Drejtori i Teatrit Kombëtar, Hervin Çuli, foli për pasojat e pandemisë së koronavirusit tek artistët. Në një lidhje me “Skype” për News24, Çuli tha se kanë nisur përgatitjet për nisjen e sezonit të ri, ndërsa pritet urdhri nga qeveria dhe Ministria e Kulturës për hapjen e institucioneve në ambientet e brendshme.
“Ne mbyllëm sezonin e kaluar online në fund të qershorit. Tani po përgatitemi për sezonin e ri tetor 2020-qershor 2021. Kalendari nuk ka filluar akoma, pasi presim një urdhër nga qeveria dhe Ministria e Kulturës për hapjen e institucioneve në ambientet e brendshme. Shfaqje gjatë kësaj kohe janë bërë, por jo në Teatrin Kombëtar. Teatri është në pritje të hapjes së ambienteve të brendshme”, tha Çuli.
E pyetur nga gazetarja në studio mbi humbjet e pësuara nga kjo periudhë e vështirë e koronavirusit, drejtori i Teatrit Kombëtar foli me tone të ashpra, duke thënë se në vend po zhvillohen shumë festivale dhe po jepen shumë çmime të pamerituara.
“Festivali në Korçë që pashë, publiku e ndoqi në mënyrë të jashtëzakonshme. Humbje kemi pasur edhe ne, ka një gërryerje, bjerrje, por institucionet publike këtu te ne nuk pyesin për humbje. Këtu për dreq ka shumë festivale, ka më shumë festivale se produksione, ka më shumë çmime se aktorë apo regjisorë. Nuk kanë as një shfaqje të denjë dhe bëjnë festivale. Aktualisht janë zhvilluar tre festivale paralel, në fund të muajit shtator. Pra, brenda një muaji janë zhvilluar katër festivale. Problemi është se këto nuk janë festa, por kompeticione, që herë pas herë krijojnë një realitet të gënjeshtërt. Le t’i lënë te festat dhe unë do të isha dakord. Por, kur i kthen në kompeticion me ndarje çmimesh, ku sot është e rrallë në Shqipëri të gjesh një aktor pa një çmim. Këtu bëhen “alla Oscar”. Është kthyer në qesharake, janë si çmime e Presidentit. Nuk ka ngelur njeri pa marrë çmim edhe nga Presidenti dhe bie pastaj vlera”, shtoi ai.
A e gjykoni të udhës rihapjen e teatrove?
Dëshira ime do të ishte të hapje teatri, brenda rregullave që sjell pandemia, që nga distancimi, maska, dezinfektuesi e të gjitha. Shumë teatro në Evropë kanë filluar aktivitetin e tyre me këto masa, por nuk mund të jap një gjë të prerë, pasi në fund të fundit luajmë me një gjë të rëndësishme që është jeta e njeriut. E vështirë është për të ruajtur distancën, por është e realizueshme. Ne duhet të provojmë, nëse do vijë ky moment që do të hapen teatrot nga brenda, sa e kemi masën e goditjes që kemi pësuar, pra sa i gatshëm do të jetë publiku për të ardhur në teatro. Për ne rëndësi ka që publiku të afrohej në teatro.
A keni një projekt për shfaqje jashtë teatrit?
Nuk është se nuk po mendohen. Jemi përditë në biseda, por është shumë e vështirë. Nëse ne do të fillojmë tani një shfaqje, do na duhet të shkojmë nga fundi i nëntorit te shfaqja, duhet ndriçim i madh, dekor i madh, kamionë që të lëvizin. Është e vështirë, por gjërat do të vazhdojnë.
A morët mbështetje nga qeveria për pandeminë?
Besoj se po, pasi ne përfunduam online. Diku te muaji qershor fondet e teatrit janë zhbllokuar dhe ne për momentin nuk e kemi vendosur nëse do të kemi sërish paketë online, por gjithsesi jemi më të qetë për të zhvilluar diçka me cilësi të lartë artistike.
A ka nisur përçarja mes artistëve?
Nuk di të them këtë, pasi shoh një komunitet të përbashkët, ku shqetësimi i tyre është puna. Por ndonjëherë të rinjtë duan të ecin përpara, apo të faktorizohen në kamera, dhe krijohet agresivitet. Aq më tepër në kohë të tilla si kjo e pandemisë. Por besoj se komuniteti është i shëndoshë, në momentin që i vihet puna përpara.
S’do jeni më drejtor i Teatrit Kombëtar?
Kam 6 vjet që e dëgjoj, që 6 mujorin e parë që u bëra drejtor. Nuk më bën përshtypje, sepse një ditë do të ikë nga ky post. Unë nuk jam i përjetshëm në këtë vend.