Brenda Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit ruhet e gjithë trashëgimia filmike shqiptare. Mund ta konsiderojmë veten me fat për pasurinë që kemi në këtë arkiv, por nga ana tjetër, ndryshe nga institucionet simotra në botë, ku ruhet edhe një kopje e dytë, ne të gjithë trashëgiminë e kemi në këtë institucion.
Pra, nëse këtu ndodh një e papritur e pakëndshme, vendi ynë rrezikon kujtesën filmike”. Drejtorja e Arkivit të Filmit dhe kineastja Iris Elezi e thotë përmes këtyre fjalëve rëndësinë e këtij institucioni, teksa i mëshon nevojës edhe për më shumë vëmendje, pavarësisht përparimeve që ka bërë gjatë periudhës së fundit. Kështu, pas një pune disajavore, sistemi ftohës i Arkivit, i implementuar që në vitin 1984 (prodhim suedez), pas një periudhe 16-vjeçare problematike, duket se është kthyer funksional. Për inaugurimin e këtij sistemi dhe të pajisjeve të reja që mundësojnë kontrollin e lagështisë dhe temperaturës sipas standardeve europiane, në ambientet e Arkivit u zhvillua një takim ku ishin të pranishëm ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ambasadori kinez në Tianë, Zhou Ding, dhe këshilltarët e Këshillit Shkencor të AQSHF-së.
“Pavarësisht vështirësive, e ndiejmë veten me fat, pasi përpos përkrahjes së ministres së Kulturës, vitin e fundit kemi pasur edhe mbështetjen e Ambasadës Kineze”, u shpreh Elezi, duke theksuar se 6 kontrolluesit e lagështirës të mundësuara nga kjo Ambasadë janë funksionalë prej nëntorit të kaluar.
Ndërsa ministrja e Kulturës, Elva Margariti, theksoi se “Arkivi nuk mund të jetë një magazinë filmi, por një muze, një hapësirë për fëmijët edhe një hapësirë krenarie për të gjithë”. Ambasadori kinez në Shqipëri shprehu përshtypjet e tij për Arkivin tonë të Filmit gjatë kësaj vizite të dytë. “Ndiej admirim për kulturën e thellë dhe të larmishme të filmit shqiptar, por edhe për dashurinë që ky popull ka për trashëgiminë e tij kulturore artistike. Çdo afishe dhe çdo film në këtë Arkiv tregon historinë e pasur të Shqipërisë dhe nxjerr në dukje bukurinë e saj. Pjesë e kësaj pasurie janë edhe dokumentarët që tregojnë për miqësinë e hershme kinezo-shqiptare”, tha më tej Ding.
“DUHET NJË LABORATOR RESTAURIMI. PËR NJË FILM SHPENZOJMË 5-FISH”
Elezi shprehet se Arkivi kërkon një angazhim maksimal për të evidentuar dhe ruajtur trashëgiminë filmike. “Sapo shënojmë një arritje, përqendrohemi te sfida e radhës. Ka shumë problematika me peshë që ende kërkojnë zgjidhje”, shprehet drejtorja e Arkivit. Kështu, restaurimin e filmave ajo e konsideron si një nga plagët më të mëdha të kësaj trashëgime. “Momentalisht jemi duke bashkuar forcat edhe me Bashkinë e Tiranës, për të restauruar ‘Koncert në vitin 1936’, mirëpo ne do të duhet të kemi laboratorin tonë të restaurimit, pasi me të do të shpenzonim thuajse 5 herë më pak sesa na duhet për të restauruar një film jashtë vendit”.
Përpos kësaj, Elezi dhe stafi i Arkivit mbajnë edhe peshën e gabimeve që janë bërë në të kaluarën prej mbylljes me fqinjët, padijes, por edhe mungesave teknike. “Një nga fatkeqësitë më të mëdha të laboratorëve të Kinostudios është shënuar në mesin e viteve ’70 deri në fillim të viteve ’80, pasi janë larë në banjën e gabuar të kimikateve 7 filma artistikë me vlerë, 20 dokumentarë dhe 20 filma të animuar, duke u humbur ngjyrat”.
PROMOVIMI JASHTË DHE DISA ARRITJE TË TJERA
Gjatë viteve të fundit Arkivi i Filmit po shëtit filmat vendas në festivale ndërkombëtare. Vetëm këtë vit, filmi shqiptar ka prekur Arkivin e Vjenës në janar, atë të Gjermanisë në shkurt, Kinemanë e Artit të Zyhriut në prill e Romën një javë më parë. “Përpos kësaj, së fundmi morëm përgjigje pozitive nga qeveria japoneze për një aplikim që bëmë së bashku me Ministrinë e Kulturës për blerjen e një skaneri, i cili kushton 80 mijë euro. Pra, me të dhe pajisje të tjera do të mund të skanojmë, dixhitalizojmë dhe të bëjmë të aksesueshëm filmin sipas standardeve ndërkombëtare”. Elezi tregon se ndonëse Arkivi ka 44 mijë bobina filmi, prej 2013-ës në Shqipëri filmat nuk prodhohen e as ruhen më në shirita, por përmes dixhitalizimit.
“Kemi një koleksion shumë të pasur, ku vetëm filma të huaj janë 2900”. Arkivi në 26 nëntorin që lamë pas, në mes të trishtimit dhe tronditjes së pësuar prej tërmetit, mori lajmin e mirë se Universiteti i Kalifornisë në Los Anxhelos do të financojë një projekt dyvjeçar prej 50 mijë dollarësh, për të skanuar fototekën. “Kjo sepse trashëgimia e Arkivit nuk është vetëm filmike, pasi kemi skenarët, partiturat e muzikës etj., pra një koleksion të pasur në letër. Nga Elezi mësojmë se Arkivi për herë të parë është duke bërë një inventarizim të detajuar, që ka evidentuar një pasuri edhe më të madhe nga ajo që është bërë e ditur më herët./panorama