Skënder Temali: Poet qytetar

Kurrë nuk këndova maje plehu si gjel,
E dija se kish të tjerë që këndonin më mirë se unë,
Natyrisht, nuk qeshë rebel
Dhe si zgalem nuk çaja në furtunë.

S’qëndrova në bisht asnjëherë,
Por as në mes,
Mesin e urreja,
Mposhta dimra jete, luftova për pranverë
Duke çarë mes reve ashtu si çan rrufeja!

Natyrisht dhe shumë plagë mora,
Më rodhi gjak e s’u gjunjëzova
Si mund t’më gjunjëzonin ca hora
Që hosona s’u bëra e vrik u çova.

Kuptohet, s’jam hero legjendar,
E ngrita zërin kur të tjerët bënin memecin,
Thjesht se jam poet qytetar
Dhe poetët qytetarë e di, në këmbë vdesin!