Silvana Kola-Loka: Psikologë, mos flisni në media për pacientin…

Silvana Kola-Loka

Nga Silvana Kola- Loka

Histori si e ‘të resë nga Librazhdi’ nxjerrin zbuluar profesionalizmin e munguar të psikologëve në media dhe shfaqje të tjera publike…

Nuk do të shkruaj asnjë fjalë (sepse kështu gjykoj se është e duhura) për të renë nga Librazhdi, përveçse t’i kërkoj ndjesë në emër të trajtimit joprofesional dhe joetik nga kolegë të mitë psikologë!

Veçse, në emër të profesionit që e dua aq shumë, mendoj se publiku meriton dy fjalë për të kuptuar se raste si ky, janë prova e zjarrit për dimensionin publik të psikologut.

Miq! Shumë shkurt, dua t’ju them se psikologu, kudo të jetë duke u prezantuar si psikolog (privatisht apo publikisht) ka detyrimin të mbrojë, sipas kësaj rradhe, interesin më të lartë të: pacientit, publikut, staturës së profesionit të psikologut dhe, në fund fare, të vetes.

Të dashur kolegë psikologë që dilni në media në situata kur individi thërret për ndihmë dhe publiku gjendet nën ethet e histerisë kolektive!

Si fillim po dua fort ta marr të mirëqenë se çdo psikolog e ka të qartë se konfidencialiteti është parim bazë dhe thembra e Akilit të profesionit tonë! Ju kërkoj gjithashtu ndjesë për tonet përgjithësuese, por ky postim nuk synon të jetë fletërrufe më shumë sesa një piskamë dhimbjeje! Ky postim është thjesht pika fundore e indinjatës personale ndërsa shikoj disa TV dhe media ku psikologu bëhet pjesë e linçimit të NJERIUT dhe PROFESIONIT të PSIKOLOGUT!
(Ndjesë për cilindo koleg ndaj të cilit po bëj padrejtësi me tonet përgjithësuese të këtij postimi!)

Të dashur kolegë psikologë! Dashamirësisht ju ftoj të reflektoni se asnjë zonjë, fëmijë apo burrë për të cilin ftoheni të flisni në media nuk është pacienti juaj dhe ju nuk jeni psikologu i tij! Në media nuk trajtohet KURRË individi! Në media trajtohet fenomeni, dhe ai me shumë kujdes, duke mos rënë në kurthin e gjykimit, paragjykimit dhe dënimeve publike!

Një psikolog i ftuar në media ka përgjegjësinë absolute të kuptojë se në një studio televizive, në një moment të dhënë, ka përgjegjësinë të përfaqësojë denjësisht dhe me profesionalizëm çdo psikolog të Republikës së Shqipërisë, të gjithë psikologët e Republikës së Shqipërisë!

Nëse prezantohemi si psikologë, ne flasim me gojën tonë, por fjala që themi i përket profesionit, jo neve personalisht!

Media do të vazhdojë të përtypë dhe të gëlltisë lajme që e bluajnë njeriun me gjithë kockat dhe dinjitetin e tij, fatkeqsisht!
Publiku nuk e ka ditur kurrë pikën ku kurioziteti dhe histeria kolektive duhet të ndalet përballë trajtimit me dinjitet të njeriut, fatkeqsisht!

Ne, psikologët, nuk jemi as media, as publiku! Ne, në çdo dalje tonën publike, jemi ajo pika ku media dhe publiku kanë një mundësi për të bërë diferencën! Çdo dalje publike duhet vlerësuar si e tillë! Në të kundërt, ne jemi, në një rast, media që bluan dinjitetin e njeriut dhe, shumë më shpesh sesa mund ta imagjinojmë, vetë njeriu të cilit i bluhet njerëzorja!

Jo të gjithë do të vijnë te psikologu për ta kuptuar kontributin e pakrahasueshëm të punës tonë, por ne psikologët, në çdo dalje publike, mund të jemi hera e vetme kur dikush i gjen përgjigje pyetjes që i bën vetes: “A mund të më ndihmojë realisht një psikolog?”

ObserverKult

Lexo edhe:

SILVANA KOLA-LOKA: KËTO JANË KOHË TË VËSHTIRA PËR DASHURINË!