Titullin e këtij shkrimi e huazova nga intervista e poetit dhe intelektualit të shquar Azem Shkrelit (1938-1997), të botuar në librin ”Zoti nuk është shqiptar”, ku, mes tjerash, flet për të ardhmen e Kosovës, pas shpëtimit nga kthetrat serbe.
Nga Fatmir Sulejmani
Ai e njihte filozofinë e politikanëve shqiptarë që postet i shfrytëzojnë për interese e privilegje meskine, jo për formimin dhe afirmimin e qenies dhe subjektit kombëtar, me gjithë limitet dhe hilet e politikës së tjetrit. Kjo e vërtetë ia bënte më të qarta historitë e trishta shqiptare, të vërtetat e hidhura se një pjesë jona ka qenë denbabaden kleçka dhe shkaktari i fatkeqësive të pësuara, me vetëdije apo pa të. Në këtë kontekst poeti përmend mungesën e prirjes për të mësuar nga pësimet, mosdijen, bredhjen para ngjarjeve, pasjen më shumë besim tek të tjerët se tek vetja, vonimet kronike nëpër kohë, teket e huqet që e bëjnë anën e zymtë të imazhit tonë, i cili, megjithatë nuk është folklorisht epik dhe i bukur siç na pëlqen ta pandehim.
Në vitet kur Kosova mbeti me dhunë nën okupimin e ri të Jugosllavisë së reduktuar, Azemi qe kundër profkave serbe, me të cilat tentohej njëfarë restaurimi i lirive dhe të drejtave të shqiptarëve. Ai ishte kundër të drejtave të “dhuruara” e të dozuara nga të tjerët dhe besonte se vetëm vetëvendosja është ajo që mund ta zgjidhë përfundimisht çështjen e Kosovës. Zgjidhjet tjera i aspiron vetëm një numër simbolik shqiptarësh, në mesin e të cilëve sigurisht ka dhe të tillë që mjaftohen me gjendjen e okupimit poshtërrues serb.
Katandisjen e gjithanshme të qenies shqiptare, poeti ia faturonte sidomos mungesës së unitetit brendashqiptar. Për këtë ai thoshte: Nuk janë të pashkak shqetësimi dhe zhurma rreth unitetit. Është ngushëllim naiv se të tjerët nuk e dinë se s’kemi mjaft unitet. Ata e dinë këtë dhe na njohin si paranë e kuqe. Prandaj dhe e shfrytëzojnë mosunitetin tonë si instrument dhe armë kundër nesh.
Natyrisht, kur fliste për unitetin, Azemi nuk e kishte për unitetin e shpallur nëpër tubime spektakulare e patetike, po për unitetin e ndërtuar në vetëdijen e njerëzve, që arrihet me shumë mundim, durim, tolerancë dhe kulturë komunikimi. Për bindjet e tij: një unitet të tillë e arrijnë ndërtuesit jo proklamatorët.
Përkundër gjithë problemeve me të cilat po përballej Kosova e paraluftës, Ai ishte i sigurt se ajo një ditë do të çlirohet nga kthetrat e kuçedrës serbe. E dinte gjithashtu se Kosovën e lirë do ta kemi të tillë çfarë do ta meritojmë, se Ajo do të jetë jona për aq sa shqiptarët do të jenë në gjendje ta ndërtojnë me mendjet dhe me duart e tyre. Kjo, thoshte ai, është ABC-ja e parë dhe më e madhe, të cilën nuk e mësuam dhe nuk po e mësojmë dot ne shqiptarët…
Çfarë profecie për situatën aktuale në të cilën kolovitet Kosova 21 vjet pas çlirimit nga çizmja fashiste serbe dhe 12 vjet pas shpalljes së Saj shtet i pavarur. Pikërisht duke e pasur parasyshë këtë papjekuri dhe mosnxënie nga pësimet e vazhdueshme, po e mbyll shkrimin ashtu si e nisa – me shqetësimin që Azem Shkrelit ia shprehu dikur një plak i urtë Kosove: Eu, po si na poqën e s’u poqëm?!/ ObserverKult