Shqipëria… magjepsëse, për 21 arsye!

Shqipëria është një nga ato vende, që shumë turistë e harrojnë se ekziston. E shtrirë në Evropën Jugore, përtej detit nga Italia, është në jug të Kroacisë dhe në veri të Greqisë. Është vërtet, vendi më i mirë ku ju mund të shkonit ndonjëherë me pushime.

Kështu është shkruar në një artikull, në uebfaqen amerikane “Buzzfeed.com”, që numëron plot 21 arsye, përse duhet ta vizitoni Shqipërinë, para se të bëhet një nga vendet më shumë të frekuentuara.

1-Para së gjithash, është relativisht e qetë

Gjatë një vere evropiane, ndihet pothuajse e pamundur të shpëtosh nga turmat – veçanërisht në bregdet. Kroacia, Italia, ishujt grekë… kudo është plotë me njerëz. Por, jo Shqipëria! Në krahasim me fqinjët mesdhetarë, është relativisht e pashfrytëzuar nga turizmi.

2-Kjo nuk do të zgjasë për shumë kohë

Shqipëria, aktualisht është në procesin e përpjekjes për t’u anëtarësuar në BE dhe po investon gjithnjë e më shumë në turizëm. Ndaj, bëni mirë ta vizitoni më parë se të bëhet shumë në “modë” dhe e mbipopulluar.

3- Plazhet janë të magjishme

Plazhet me rërë të bardhë, në pjesën jugore të vijës bregdetare të vendit, janë një parajsë e vërtetë. Uji është i ngrohtë, i kripur, në ngjyrë blu të thellë.

4- Malet janë po kaq magjepsës

Nëse merreni me alpinizëm, do t’u duhet të shkoni në veri të Shqipërisë. Panorama e majave të larta këtu rivalizojnë Alpet, me panorama mahnitëse dhe fshatra të lezetshëm. Rruga nga Thethi në Valbonë është një nga ngjitjet më të njohura ditore, me bujtina të vogla në të cilat mund të qëndroni.

5-Ushqimi është mahnitës

Shumë nga ushqimet që do të gjeni në restorante, më së shumti kanë përbërje organike. Do të vini re shumë ngjashmëri me ushqimin grek, megjithëse ka disa pjata tipike shqiptare, që duhet t’i provoni patjetër, si qofte, salsiçe, fërgesë (vegjetariane dhe djathë), byrek dhe trileçe (një tortë me qumësht dhe karamel).

6- Mos u largoni, pa provuar ushqimet e detit

Në çdo qytet bregdetar, gjeni ushqime deti tepër të freskëta, që zakonisht kapen në mëngjes të freskëta. Një nga vaktet më të zakonshme në restorante, këtu është peshku i pjekur në skarë me perime dhe patate ose kallamar i pjekur në skarë me limon.

7- Njerëzit janë jashtëzakonisht miqësorë

Nuk ka as fjalë, për të përshkruar sesa mikpritës janë shqiptarët. Ecja nëpër dyqane, do të përfundojë në mënyrë të pashmangshme në një bisedë 10-minutëshe me shitësen e dyqanit, kamerierët dhe banakierët do të ulen me ju dhe do të flasin tërë natën. Çdo lokal dëshiron të sigurohet që udhëtarët po i kalojnë bukur ditët në vendin e tyre dhe do t’ju ndihmojnë në çdo kohë.

8- Gjithçka është shumë miqësore me… portofolin

Në krahasim me Italinë, Greqinë, madje edhe Kroacinë, Shqipëria është e lirë sa s’ka! Një vakt i tërë në një restorant të bukur është nën 10 dollarë dhe në shumicën e bareve, pijet bien rreth 1 ose 2 dollarë.

9- Ka qytete të bukura e të vjetra

Gjirokastra është një qytet i mbrojtur nga UNESCO, shtrirë rrëzë kodrash. Ju mund të endeni nëpër rrugët me kalldrëm, deri në kështjellën në majë të kodrës, që ofron pamje befasuese mbi luginat.

10-Kryeqyteti, Tirana, është një qytet modern, plot risi

Kur kaloni shumë kohë në qytetet e vogla rurale dhe bregdetare të Shqipërisë, Tirana mund të vijë si një tronditje. Një qytet me zë të lartë dhe i përhapur, me një përzierje të lezetshme ndërtesash të vjetra dhe të reja, pa dyshim që ia vlen disa ditë. Sigurohuni që të merrni teleferikun deri në malin e Dajtit, me pamje nga qyteti.

11-Gjithçka është pak aventurë

Ta quajmë kaotik sistemin e transportit publik të Shqipërisë, është një nënvlerësim. Në “autobusët” që marrin udhëtarët midis qyteteve, mos u çuditni nëse dikush përfundon i ulur në dysheme ose duhet të ulen katër pasagjerë në një vend për dy persona. Është e vështirë të gjesh oraret në internet, kështu që thjesht, duhet të paraqitesh në stacionin e autobusëve dhe të shpresosh për më të mirët. Por, të gjithë janë aq miqësorë sa nuk është kurrë një përvojë shumë stresuese.

12- Kudo ku shkoni, njerëzit do t’ju ofrojnë pije

Shumë njerëz në Ballkan, prodhojnë vetë pije alkoolike, si raki rrushi dhe as Shqipëria, nuk bën përjashtim. “Raki”, quhet një pije e fortë që vendasit e pijnë si ujë. Është zakon të keni një gotë të ofruar kudo që shkoni, nga hotelet te restorantet.

13- Shqipëria është e vendosur në mënyrë të përsosur, për kudo ku doni të udhëtoni më pas, për në Evropë

Nga Shqipëria, mund të merrni një traget për në Itali ose një autobus të shpejtë për në Greqi, Kroaci, Kosovë, apo Serbi. Nëse jeni duke planifikuar një udhëtim të gjatë në Evropë, Shqipëria duhet të jetë në atë intinerar.

14- Megjithëse ka mjaft gjëra për të parë, ju mund të kaloni tri javë këtu dhe ende nuk iu del koha për të bërë gjithçka

Shumë njerëz kanë tendencë të kalojnë nja dy ditë në Sarandë, më pas një ose dy ditë në Tiranë, përpara se të lëvizin. Bëjini një favor vetes dhe kaloni më shumë ditë, për ta eksploruar këtë vend.

15-Ka vende për të gjithë, pa marrë parasysh stilin tuaj të udhëtimit. Ju mund të festoni në qytete si Saranda…

Qyteti bregdetar i Sarandës është një Mekë për pushuesit italianë që kërkojnë një vend të lirë për të pushuar. Ka shumë bare dhe klube bregdetare që janë të hapura gjatë gjithë natës dhe plazhe të bukura për t’u çlodhur gjatë ditës .

16- Ose qetësohuni në qytetin malor të Thethit

Nëse ju pëlqen t’i merrni gjërat pak më ngadalë, vizitoni qytetet e vogla në male. Këtu do të gjeni bujtina komode, të vendosura në mënyrë të përsosur pranë shtigjeve, shëtitje dhe ujëvara.

17- Mundësitë janë të pafundme. Ju mund të notoni në ujëvarë…

Vizitoni Syrin e Kaltër, në afërsi të Sarandës ose soditni ujëvarat e akullta, afër Beratit.

18- Ose ngjituni në kështjellat e vjetra, për pamje të mahnitshme

Cilido qytet të vizitoni, do të ketë një lloj kështjelle lart në një kodër, që pret të ngjitesh për ta vizituar.

19- Bëni një nga udhëtimet më të bukura në botë, me traget…

Udhëtimi dyorësh në traget, në Liqenin e Komanit, është magjik. Mund të kaloni nëpër kanale të ngushta, të rrethuara nga kodra dhe shkëmbinj të gjelbër dhe përfundoni në një fshat të bukur, krejt të izoluar.

20- … ose kaloni kohë në burime natyrale të nxehta, në vargmalet e thella malore

Burimet e nxehta të Bënjës afër Përmetit, janë një sfidë për të shkuar, por ia vlen vërtet. Sidomos, kur jeni vetë në timon.

21- Është e mahnitshme edhe në dimër

Sigurisht, plazhet dhe moti i ngrohtë janë të shkëlqyera. Por, në malet shqiptare që zbardhen nga dëbora gjatë dimrit, ju mund të bëni ski dhe ecje ose thjesht, të uleni pranë zjarrit dhe të shijoni natyrën./konica