Skënder Rusi: Gjithnjë këtij çasti ia pata frikën…

Gjithnjë i druhesha, ia kam pasur frikën,
Këtij çasti kur mes nesh do të vinte puthja!
Kolombi rrezikoi, por gjeti Amerikën,
Ndërsa mua anija më mbeti nëpër ujëra!

Më ndodhi ajo që i trembesha prej kohësh,
Ti zgjodhe faqet për të më puthur,
Po unë s’u lidha me ty për të të pasur motër,
As jam yt vëlla, që të kishte humbur!

Për të ardhur tek ti braktisa Jupiterin,
Ku kisha rreth vetes një mijë e një vajza,
Por asnjëra prej tyre nuk më desh si ti,
Asnjëra, buzët, nuk m’i vuri te faqja!

A s’shkojmë edhe një herë brenda njohjes sonë,
Nën blirët që i quanim mediokër!
Se ndoshta mund të mos jetë edhe aq vonë,
Për ta kuptuar që s’je ime motër!