Andej nga vij unë, vrisnin ëndrra,
Dhe lot s’derdhte njeri për to atje.
I varrosnin në hithra e shpendra,
Pa një gur të bardhë, një grusht dhé.
Andej ishte luftë e çuditshme.
Dhe dukej, s’kish’ viktima e frikë.
Po armët ngriheshin pas çdo prite:
“Ndal! Dorëzo këtu ëndrrën, pastaj ik!”
Ëndrrat merrnin shenjë, si ushtarë.
(Nuk vrisnin njerëz në atë luftë).
Njerëzit mbetur skelete të tharë,
Çapiteshin në një teatër absurd.
…
Ndodh që për njerëzit nuk lotoj shpesh,
Por për një ëndërr më pikon zemra.
Dhe si i zënë në faj, për to hesht.
Andej nga vij unë, vrisnin ëndrra…