Skënder Rusi: Simfonia e takave

takave

Simfonia e takave, poezi nga Skënder Rusi

Ai ishte një regjistrues i marrë,
S’kishte zemër në gjoks, kishte disqe!
Jetonte brenda në një kitarë,
Atje e desh dhe varrin kur të vdiste!

Ia dha vetë atë formë sobalkës së tij,
Se atje do flinte me Bet’hovenin e madh!
Se atje do ish dhe zoti Paganin,
Edhe zoti Shubert, edhe zoti Moxart!

Kush tha se këta ishin të vdekur!?
Ai fliste me ta, qeshte, pëshpëriste!
Brenda kitarës së tij vetëm e shoqja,
E urdhëruar ishte të mos fliste!

Ai bëhej xhind kur ajo lante pjatat,
Kur kërcitja e tyre i futej nëpër disqe!
Ai i ulërinte kur ia dëgjonte takat,
Pale kur padashur, ndonjëherë, teshtinte!

Por erdhi një ditë dhe ajo iku në qiell,
Kitara krisi, muret e saj u çanë.
Telat e saj ranë mbi Bet’hovenin,
Mbi Moxart e Shubert, mbi të gjithë ranë.

Tani ai vë veshin, jo për të dëgjuar tinguj,
Po për t’u çmallur me zhurmën e pjatave!
Bet’hoveni? E ç’është Bet’hoveni,
Para simfonisë së ëmbël të takave!?

ObserverKult

Lexo edhe:

SKËNDER RUSI: KUR QAN NJË BURRË

Ti nuk e di që burri yt ka qarë,
fshehur prej teje dhe prej botës,
mes grushtash kokën e ka marrë
ky fëmijë që i ngjante foshnjës!

Dhe shkak je ti, je vetëm ti,
Se zemra veç për ty i rreh,
Kudo që shkon e di ai
Atë e dimë edhe ne!

Ti nuk e di që burri yt ka qarë,
Fshehur prej teje dhe prej botës,
Dhe shkak je ti, e vetmja ti,
Nën këtë qiell rënduar lotësh!

Ai jeton me ty dhe vetminë,
Me ty edhe pa ty ai ka fjetur,
E do dhe ai pak dashuri ta ketë,
Se s’është i gjallë, por as edhe i vdekur!

ObserverKult


Lexo edhe:

SKËNDER RUSI: UNË S’TË PËRQAFOJ DOT SI MË PARË…