjegjshme, nga njerëz që viktima mund të ketë një njohje të mëparshme.
▫️Utopia vs realiteti
Në një realitet ideal meshkujt do ishin kortezhuesit më të mirë, do u hapnin dyert e makinave vajzave dhe do mësonin histori dhe poezi për të bërë për vete zemrat.
Shoqëria jonë vë mashkullin në qendër. E lejon të pushtojë hapësira që nuk i përkasin pa pasur në konsideratë pasojat fizike dhe emocionale që kjo mund të lërë.
Që në lindje, familja “llaston” më tepër foshnjen djalë se atë vajzë me forma nga më të ndryshmet: lavdërim i organeve genitale apo “lëre, se çun është ai”.
▫️Zgjidhje konkrete
Protestat tregojnë se ka një pjesë të shoqërisë që revoltohet përpara shkeljes së hapur të të drejtave të njeriut, por fatkeqësisht nuk zgjidh gjë as për viktimën e sotme dhe as për të gjitha të tjerat në vijim.
Përforcimi i edukatës seksuale në shkolla, lehtësimi i procedurave të denoncimit dhe rritja e dënimeve për përdhunuesit mund të ishin hapa konkretë dhe të shpejtë për të reduktuar fenomenin.
▫️Krime të shumëfishta
Rasti i fundit mediatik, fatkeqësisht, nuk është vetëm përdhunim. Përveç përdhunimit është pengmarrje e një të miture, përdorim i substancave dhe abuzim në tufë.
Ndoshta këta persona nuk janë psikopatë, por thjesht meshkuj që përfitojnë nga pozita e favorit karshi një viktime të dobët.
▫️Përforcimi i edukatës seksuale në shkolla
E fundit, por jo më pak e rëndësishmja, është përforcimi i “Edukatës seksuale” në shkolla. Personat që ngatërrojnë edukatën seksuale me pornografinë është se kurrë nuk kanë bërë edukatë seksuale. Meqë në familje nuk flasim për marrëdhëniet seksuale, të paktën le të flasim në shkollë./bitchmagazine
ObserverKult
Lexo edhe: