“Skëterrë ’43”: Filmi që ishte në “listën e asgjësimit”- ja pse

Revoltë në një kamp përqendrimi fashist në vitin 1943 kundër metodave barbare e terrorit. Të burgosurit kryengritës si: profesori piktori Hekurani, Ariani, Mira, Shpresa organizohen dhe mbajnë lidhje të vazhdueshme me rezistencën jashtë kampit- me rezistencë të fortë ata arrijnë të shkatërrojnë skëterrën fa shiste.

Ky është sinopsi i shkurtër i një filmi të shfaqur pak. Aludohet se duke përdorur si ‘pretekst’ fashizmin, artistët kanë goditur metodat komuniste. Me regji të Rikard Ljarjes e skenar të Bashkim Shehut, muzikë të Zef Çobës ai u realizua nga Kinostudio “Shqipëria e Re” me 1980. Zgjaste 92 minuta.

Vetëm dy vite më vonë ai ishte në listën e filmave që do asgjësoheshin. Mehmet Shehu ishte vetëvrarë, të tjera familje ishin shpallur armike e mes tyre edhe Bashkim Shehu- djali i ish-kryeministrit. Një dokument i dëshmon fare mirë fushatën e spastrimeve ideologjike në botime, art, muzikë, kinematografi, etj.

Në listë është edhe filmi “Skëterrë 43” dhe poshtë tij është shënuar arsyeja: skenarist është djali i armikut të popullit. Bashkim Shehu, sot shkrimtar dhe përkthyes aktiv me banim në Barcelonë ndërsa dokumenti është i shtatorit 1982, pra disa muaj pas vdekjes së të atit.

RISHFAQJA

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit pati shfaqur kohë më parë filmin emocionues ‘SKËTERRË ’43’ (1980), në Kinema Agimi, në 35mm. Prapaskenat e këtij filmi, janë po aq dramatike sa dhe ngjarjet në film që bazohen në Luftën e Dytë Botërore.

Në 1980, aktori dhe regjisori Rikard Ljarja i kërkoi Bashkim Shehut, djalit të kryeministrit Mehmet Shehu, të shkruante skenarin e ‘SKËTERRË ’43’ ndërsa teknikët e Kinostudios ndërtuan në shkallë reale një burg italian buzë detit. ‘SKËTERRË ’43’ i ofroi role të paharrueshme aktorëve të rëndësishëm si R. Ljarja, Xhevdet Ferri, Birçe Hasko, Agim Qirjaqi, Violeta Deda dhe Mario Ashiku.

Dukej sikur asgjë s’do e prekte punën e arrirë të stafit, kamerën e guximshme të drejtorit të fotografisë Saim Kokona dhe muzikën goditëse të kompozitorit Zef Coba. Por, në 1981 Mehmet Shehu vdiq në rrethana misterioze. Pasi u shfaq shumë rrallë, filmi u ndalua dhe hyri në listën e filmave të ndaluar… Disa e shohin filmin ‘SKËTERRË ’43’ si reflektim delikat dhe të rrezikshëm mbi jetën në Shqipërinë komuniste.

SKËTERRË 43

P: Kinostudio “Shqipëria e re”, Tirane, 1980.
S: Bashkim Shehu; R: Rikard Ljarja – AM –; O: Saim Kokona; Pi: Naimk Prizreni – PM –; M: Zef Coba; Re: Vath Koreshi; N: Hysen Milla; D: Hanxhi Dersha; Di: Ferdinand Deda – AM –.

A: Agim Qiriaqi (profesori); Birce Hasko (Syrjai); Piro Qiqi (piktori); Dini Hila (Hekuarni); Xhevdet Ferri (Ariani); Violeta Dede (Shpresa); Arjana Dosti (Mira); Sheri Mita (Espozito); Mario Ashiku (Pariani); Ferdinand Radi (kapiteni); Jorgaq Tushe (mjeku); Ndrek Shkejzi (zoti Kico); Leka Slefa (De Magistris) etj.

Në xhirimin e filmit ndihmuan repartet ushtarake të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore.

DSH: 23 mars 1981, Tiranë.

Mbas kësaj date filmi u hoq menjëherë nga qarkullimi për arsye se autori i skenarit Bashkim Shehu, djali i kryeministrit të vrarë Mehmet Shehu, u dënua dhe u internua. Një revoltë në një sketerrë fashiste, një kamp përqendrimi në vitin 1943.

Të burgosurit, organizojnë rezistencë kundër metodave barbare, krimit e terrorit që përdorin fashist për të thyer vullnetin, për shkombëtarizimin e shqiptarëve dhe uljen e dinjitetit të tyre njerëzor.

Detyrat kryesore të të revoltuarve janë mbajtja e pandërprerë e lidhjeve me gjendjen jashtë telave të kampit të përqendrimit, mbajtja lart e moralit të të burgoserve, forcimi i solidaritetit dhe kompaktësitë midis tyre, demaskimi i tradhtarëve dhe veglave të pushtuesve dhe mbi të gjitha, forcimi i besimit në fitoren e afërme.

Para vendosmërisë, moralit të lartë dhe qëndrueshmërisë të të burgosurve, dështojnë planet e komandantit të kampit. Kjo revoltë bën që të shkatërrohet kjo sketerrë fashiste./Fatmira Nikolli- aktoretshqiptare.info

ObserverKult

LEXO EDHE:

Filmi “Dueli i heshtur”- ana e errët e sheshxhirimit: “Rri urtë, se do hash plumbin kokës”

ObserverKult