Kur të shohësh se nuk do të ketë më asnjë bli,
Përgjatë rrugës me hënë të fikur,
Kur të shohësh se nuk do të ketë më asnjë gur,
Nëpër kalldrëmet ku dikur jemi rritur,
Kur të shohësh se nuk do të ketë më asnjë oborr,
Me fëmijë që sapo kanë lindur,
Kur të shohësh se nuk do ketë më asnjë kitarë,
Që të shpërndajë nëpër sokaqe tinguj,
Kur të shohësh që nuk do të ketë më asnjë dritare,
Që të rrijë e hapur duke pritur,
Kur të shohësh se nuk do ketë më asnjë puthje të re
nga të gjitha puthjet që janë shpikur,
Dije, që, atëherë,
Unë do të kem ikur!