Nga Sulejman Tomcini* – Ish-ambasadori i Shqipërisë në vendet arabe: 1978, më ndihmoi Melhem Mobarak
Në atë kohë unë kisha rreth një vit që ushtroja detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në Republikën Arabe të Egjiptit dhe mbuloja si jorezident edhe disa vende të tjera arabe si Libanin, Sirinë etj.
Në vitin 1978, m’u ngarkua detyra e tërheqjes së eshtrave të patriotit të madh të Rilindjes, Vaso Pashës, vdekur në Liban në vitin 1892 dhe varrosur në “Varrezën e Pashallarëve”, në lagjen Hazimie të Bejrutit.
Ai qe emëruar guvernator i Malit të Libanit, zonë e banuar nga popullsi katolike maronite në vitin 1883, i cili, në bazë të një marrëveshjeje, të garantuar nga shtetet e mëdha të kohës, gëzonte një status special dhe, në këtë kuadër, edhe qeverisjen nga një guvernator katolik, shtetas i Turqisë.
Të nesërmen e mbërritjes në Bejrut mora kontakt me protokollin e Ministrisë së Jashtme. Kredencialet u paraqitën në sarajet e Baabadas, që thuhet se qenë ngritur nga Vaso Pasha.
Në vizitën që i bëra ministrit të Punëve të Jashtme, Fuat Butrus, i ngrita edhe problemin e tërheqjes së eshtrave të Vaso Pashës. Ai shprehu gatishmërinë e qeverisë së tij për të ndihmuar në këtë drejtim.
Në përmbushjen e këtij misioni një ndihmë të çmuar më dha miku i vendit tonë, zoti Melhem Mobarak, një qytetar libanez i apasionuar pas Shqipërisë dhe historisë së saj, me lidhje të gjëra në vendlindjen e tij dhe sidomos me Ministrinë e Jashtme të Libanit, të cilën gjatë viteve 1951-1952 e pati drejtuar i ati i tij. Me Melhemin isha njohur gjatë një vizite në ambasadën tonë në Kajro, në janar të vitit 1978.
Me këtë rast biseduam edhe për mundësinë e tërheqjes së eshtrave të Vaso Pashës. Më tha se ky problem ishte trajtuar nga ambasada shqiptare në Kajro që në vitin 1967, por, për disa ngatërresa procedurale, nuk ishte realizuar dot. Po ashtu më tha se në Ministrinë e Jashtme të Libanit, kishte konstatuar një gatishmëri të plotë për ndihmë në këtë drejtim. Në Ministri punonte edhe vëllai i tij Saimiri, që më vonë u bë ambasador i shtetit të tij në disa vende perëndimore.
Edhe Saimiri e kishte ndjekur problemin, duke krijuar opinion pozitiv në dikaster. Me një fjalë, kur unë shkova në Bejrut, në sajë të përpjekjeve të z. Melhim, problemi ishte gati i zgjidhur dhe mua më mbetej vetëm trajtimi i tij nga ana diplomatike e zyrtare.
Meqë detyra ime ishte marrja e eshtrave të Vaso Pashës, përveç kontakteve në Ministrinë e Punëve të Jashtme, zhvillova takime edhe me organet lokale të zonës, ku shtrihet varreza e Hazimies.
Më thanë se, bashkë me Vaso Pashën, ishin varrosur edhe e shoqja dhe e bija. Më propozuan t’i tërhiqnim të tre. Po kështu u mendua që varret, të cilat ishin prej betoni, të mos i prishnim: eshtrat t’i tërhiqnim nga poshtë.
Unë u propozova që në varret bosh të shkruhej që eshtrat e tyre u tërhoqën nga qeveria shqiptare në shenjë respekti e vlerësimi për shërbimin që Vaso Pasha i ka bërë çështjes së pavarësimit të Shqipërisë nga Perandoria Turke.
Këto sugjerime iu përcollën Ministrisë tonë të Jashtme, e cila i aprovoi, e kështu filloi puna. Nuk e di nëse varret bosh jenë ende në Hazimieh dhe, nëse po, a është shënuar që eshtrat e tyre u tërhoqën nga qeveria shqiptare.
Më në fund përgatitjet përfunduan, përcjellja do të bëhej me një ceremoni të përmortshme dhe si datë u la 31 maji.
Pikërisht në këtë datë, në një shesh afër Varrezave të Pashallarëve në Hazimieh u organizua ceremonia zyrtare.
Pas ceremonisë u nisëm direkt për në aeroportin e Bejrutit. Ishim urdhëruar që kthimi do bëhej nëpërmjet Stambollit. Nga Stambolli në Shqipëri kthimi do bëhej në rrugë tokësore.
Në Kapshticë kishin dalë për të na pritur shume banorë të Korçës dhe Bilishtit si dhe personalitete të ndryshme qëndrore e vendore. Arkivoli i patriotit të madh u vendos në një makinë të mbështjellë kuq e zi dhe të mbushur me kurora me lule dhe u nis për në Korçë. Me kaq detyra ime mbaroi.
Të tjerë u kujdesën për dërgimin e eshtrave në Tiranë e pastaj në Shkodër. Me datë 16 qershor në Tiranë u organizua një ceremoni madhështore për përcjelljen e tyre në Shkodër dhe po atë ditë ato mbërritën në Shkodër, ku u vendosën në shtëpinë muze të Vaso Pashës.
Më 25 qershor eshtrat u rivarrosën me nderime të mëdha në Varrezën e Dëshmorëve, përkrah patriotëve të tjerë që luftuan e punuan për Atdheun.
*Ish ambasador i Shqipërisë në Egjipt dhe vendet Arabe. Marrë nga Exlibris
JETËSHKRIM I RILINDËSIT DHE ATDHETARIT
Pashko Vasa, lindi në Shkodër më 17 shtator të vitit 1825. I ati quhej Hilë Gjokë Vasa, kurse e ëma Drande Gjegja. Të parët e fisit të tij, nga i ati, ishin shpërngulur prej Mirdite dhe ishin zhvendosur në qytet, n’atë shtëpi ku sot është shtëpia-muze e Pashko Vasës.
Pasi kreu mësimet e para në vendlindje, shërbeu si sekretar i konsullatës britanike nga 1842 deri më 1847, ku pati mundësinë të përmisoj dijet e tij në gjuhët e huaja: italisht, frëngjisht, turqisht dhe greqisht.
Pashko Vasa shkroi një varg veprash të cilat i shërbenin zgjidhjes së çështjes së shkrimit dhe mësimit të shqipes; «Alfabeti latin i zbatuar në gjuhën shqipe» («L’alphabet latin appliqué à la langue albanaise», Constantinopole 1878, «Gramatika shqipe për të u përdorur nga ata që dëshirojnë ta nxënë këtë gjuhë pa ndihmën e një mësuesi» («Grammaire albanaise à l’usage de ceux qui désirent apprendre cette langue sans l’aide d’un maître», London 1887).
Ai zuri një vend edhe në historinë e letërsisë shqiptare që po krijohej; ai është autor i vjershës së njohur «Moj Shqypni, e mjera Shqypni!» (1880), e cila u botua si fletë fluturuese.
Me dashurinë e flaktë për atdheun që dergjej nën thundrën e të huajit, me notën e dhimbjes për të, me grishjen drejtuar bashkatdhetarëve për të kapërcyer dasitë fetare dhe për t’u bashkuar në emër të çlirimit të vendit, vjersha luajti rol për zgjimin kombëtar të shqiptarëve.
E vënë në muzikë, ajo u këndua si himn patriotik. Vepër tjetër e Pashko Vasës në lëmin e letërsisë është «Bardha e Temalit» («Barda de Témal», Paris 1890), një nga romanet e para në letërsinë shqiptare.
Aty përshkruhet mjedisi shqiptar në Shkodër në vitet 40 të shek.XIX me doket dhe zakonet karakteristike. Botoi edhe një përmbledhje me vjersha italisht «Rose e spine» (1873).
Që nga viti 1883 e derisa vdiq, në qershor të vitit 1892, Pashko Vasa shërbeu si Guvernator i përgjithshëm i Libanit, ku edhe vdiq. Eshtrat tij u sollën në Atdhe në kohën e regjimit komunist të Shqipërisë.
ObserverKult
Lexo edhe:
SUETON ZHUGRI: DUKE TË PARË
Poezi nga Sueton Zhugri
Duke të parë në sy,
nganjëherë shoh yje që bien
ndonjëherë çarçaf yjesh ta mbulon shikimin
dhe herë të tjera e gjithë Udha e Qumështit
vertikalisht si në sy macesh
më thith brenda teje.
Këtu unë jam në kënd habije prej bufi.
E vështroj prenë time, ose ndoshta është ajo
që sheh nga preja e saj.
Habi bufash dhe sulmesh. Jemi në tërheqje…
Është si një lloj feste jashtë dhe brenda nesh
Iluzioni se jetojmë edhe jetën e tjetrit na kaplon
Gishtërinjtë gërshetohen pëllëmbë në pëllëmbë.
Ka tërheqje të dehura molekulash
Buzë e flatra ndërrojnë vende,
e gjitha një ajër i ndezur.
Artizane nata qëndis klithma hareje
në një qiell pëshpëritjesh.
Jemi të mbështjellë nga asgjëja dhe gjithçkaja
njëkohësisht si në një byrek shumë fletësh,
copëza mishi e shpirti piqen në furrën e dëshirës.
Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:
MIRKO GASHI: NISJA E DASHURISË
Poezi nga Mirko Gashi
Hëna lëshoi rrjetën
qyteti vazhdoi jetën
në muzgun e parë
si në zgjua
jeta vloi
të dashuruarit
bluanin
drithin e dashurisë
e zemra ime
vaj e në vaj
si zurkajë
as në këtë moshë
me dashuri
s’u josh
jetoja
pa mostra
bëja zustra
Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult