Dhe Krishti doli nga ikona,
Për të takuar (nuk di se kë!?)
Korniza rridhte gjak akoma,
Ai kërkonte veç dikë!
Mund të ish një Magdalenë,
Me ata sy, me atë zë!
Të gjithë u futën nëpër ëndrra,
Ai kërkonte veç atë!
Po Magdalena ishte zhdukur,
Nuk di se si, nuk di me kë!
Bota kish plot sy më të bukur,
Po ai e deshte veç atë!
Kur nuk e gjeti dot, u kthye,
Pa bërë fjalë, pa bërë zë!
Po në ikonë vend kish zënë,
Ajo që ishte vetëm një!
Dhe ajo vetë u kryqëzua,
Dhe kjo tregon një tjetër gjë!
Se Magdalena ish dhe grua,
Dhe shumë Krisht, megjithatë!
*Titulli i origjinalit: “Ikona e dashurisë”
ObserverKult
Lexo edhe:
SKËNDER RUSI: E DASHUR NËNË… TANI QË S’TË KAM…
Poezi nga Skënder Rusi
Zoti të solli ty në këtë botë,
Që ti të më sjellësh mua!
Çdo mëngjes që lind është i errët,
Pa u prekur nga duart e tua!
Të janë shtrembëruar gishtat,
Aq sa nuk i fut dot në unazë,
Ti ke pasur duart më të bukura,
Kur ke qenë vajzë!
E dashur nënë!
Tani që s’të kam,
Më duhesh më shumë,
Lermë dy fjalë të të them,
Ato s’janë fjalë, ato janë unë,
Dhe unë nuk di se ç’më dhemb!
Se nuk kam erdhur ka kohë tek ti,
S’të kam sjellë lule,
S’të kam ndezur qirinj,
O Zot më trembin këta mermerë,
Nga sipër të bardhë,
Nga brenda të zinj!
E shtrenjta nënë,
Unë jam bërë një djalë i keq,
Mund të të thyhem në dorë si qelq!
“Titulli i origjinalit: “O zot më trembin këta mermerë”