Shumë shpejt do të jetë gati “Parku i Artit” në ish-Kinostudio

“Parku i Artit” në ish-Kinostudio

“Parku i Artit”, i cili po ndërtohet në hapësirat e ish-Kinostudios është drejt përfundimit.

Ministria e Kulturës e Shqipërisë bëri të ditur se “deri më tani është realizuar mbi 70% e punimeve të fazës I, për “Rivitalizimin dhe përmirësimin e hapësirës së gjelbër” dhe “Restaurimin, adaptimin e TV Ballkan dhe kinemasë”.

Projekti “Parku i Artit”, rijetëson parkun natyror dhe e kthen atë në një hapësirë arti, së shpejti do të jetë në funksion të artistëve dhe të qytetarëve, duke rikualifikuar zonën e ish-Kinostudios dhe duke e shndërruar atë në një pol të rëndësishëm kulturor dhe social.

Zhvillimi i një qendre kulturore, në një nga ndërtesat më me vlerë në qytet, e cila gjithashtu ka edhe statusin “Monument kulture”, synon të arrijë rijetësimin urban të zonës jo vetëm duke rindërtuar të gjithë kompleksin, por edhe duke krijuar një infrastrukturë, që do të inkurajojë zhvillimin e sektorit kulturor dhe krijues.

“Parku i Artit” si hapësirë e re, e cila pritet që t’i shtohet së shpejti kryeqytetit shqiptar, do të jetë e aksesueshme për artistët, operatorët kulturorë, sipërmarrësit krijues dhe për një gamë sektorësh plotësues dhe bashkëveprues të fushave, që potencialisht do të ofronin një zhvillim të qëndrueshëm të zonës.

Njëkohësisht, në kuadër të projektit janë organizuar një seri workshop-esh, si Pitch Meeting, Creative Hubs, Creative and Cluster Industries, Arts and Culture, Assembling the Strategy, me pjesëmarrjen e partnerëve të huaj, por edhe aktorëve lokalë, duke pasur si synim shkëmbimin e ideve, përvojave dhe disa prej praktikave më të mira të zbatuara.

Ministria e Kulturës duke njohur rolin që luajnë sektorët kulturorë dhe krijues në zhvillimin territorial, ka ndjekur një program gjithëpërfshirës të aktiviteteve ndërkufitare.

Krijimi i mobilitetit rajonal të arteve dhe shkëmbimet e vizitave do të përmirësojë në ndërtimin e partneriteteve dhe kontakteve; krijimin e rrjeteve; promovimin e tregjeve të reja artistike; krijimin e vendeve të reja të punës në sektorët e kulturës dhe kreativitetit; promovimin e diversitetit kulturor dhe dialogut ndërkulturor.

“Parku i Artit” mbulon mbi 16 mijë metra katrorë sipërfaqe të jashtme dhe mbi 2100 metra katrorë sipërfaqe të brendshme. Ky park do të shërbejë jo vetëm si zonë për artin, por edhe për punësimin e artistëve.

Parku i Artit, do ta kthejë hapësirën publike rreth ish-Kinostudios në shërbim të artit dhe komunitetit, duke i dhënë zonës një zhvillim të madh./ATSH

ObserverKult

Lexo edhe:

MARGARITA XHEPA: NËSE I NDALOJMË FILMAT E KINOSTUDIOS MOHOJMË HISTORINË TONË DHE ARTISTËT E MËDHENJ