“Shqipëria po përpiqet për vetveten”, ishte përgjigjja e tij në majë të gjuhës të premten e 3 janarit të vitit 1919 në një nga seancat e Senatit Amerikan. Asokohe 67-vjeç, një zotëri me pamje impozante ishte bërë një nga mbrojtësit më të spikatur të shqiptarëve pranë presidentit Woodrow Wilson.
Një vizitë e beftë në “vendin e shqipeve” kishte bërë që senatori nga Massachusettsi, George Fred Williams, të përftonte një botëkuptim të ri të botës.
“Djali im, ti nuk e di se me sa pak mëshirë qeveriset bota”, ishte gjithçka që mund të nëpërdhembte duke kujtuar një fjalë të kryeministrit suedez, Usensherna.
Kishte qenë ministër fuqiplotë i Amerikës në Greqi dhe Mal të Zi, por intuitivisht po nuhaste se gjërat po ecnin ters për Shqipërinë ani pse fuqitë e mëdha i kishin dhënë garanci formale. Duke dhënë dorëheqje nga posti i tij diplomatik, Williams së shpejti u bë avokati më i zëshëm i shqiptarëve me aq pak miq, transmeton ‘koha’.
Në artikuj e fjalime thoshte se shqiptarët nuk janë të egër e të rrezikshëm, siç thuhej poshtë e përpjetë nga diplomatë të ndryshëm, porse ishin fisnikë, trima, të ndershëm e liridashës.
“Emri i vërtetë i kësaj toke është Shqipëri dhe i popullit shqiptar që domethënë toka dhe bijt e Shqipes”, shkruante në faqet e para të librit të tij “The Skypetars”, të botuar më 1915 në Boston.
Duke i bërë të tijat pikëpamjet e studiuesve të kohës si Muller e Pot, amerikani shqiptardashës e përfytyronte “vendin e shqipeve” si toka prej të cilës Homeri mori heronjtë e tij.
“Nuk janë turq sikurse shumë e mendojnë; përpara kanë qenë të gjithë të krishterë, por gjatë shekujsh pjesa më e madhe është kthyer në besimin muhamedan – shkruante Williams – dhe gjuha shqipe është aq e dallueshme nga gjuhët e tjera të Evropës sikurse është gjuha kelte dhe baske”.
“Shqiptarët, një popull me virtyte”
Sipas amerikanit që sakrifikoi postin e diplomatit për të folur lirshëm për shqiptarët, historia e Shqipërisë ishte “një shënim i gjatë shkeljesh, plaçkitjesh dhe gjakderdhjesh”.
“Ky popull është shembulli më i madh i të mbajturit të moralit dhe meritave të trashëguara, për fisnikërinë dhe për kapacitetin e tij që, megjithëse për shekuj me radhë ka qenë nën ndikimin tiranik dhe zhvleftësues, e mban prapë kryet lart, nuk i ka humbur shpresat e veta dhe gjithnjë thotë se jam Shqiptar, qoftë edhe në mes të zjarrmit. Dhe për këtë ky meriton të gradohet me një listë të gjatë virtytesh të pastërta e shembullore”, thotë Williams në të njëjtin libër, i cili u përkthye në Tiranë në vitin 1934 nga Shaban Balla.
Gjithnjë sipas Williamsit, Shqipëria, pavarësisht se vend i vogël e i prapambetur, ishte faktori kryesor i problemeve të Lindjes, “mbasi kjo është udha natyrale e kalimit prej Adriatikut në Lindje”.