Si lindi estetika moderne?, nga Tzvetan Todorov

tzvetan todorov

Lindja e estetikës moderne

Nga Tzvetan Todorov

Teza sipas të cilës letërsia nuk hyn në lidhje kuptimplotë me botën dhe si rrjedhim vlerësimit të saj nuk i mbetet të ketë kujdes se për çfarë na flet, nuk është as një shpikje e profesorëve të letërsisë të ditëve të sotme, as një kontribut origjinal i strukturalistëve. Kjo tezë ka një histori të gjatë dhe komplekse, paralelisht me ardhjen në pushtet të modernitetit. Për ta kuptuar më mirë dhe për të arritur që ta shohim edhe nga jashtë, do të doja të përmendja këtu shkurtimisht  etapat kryesore.

Sa për fillim, duhet thënë se për atë që quhet me të drejtë teoria klasike e poezisë, marrëdhënia me botën e jashtme është pohuar në masë të madhe.

Disa formula të të Vjetërve, që e sqarojnë këtë ide, do të mbahen  dhe do të përsëriten me veleritje, edhe pse e kemi humbur kuptimin që autorët e tyre e vendosnin aty. Kështu sipas Aristotelit, poezia është një imitim i natyrës, dhe se, sipas Horacit, detyra e saj është që të pëlqehet dhe të japë mësim. Marrëdhënia me botën gjendet pra si në anën e autorit, i cili duhet të njohë realitetet e botës për të mundur që t’i “imitojë” ato, ashtu edhe në anën e lexuesve dhe të auditorëve, që do të munden, sigurisht, të gjejnë kënaqësi aty, por prej nga edhe nxjerrin mësime të zbatueshme për pjesën tjetër të jetës së tyre.

Në Evropën e krishterë të shekuve të fillimit, poezia shërbente kryesisht në transmetimin dhe lavdërimin e një doktrine, duke paraqitur njërën nga variantet e saj më të arritshme dhe më mbresëlënëse, e që në të njëjtën kohë edhe më të pasaktën.

Në momentin kur u lirua nga kjo kujdestari e rëndë, ajo përnjëherë u bart në kriteret e vjetra. Në kohën e Rilindjes, poezisë i kërkohej të jetë e bukur, por ajo bukuri e definon  vetveten përmes të vërtetës dhe kontributit të saj në raport me të mirën.

Na kujtohet vargu i Boileau-së: “S’ka gjë më të mirë sesa e vërteta, vetëm e vërteta është e dashur. “ Këto formula merren padyshim si të pamjaftueshme, por, në vend që t’i hedhim, kënaqemi që t’i pajtojmë me rrethanat.

Kohët moderne do ta tronditin këtë pikëpamje me dy mënyra të ndryshme, që të dyja të lidhura me pikëshikimin e ri që e kemi për shekullarizimin e përparuar të përvojës fetare dhe ndaj shenjtërimit të njëkohëshëm të artit. Mënyra e parë ka të bëjë me marrjen e sërishme dhe rivlerësimin e një imazhi të vjetër: artisti-krijues, i krahasueshëm me Zotin krijues, prodhon tërësi të lildhura dhe të mbyllura në vete. Zoti i monoteizmit është një  qenie pa fund, që prodhon një univers të fundmë; duke e imituar atë, poeti afrohet me Zotin, duke prodhuar objekte të fundme (krahasimi më i shpeshtë është me Promethée-un). Apo edhe, gjeniu njerëzor, në këtë botë, e imiton Gjeniun suprem, krijuesin e botës sonë.

Ideja e imitimit është ruajtur, por vendi i saj nuk është më në mes të veprës, si prodhim i fundmë, dhe botës:

ajo tani zë vend në veprimin e të prodhuarit, andej një makrokozmos, këndej një mikrokozmos, por pa ndonjë pbligim ngjashmërie në rezultate. Ajo që kërkohet prej secilit është lidhja e krijimit të tij, e jo një përshtatje e çfarëdoshme me diçka që nuk i shkon përshtati.

Ideja e veprës si mikrokozmos paraqitet sërish që nga fillimet e Rilindjes italiane, për shembull te kardinali Nicolas de Cues, teolog, por edhe filozof po ashtu, i cili shkruante në mesin e shekullit XV se: “Njeriu është një Zot tjetër (…) si një krijues i të menduarit dhe i veprave të artit.” Leon Battista Alberti, teoricien i arteve, afirmon nga ana e tij se artisti gjenial, “duke pikturuar dhe skulpturuar qeniet e gjalla, dallohej si një Zot tjetër në mesin e të vdekshmëve”. Do të thoshim paralelisht me këtë se Zoti është i pari prej artistëve:

“Zoti është poeti suprem dhe bota është poema e tij”, pohonte Landino, neoplatonik fiorentinas. Ky imazh do të imponohej hap pas hapi në diskursin mbi artet  dhe do të shërbente   për të lavdëruar  krijuesin njerëzor.

Që nga fillimi i shekullit XVIII, ai do të orientojë gjithashtu edhe diskursin kritik, përshkrues, falë ndikimit të një filozofie të re, asaj të Leibniz-it,i cili ka futur termat e monadës dhe të botës së mundshme; poeti i sqaron këto kategori, pasi që i krijon një botë paralele botës ekzistuese fizike, një univers të pavarur, por po aq të lidhur.

Mënyra e dytë e shkëputjes nga vizioni klasik mëton të bëjë me dije se qëllimi i poezisë nuk është as të imitojë natyrën, as të edukojë apo të kënaqë, por të prodhojë bukuri.  Bukuria karakterizohet nga fakti se ajo nuk udhëheq drejt asgjëje  që është përtej saj.

Ky interpretim i idesë të së bukurës, që u imponua në shekullin XVIII, është në vete një shndërrim në laike të idesë mbi hyjninë. Pikërisht me këto terme, nga fundi i shekullit IV, Shën Augustin-i e përshrkuan dallimin në mes të ndjenjës që kemi për Zotin dhe për njerëzit: çdo send, sikurse çdo njeri, mund ta përdorim me qëllim të një mbarimi që i tejkalon; vetëm të kënaqurit me Zotin duhet të na mjaftojë së shijuari, do të thotë që ta duam vetëm për këtë. Duhet thënë se duke e marrë sërish dallimin augustinian në mes të përdorimit dhe të shijuarit në fushën profane të aktiviteteve njerëzore, teoricienët e shekullit XVIII vetëm se e kanë kthyer  në anën e kundërt gjestin e vetë Augustin-it, i cili i zhvendoste kategoritë platoniane në domenin fetar.

Është Platoni ai që e definon sovranin si duhet nga fakti se ky i fundit i mjafton vetvetes: kush është i gjallë posedon “ në  mënyrë të plotë dhe të tërësishme, mjaftueshmërinë ,më të përkryer”: në këtë mënyrë, ai “ nuk ka nevojë më për asgjë tjetër “.

Është Platoni ai që fton në soditjen pa interes të ideve, do t’i drejtohemi prapë atij, njëzet e dy shekuj më vonë për të marrë përsipër  një interpretim të tillë të së bukurës. Nuk është pra,  më krijuesi i cili, me lirinë e tij, i afrohet Zotit, por është vepra përmes përsosurisë së saj.

Rezultati i këtyre ndryshimeve: në shekullin XVII dhe XVIII, soditja estetike, gjykimi i shijes, kuptimi  i së bukurës do të konsiderohen si entitete autoktone.

Jo se njerëzit e epokave të mëparshme nuk qenë të ndieshëm ndaj bukurisë natyrore, ashtu siç ishin ndaj bukurisë  së veprave të artit; por, paraprakisht, përveç nëse vendosemi në perspektivën platoniane në të cilën e bukura përzihet me të vërtetën dhe të mirën, këto përvoja nuk janë gjë tjetër përveçse një faqe e vogël, e një aktiviteti, qëllimi i fundit i të cilit është gjetiu. Fshatari mund të admirojë formën e bukur të mjetit të tij bujqësor, por ky i fundit duhet të jetë para së gjithash i dobishëm.

Fisniku çmon zbukurimet e pallatit të tij, por ai u këkron së pari atyre që t’i japin nam pozitës së tij në syrin e mysafirëve.

Besimtari është i kënaqur me muzikën që dëgjon në kishë, përmes imazheve të Zotit dhe të shenjtorëve që sheh aty, por këto harmoni dhe këto shfaqje vihen në shërbim të fesë. Të vëresh një dmension estetik në çdo lloj veprimtarie dhe prodhimi është një tipar njerëzor universal.

Ngjarje e re, që del në shesh në Evropën e shekullit XVIII, do të jetë të izoluarit e këtij aspekti dytësor të aktiviteteve të shumëfishta dhe të ngriturit e tij në mishërimin e një qëndrimi të vetëm, soditjen e së bukurës, qëndrim aq më i tepër i mahnitshëm kur dihet se vetitë e tij ia huazon dashurisë për Zotin.

Në vazhdim të së cilës do të kërkojmë nga artistët që të prodhojnë gjëra që janë vetëm për të. Kjo perspektivë e re do të shtjellohet në shkrimet e Shaftesbury-it dhe Hutschenson-it në Angli; ajo do të ketë si përfundim edhe prodhimin e vetë termit të “estetikës” (fjalë për fjalë “shkenca e perceptimit”), më 1750, në një traktat që Alexander Baumgarten-i do t’ia kushtojë disiplinës së re.

Revolucionar, në këtë qasje, është fakti se ajo shkon drejt të braktisurit të perspektivës së krijuesit, për ta adoptuar atë të marrësit, që, si i tillë, e ka vetëm një interes: të sodisë gjëra të bukura. Ky ndryshim ka pasoja të shumëfishta .

Së pari, ai ndan çdo “art” nga veprimtaria për të cilin ai ishte vetëm një shkallë sipërore; kështu që kjo e fundit gjendet tani e hedhur në fushën, rrënjësisht të ndryshme, nga zejtaria apo nga teknika.

E parë nga perspektiva e krijimit apo e fabrikimit, artisti është veçse një zejtar i një cilësie më të mirë: që të dy e praktikojnë të njëjtin zanat me më shumë apo me më pak talent. Mirëpo, po qe se i shikojmë gjërat nga këndi i prodhimit të tyre, zejtari e kundërshton artistin, njëri krijon gjëra të nevojshme, e tjetri gjëra për t’u soditur, me të vetmin qëllim kënaqësinë estetike; njëri i bindet interesit të tij, tjetri rri fare i painteresuar; njëri i vendosur në logjikën e të futurit në përdorim , tjetri në atë të shijuarit ; dhe në fund  të kësaj njëri që mbetet thjesht njerëzor , tjetri që i afrohet hyjnores .

Pasoja e dytë: artet janë së bashku në kuadër të të njëjtës kategori, kur deri atëherë mbeteshin të lidhur, secili, me praktikën e tyre të origjinës.

Poezia, piktura dhe muzika nuk mund të jenë të bashkuara, përveç nëse vendosemi në optikën e marrjes së tyre , që ka të bëjë me të njëjtin qëndrim të painteresuar, të quajtur tanimë estetikë.

Një term si “letrat (letërsitë) e bukura” e ruan sot e kësaj dite këtë lidhshmëri me praktikën joartistike (ekzistojnë “letra” që nuk janë “të bukura”). Njësoj për “artet e bukura”: kujtimi për artet e dobishme, ose mekanike, është ende i fortë.Që nga momenti kur adaptohet perspektiva e re, mbiemri “i bukur” nuk do të jetë më i domosdoshëm, shprehja do të bëhet një pleonazëm, pasi që “arti” definohet tani në bazë të aspiratës për të bukurën. Traktatet e vjetra mbi artin ishin në veçanti doracakë fabrikimi, udhëzime të drejtuara  poetit, piktorit, muzikantit.  Këtej e tutje i përvishemi përshkrmit të procesit të perceptimit, analizojmë gjykimin e shijes, çmojmë vlerën estetike.

Të shpjeguarit e letërsive, në Francë, e sqaron këtë kalim me njëqind vjet vonesë: deri në mesin e shekullit XIX kur ky shpjegim dilte nga retorika (mësojmë si të lexojmë).

Pasojë e menjëhershme: të ndarë nga konteksti i krijimit të tyre, artet kërkojnë me ngulm gjetjen e vendeve ku do të mund të konsumoheshin. Për pikturat, do të instalojmë sallone, galeri, muze: British Museum-i i hapi dyert e tij më 1733, Ufizi dhe Vatikani më 1759, Louvre më 1791. Bashkimi në një vend të vetëm i pikturave, i bërë që nga fillimi, me qëllim të marrjes përsipër të funksioneve nga më të ndryshmet, nëpër kisha, pallate  apo vendbanime individësh, i rezervontani ato vetëm për një përdorim: atë që të jenë të soditurae të çmuara vetëm për nga vlera e tyre estetike.

Hierarkia në mes të kuptimit  dhe bukurisë është përmbylusr: ajo që ishte e dëshirueshme (cilësia  e ekzekutimit), bëhet e domosdoshme, ajo që ishte e domosdoshme (referenca teologjike apo mitologjike) do të jetë e padetyrueshme.

Në atë pikë , sa që muri i muzeut apo i galerive bëhet i tillë që transformon një çfarëdo objekti në një vepër arti: që të fillojë perceptimi estetik mjafton që ky objekt të jetë i ekspozuar aty. Lidhja automatike në mes të këtij llojji të vendit dhe kësaj forme të perceptimit është imponuar sheshit që kur Marcel Duchamp e vuri mjetin e tij të famshëm për urinim në një vend të paraparë për vepra arti: vetë fakti se është në atë vend , ai u bë i tllë, kur dihet se procesi i fabrikimit të tij nuk i ngjan në asgjë atij të një skulpture apo të një pikture.

Me një fjalë, të dy lëvizjet që e transformojnë pikëpamjen e artit në shekullin XVIII, asimilimin e krijuesit në një Zot,  që fabrikon një mikrokozmos dhe asimilimi i veprës në një objekt thjesht e soditjeje, e sqarojmë shekullarizmin hap pas hapi të botës në Evropë , duke kontribuar njëkohësisht në një shenjtërim të artit.

Në këtë çasttë historisë, arti mishëron në të njëjtën kohë lirinë e krijuesit, si dhe suverenitetin e tij, vetëmjaftueshmërinë e tij, epërsinë e tij në raport me botën.

Secila prej lëvizjeve e bën më të qëndrueshme tjetren: bukuria definohet në të njëjtën kohë si diçka që, në planin funksional, nuk ka qëllim praktik dhe si diçka që , në planin struktural, është e organizuar me përpikmërinë e një kozmosi. Mungesa e finales së jashtme kompensohet në një mënyrë nga dendësia e finaleve të brendshme, do të thotë nga lidhjet në mes të pjesëve dhe elementeve të veprës. Falë artit, individi njerëzor mund të arrijë absoluten.  

(Shkëputur nga libri ‘Letërsia në rrezik’ i autorit Tzvetan Todorov )

Përktheu: Mehdi Halimi

Përgatiti: ObserverKult


Musa Vyshka, grafikë nga Ylli Haruni

Lexo edhe:

CIKËL POETIK NGA MUSA VYSHKA: ERDH’ KOHA TË VDESIM? S’ËSHTË KEQ, NUK KEMI MË Ç’TË PRESIM!

Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poezish nga Musa Vyshka, i cili sot u nda nga jeta:

Erdh koha që të vdesim…

Mund të më thuash ti një ditë, për dreq,
“Erdh koha që të vdesim!”
Unë do të them i qetë: “S’është keq
Sikur dhe ca të presim!”

Vërtet që pema jonë në rrënjë u kalb,
Po bie dalëngadalë.
Po ne, pa rënë, zgjasim kokën prapë:
“A çelën gjethet vallë?!”

Janë gjethet tona, tonat, sigurisht,
Nga trungu ynë janë.
Mbi dashuritë e tyre përjetësisht
Pishtarin tonë mbajnë!

Nga dashuria jonë u përflak
Një dashuri e re
Dhe duam ne a s’duam, sadopak,
U bëmë Promethej

Pastaj ti mund të thuash prapë, për dreq,
“Hajde të dy të vdesim!”
E do të them i lumtur: “S’është keq!
Nuk kemi më ç’të presim!”

Nuk di: të dhimbsesha apo më doje

Në fund të arkës… një këmishë e vjetër.
Është vetë ajo e s’mund të jetë tjetër.

Ajo, praruar me mijëra ylberë.
Kurseva plot një verë për ta blerë.

E prita ditën të ma shihje ti,
Por, kur e vesha, qielli krejt u nxi.

Ti pas rrëkeve heshtur më shikojë.
Nuk di: të dhimbsesha apo më doje.

Ai shikim i heshtur s’di ç’më tha.
Rrëke e fundit mbi këmishë ra.

E shoh aty, të heshtur, krejt të kalbur,
Por mua flokët sot më janë zbardhur.

E shoh dhe s’di ç’të bëj me të tani:
Ta djeg apo ta vesh, të dal në shi

Mbrëmë me ty, sonte pa ty

Mbrëmë me ty, sonte pa ty!
Çfarë t’i them hënës që na pret të dy?

Çfarë t’i them shelgut që do ulë dy degë,
Përmbi kokat tona me gaz t’i përpjekë?

Si do rrijnë bashkë kjo natë kaq e ngratë
Me natën që shkoi, me natën e artë?

Mbrëmë me ty, sonte pa ty!
Çfarë t’i them hënës që na pret të dy?

O dashuri! O dritë e kësaj bote

Ti fundi je i pritjes që s’ka fund,
Je prehja e shqetësimit që s’qetohet,
Sapo të shoh mërzia krahët shkund
Trishtimi i trishtuar larg largohet.

Aq shumë të dashkam sa as vetë s’e di,
O dashuri! O dritë e kësaj bote!
Sa herë dal në pasqyrë, për çudi,
Veten kërkoj, më del fytyra jote!

Mos e kthe kokën pas

(Mikut tim, Fatos Arapit)

Mos e kthe kokën pas edhe në qofsh i fundit!
Do të të vijë turp nga gjurmët që mbolle pa lavdi.
Mos i jep dorën kurrë dinakut që të mundi!
Mos qaj, nëse ke dhembje ! S’të mëshiron njeri.

Mos e kthe kokën pas! Asgjë s’ke lënë pa parë!
Ato, që dot s’i bëre, janë tretur përgjithnjë.
Një dashuri të shkelur a një premtim të vrarë
Do t’i kesh pas si hije e s’i largon dot më.

Poezitë e tjera mund ti lexoni KËTU:


DIN MEHMETI: KËNDO OSE VDIS PA KLITHMË

Bëhu i blertë si unë
më tha bari një natë
këndo derisa të vallzojnë yjet
rreth diellit
si fëmijët rreth zjarrit në tokë
e pastaj dëgjo oshtimën
pa fjalë nër botë
lart do të mbesin kodrat duarthatë
e gurë breg rrugëve në mendime çarë

Këndo derisa të pëlcasish
si kripa në flakë
vajto po të duash
kosave të egra s’do të mundesh t’u ikësh kurrë
kur çmenden kohërat në furtunë…

Bari ma tregoi ëndrrën e vet:
–majet më të larta e hëngrën qiellin
e zjarrtë
e shteku i rrezeve kërkon veten në breg…
e bregu bregun pas bregut në breg….

I bukur është vetëm zogu në fluturim
që me puhin e krahëve të rreshkë

ObserverKult