Simon Rrota, piktori që la gjurmë në artin shqiptar

Simon Rrota u lind në vitin 1887 në Shkodër. Shkodrës i kushtoi një hapësirë e rëndësi qendrore në veprën e tij. Mësimet e para i mori në filloren e françeskanëve dhe më pas iu drejtua shkollës italiane të artizanatit. Ai frekuentoi ndërkohë edhe rrethin e pikturës së Kolë Idromenos.

Studimet e larta i kreu në Akademinë e Arteve të Bukura në Milano. Aty u njoh dhe u ndikua nga teknikat e Rafaello-s dhe Caravaggio-s.

Pas kthimit në Shqipëri, do të punonte fillimisht si fotograf në Lushnjë, për t’u profilizuar gjatë gjithë trajektores së tij profesionale deri në daljen në pension, si mësues në gjimnazin shtetëror të vendlindjes së tij.

I pandashëm nga piktura, do të merrte pjesë në disa ekspozita në rang vendi, si dhe në disa aktivitete të kësaj natyre në nivel ndërkombëtar, ku u pohua autenticiteti i krijimtarisë së tij.

Tipikisht, si një artist i periudhës së Rilindjes, vepra e tij karakterizohet nga ndjenjat patriotike. Pas çlirimit nga zgjedha turke, artisti do të mishëronte heroin kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeun, në përleshje me pushtuesit në tablonë “Beteja e Skënderbeut” (1916), si edhe në kompozimin e njohur “Skënderbeu në shtratin e vdekjes”.

Në koherencë me këtë shtrat ideor, Rrota lëvroi edhe në zhanrin e peizazhit dhe të portretit, duke trajtuar tema etnografike përmes paraqitjes ndër të tjera të shtëpive të moçme, të malësorëve dhe të kostumeve kombëtare.

Mes pikturave të tij, veçohen për popullaritet më të madh punimet “Te Pusi i fshatit” (1934) dhe “Portë në Shkodër” (1936). “Piktor i Merituar” (1961) dhe “Piktor i Popullit” (1999) ishin titujt postumë me të cilët u nderua Rrota.

Vdiq në vitin 1961.

ObserverKult

_______________________

Lexo edhe:

SIMON RROTA, PIKTORI QË I JETOI TË GJITHA KOHËT, NGA MONARKIA TE “NJERIU I RI”

Nga Ruben Shima

Historia e artit në Shqipëri zakonisht paraqitet pa paraardhës dhe ndoshta pa pasardhës. E tashmja e ka të pamundur të eksplorojë apo nënvizojë çështjet e së shkuarës, kërkimi në historinë e artit nuk…

Shkrimin e plotë e gjeni KËTU.

ObserverKult