Skënder Rusi: Se si po më ikën jeta! Se si!

Se si po më ikën jeta! Se si!
Pa më pyetur fare,
Sikur të mos jetë imja!
Kam çaste kur edhe vetë nuk e di,
Nëse duhej ose jo, të lindja!

Se si po më ikin ditët! Se si!
Rrokullisen, rrokullisen, si toptha të vegjël!
Unë vrapoj pas tyre, kërkoj t’i arrij,
T’i ndaloj, t’i pyes, ç’do të bëhem nesër!?

Se si po më ikin ëndrrat! Se si!
Edhe në gjumë më kanë hyrë,
Edhe m’i kanë vrarë!
Ato që kanë shpëtuar kanë marrë arratinë,
Duke më lënë mua një të vdekur-të gjallë!

Se si po më ikin dashuritë! Se si!
Një sot. Një nesër. Një tjetër pas një jave!
Marr kokën mes grushtash,
I bie me zemërim,
Sikur të ketë bërë mijra faje!

Se si po më ikin dëshirat! Se si!
Si ata zogjtë shtegëtarë që dimrit i tremben!
Po ç’them edhe unë,
Do të ishte një mrekulli,
Të ishin zogj shtegëtarë që ikin e kthehen!

ObserverKult