…
endem mendueshëm
duke shëtitë nëpër sytë e tu
rrugicave të mendjes
e shtigjeve të jetës
ndjej puhizën e erës
që m’i ledhaton lehtë flokët
duke m’i shpupurisë
furishëm mendimet
që gjejnë strehim
nëpër ëndërrime t’ pleksura
skutave të vjetra
e horizonteve të reja
hapat ndjekin ritmin e jetës
që nxitohen përherë
sado ngadalë ecim
nguten mendimet
ma shpejt se era
me dalë prej strofullës
e shpërndahen si molekula,
por rrotull nuk gjejnë strehim
busullën e kanë humbur
bredhin si të dehura
krejtësisht pa drejtim
un’ iki …
e ato më vijnë pas
un’ ndalem …
e ato largohen prej meje
si gjethet në fund të vjeshtës
shpalosen qetësisht, kujtimet
koha nuk i mban më në pemë
të lira shëtisin
rrugicave të zemrës
e stinëve të jetës
as zemra ma brenda si mban
era i mashtron me përkëdheljet saj
para se me ra n’ tokë
e toka me i kalbë
…
janar ’24
ObserverKult
Lexo edhe: