Si dhe pse u arratis Arshi Pipa nga Shqipëria komuniste më 1957?

Ata që e njohin krijimtarinë dhe veprën e Arshi Pipës, shprehen se është i domosdoshëm organizimi i përvjetorit të lindjes së njërit prej shkrimtarëve dhe studiuesve më të rëndësishëm të letrave shqipe. Kujtesa për Arshi Pipën, s’do të duhej të mungonte, jo vetëm sepse ai është disidenti i viteve ’50 dhe i arratisur nga Shqipëria komuniste, por se ka një vepër ende të panjohur, e të papërkthyer deri në fund.

Një pjesë e rëndësishme e veprës së tij që është botuar në Shqipëri, u mundësua falë përpjekjeve të shkrimtarit të ndjerë Myftar Gjana, që u largua nga jeta dy muaj më parë. Ndërkohë, vepra e Arshi Pipës është shumë më e gjerë sesa ajo që është prezantuar deri më sot. Vepra dhe veprimtaria e Pipës janë shumëdimensionale. Të mos harrojmë, se ai la gjurmë si një profesor që ka ndriçuar mendjet e studentëve në universitetet amerikane.

E mbi të gjitha, Arshi Pipa është edhe pjesëtar i një familjeje të tërë disidentësh e patriotësh, përherë të përndjekur, aq sa shoqëria shqiptare dhe institucionet tona i janë në borxh, edhe për faktin që familja Pipa është nga të rrallat me dëshmorë të saj të lirisë, të kombit, dhe të së drejtës që kanë ngelur pa varre.

Arshi Pipa pas arratisjes nga Shqipëria, së bashku me të motrën Feime Pipa, në vitin 1957, jetoi si shtetas amerikan, por krijimtarinë e tij letrare, zgjodhi ta mbante të lidhur me vendin e tij të kodifikuar në gjuhë, në kohë dhe hapësirë.

Arshi Pipa u arratis nga Shqipëria, kur kishte realizuar pjesën më të rëndësishme të veprës së tij, kryesisht atë që lidhej me studimet albanologjike dhe çështjet kombëtare. Ndërkohë diktatori Hoxha nuk do t’ia falte arratisjen, duke e cilësuar profesorin e shquar të universiteteve amerikane si “kriminel lufte” apo “kreun e reaksionit dhe armik të popullit”.

Këto do të rëndonin me plot pasoja mbi familjen, siç tregon edhe nipi i tij, Plator Kalakula, në një intervistë për ‘Report Tv’.

Në këtë 100-vjetor, Plator Kalakula përcjell mesazhet e veprës së dajës së tij, duke e u shprehur se interesimi për këtë vepër është një mision që i shërben letërsisë dhe degës së studimeve albanologjike në Shqipëri.