Margarita Xhepa: Nëse i ndalojmë filmat e Kinostudios mohojmë historinë tonë dhe artistët e mëdhenj

Margarita Xhepa një ikonë e teatrit dhe kinemasë, me role që janë skalitur në memorien e publikut. Çdo personazh i luajtur ndër vite në teatër dhe filma me shumë dashuri, duke përcjellë më të mirën te publiku, role të paharruara nga aktorja Margarita Xhepa sot “Nderi i Kombit”.

Me regjisorin Spartak Pecani ka xhiruar kohë më parë filmin “Bolero në vilën e pleqve”, ku vjen me rolin e nënës. Skenari është shkruar nga Linda Fejzaj dhe Spartak Pecani me motive të romanit me të njëjtin titull të shkrimtarit Fatos Kongoli.

Në intervistën për gazetën “SOT” aktorja Margarita Xhepa tregoi, kohë më parë, para premierës se me këtë rol ka mallin e një nëne, që fëmijët i ka larg. Aktorja thotë se ky film i kujtoi dhe punën në kohën e Kinostudios dekada më parë.

Margarita thotë se filmat në kohën e Kinostudios kanë vlerë të jashtëzakonshme. Sot në kinematografinë shqiptare për aktoren Margarita Xhepa duhet bërë më shumë, filmat sipas saj duhet të përcjellin mesazhe dhe vëmendje duhet që nga skenari.

-Në filmin “Bolero në vilën e pleqve” me regji nga Spartak Pecani vini me rolin e nënës. E keni lozur dhe herë të tjera rolin e nënës, por me këtë film çfarë mund të na thoni?

– Në film me rolin e nënës, unë kam dëshirat e shumë nënave që kanë mall, dhimbje për fëmijët që nuk i kanë brenda familjes të tyre, janë larguar në emigracion, raporti midis brezave, të rinjtë po i harrojnë të moshuarit, nëna dhe babai të moshuar që luhen rolet nga unë dhe Robert Ndrenika vdesin në dorën e shërbyeses, që e ka gjetur djali. Ky është dhe roli im i fundit në kinema, një film, që deri tani ka marrë disa çmime…

-Si ka qenë ky bashkëpunim më i fundit me regjisorin Spartak Pecani, çfarë veçoni?

– Më nxori mallin kur xhironim filmat dikur, që kishte një disiplinë karshi punës, një respekt. Nuk vijnë më, ka qenë kohë e artë, kemi xhiruar pa bukë, këmbët në dëborë, zbathur.

-Diskutimi për filmat e para viteve ‘90 në ish-Kinostudio është rikthyer. Ju si aktore keni lozur në shumë filma dhe jeni shprehur dhe më parë që këto prodhime kinematografike kanë vlera. Çfarë mund të na thoni sot që po flitet sërish?

– Filmat që janë realizuar në Kinostudio kanë vlerë të jashtëzakonshme. Nëse e mohojmë, ne mohojmë historinë tonë, mohojmë Kinostudion dhe artistët e mëdhenj. Mohojmë çdo gjë, mohojmë realitetet tona. Një vend i vogël, por që kemi halle të mëdha. Si do ti harrojmë ne këto? A harrohet historia?

Temat që kemi trajtuar dhe luajtur në atë sistem, nuk kanë të bëjnë me ideologjizma, por me shpirtin e çdo artisti, skenaristi, regjisori, kompozitori, për të sjellë para popullit të vet art të vërtetë.

Predominonte dëshira e punës për të bërë gjëra të mira, të vlefshme por duhet të pranojmë që arti kontrolloheshe, megjithatë në atë organizim, në atë kontroll janë bërë gjëra të bukura në të 7 artet, jo vetëm në teatër e kinematografi. Filmat trajtonin tema të ndryshme.

Harrohen filma e Xhanfise Kekos? Jo nuk harrohen, pasi po i çmon dhe bota sot. Pra është dashuria e madhe për të bërë gjëra të bukura, gjëra të mira. Arti ka majat e larta, lum kush kërkon, kush gërmon bën gjëra të bukura.

Tek e jona ka qenë dëshira për të bërë gjëra të mira, të bukura, pozitive. Nuk është hera e parë që diskutohet për filmat e para ‘90, madje dikur thonin që filmat shqiptarë helmojnë popullin. Çfarë është kjo fjalë e papranueshme? Jo e vërtetë. Madje më çudit fakti, që filmat e asaj kohe i ndjekin edhe rinjtë.

– Filmi “Vitet e para” në 1966 me regjisorin Kristaq Dhamo ka qenë dhe roli juaj i parë në kinema. Si e kujtoni atë kohë punën që bëhej me filmin?

– Kristaq Dhamo një regjisor i shkëlqyer, jo vetëm që ka bërë filma të mrekullueshëm, por ai ka ndihmuar shumë të rinj në aktivitetin e tyre. Ka qenë njeriu më pozitiv, që ka pasur Kinostudio “Shqipëria e re”. Regjisor dhe njeri i mrekullueshëm. Të gjitha filmat që ka bërë regjisori Kristaq Dhamo janë me vlerë, që nga përmbajtja, që nga mesazhi dhe nga ana artistike. 

Zyraka roli juaj i parë në filmin “Vitet e para”, për të vijuar ndër vite me personazhe të ndryshme në kinema, por dhe në teatër. Sot si e shikoni aktivitetin tuaj artistik?

-E shikoj veten me një mirënjohje të madhe karshi regjisorëve, asaj disipline të mrekullueshme, asaj klime të mrekullueshme që kanë pasur atëherë artistët tanë, që nga operatorët, aktorët, regjisorët, skenaristët. Me mall të madh e kujtoj atë kohë dhe faleminderit për besimin e tyre që kanë pasur ndaj meje, ka pasur raste që kam xhiruar dhe 3 filma brenda vitit.

Sa ka qenë e vështirë kjo në ato vite?

-Ishte e vështirë, nga xhirimi i filmit shkoja në teatër. Nga teatri shkoja sërish në xhirime, sepse kishte dhe skena filmi natën por kjo punë nuk është bërë vetëm nga unë, por nga të gjithë atë kohë, të gjithë partnerët, janë të paharruar ata aktorë të mëdhenj ato vite, çfarë aktiviteti që kishte me kinemanë, ishte koha e të mëdhenjve dikur në Kinostudio.

-Pas viteve ‘90 duket se kinemaja u përball me probleme të ndryshme. Për ju çfarë është shqetësuese sot?

-E dhimbshme çfarë filmash po bëhen sot. Ka filma që se di çfarë mesazhi solli kur mbaron por kjo ka lidhje me skenarin, regjisorin, por dhe aktori që e merr rolin duhet ta dijë aktori pse hyn në këtë rol, si zhvillohet, pse e thotë atë.

Mesazhi është kryesorja, çfarë do të marr unë si publik, që e shikoj këtë film apo një shfaqje në teatër. Me 4 vargje Dritëro Agolli jepte mesazh në një poezi. Jo me një film, që duhet të japësh patjetër. Duhet pranuar që ne jemi popull i mençur, i talentuar, kanë ardhur të talentuar djem dhe vajza nga Akademia e Arteve, por duhet skenari.

Dikur kanë shkruar skenarë Vath Koreshi, Kiço Blushi, etj. Ne kemi shumë halle, kemi të veçanta nga bota për arsye të ndryshme jashtëzakonisht interesante, por nuk shkruhen skenarët. Pse? Sepse paguhet pak. Po pastaj? Po ne që i kemi bërë filmat që nuk u paguam?

E dini që në 40 filma që kam bërë dikur nuk jam paguar dhe isha vetëm me një rrogë në teatër dhe nuk jemi ndjerë. Tani thonë sa para të vij për filmin. Ne nuk na shkoi mendja asnjëherë në atë kohë, ajo rrogë modeste ishte që merrnin në teatër.

-Folët për kinemanë, por dhe në teatër keni role të mrekullueshme…

-Si aktore kam pasur fatin që të luaj në disa vepra role të mrekullueshme, kam qenë dhe e re, ka qenë dhe fati im, por dhe besimi i regjisorëve. Nga roli në rol kam shpërfaqur veten time në sajë të vullnetit, por dhe në sajë të atyre aktorëve të mëdhenj në atë klimë të mrekullueshme që kishte teatri.

Janë bërë vepra dhe shfaqje, ku spektatori ka zënë radhë që në 4 të mëngjesit për të marrë një biletë për teatrin atë kohë. Kryesore atëkohë ishte përkushtimi ndaj punës, vullneti i jashtëzakonshëm dhe dashuria karshi profesionit. Por sot duhet ta pranojmë, që është zbehur.

-Jeni shprehur se në teatër roli që keni pasur peng erdhi te shfaqja “Trojanet”. E veçanta e atij roli, që ishte një tjetër sukses?

Në teatër u vu në skenë “Trojanet”e Euripidit dhe kam pasur atë rol që kur është parë më morën në telefon disa gra dhe thanë që akoma po qajmë për atë monologun e famshëm, ku unë qaj nipin. Roli që unë e kisha peng dhe më erdhi te “Trojanet”.

 -Me xhirime filmi keni vijuar, por për teatrin a e mendoni një rikthim në skenë?

Kur më vjen një rol është një gëzim i madh, kur jam në sheshxhirimi është momenti më i bukur për mua. Në teatër më kanë ofruar role dhe faleminderit shumë regjisorëve, por kam probleme dhe nuk eci dot në ekuilibër prej këmbëve. Fatkeqësisht prej sëmundjes kam bërë dy operacione të rënda por xhirimin e filmit e përballoj.

Role brilante në aktivitetin artistik të Margarita Xhepës

“Nderi i Kombit” Margarita Xhepa një nga zonjat e mëdha të teatrit dhe filmit shqiptar, me role brilante, që prej fillimit të saj në vitet 60 dhe deri tani. Nga viti 1950 u aktivizua si artiste në Teatrin Popullor (sot Teatri Kombëtar) dhe njëkohësisht studioi në Liceun Artistik, dega e Dramës.

Ka krijuar mbi 150 role në teatër, midis të cilëve mund të përmendim: Majlindën tek filmi “Majlinda” (Xh. Broja), Dafina tek “Lumi i vdekur” (dramatizim nga K. Velça i romanit me të njëjtin titull të Jakov Xoxës), Filja tek Cuca e maleve (Loni Papa), Zonja Mëmë tek “Kush e solli Doruntinën” (dramatizim nga Edmond Budina e Pirro Mani, Nëna tek “Përballë vetes” (Ruzhdi Pulaha), etj.

Ka qenë njësoj e suksesshme në rolet e dramaturgjisë botërore, si Ofelia tek “Hamleti”, vajza e dytë tek “Mbreti Lir”, dado te “Romeo e Zhulieta”, mbretëresha Margaret te “Rikardi III”, të Shekspirit. Në rolet e tjera nga dramaturgjia botërore spikasin Klea tek “Dhelpra dhe rrushtë” (Figereido), Lena tek Xhaxha Vanja (Çehov), Ledi Milford tek “Luiza Miler” (Shiler),  zonja Lomen tek “Vdekja e një komisioneri (A. Miller), Ana Andrejevna tek “Revizori” (Gogol), etj.

Veç roleve në teatër, ka realizuar edhe mbi 40 role në kinematografi, duke punuar me shumicën e regjisorëve shqiptarë. Me Kristaq Dhamon xhiron “Vitet e para”, me Ibrahim Muçajn e Kristaq Mitron “Dimri i fundit”, “Tokë e përgjakur”, “Një djalë edhe një vajzë” dhe “Apasionata”, me Viktor Gjikën “Gjeneral gramafoni”, me Esat Musliun “Rrethi i kujtesës” dhe “Vitet e pritjes”, me Dhimitër Anagnostin “Gurët e shtëpisë sime”, me Piro Milkanin “Pranvera s’erdhi vetëm”, me Saimir Kumbaron “Koncert në vitin 1936”, etj./(sot.com.al)

————————————

LEXO EDHE: MARGARITA XHEPA: SI MË SHPËTOI ILIA TERPINI NGA VDEKJA?