Kam frikë nga bukuria jote,
Dhe thur plane, të fshehur të të mbaj.
Unë jam pjesë e kësaj bote,
Dhe ca urdhra i marrë prej saj.
Të dy krahët i hap si bedena,
Jo se dua të të puth nurin tënd.
Por kur rreth teje fryjnë erëra,
Bukuria jote mua më tremb.
Nuk është fjala për plagë, a gjak,
A nëse të dridhet ty qerpiku.
Por dua të grimoj, pak nga pak,
Si personazh të kohës që iku.
Dhe prapë sfilitem e mendoj më kot,
Nga drithërima për ty i strukur.
Veten edhe botën, se ndryshoj dot,
Po ti, të mos ishe kaq e bukur!
Fytyrën ta ledhatoj me gishta,
(Pse je kaq e bukur, më thuaj, pse!?)
E djallëzisht njolla të pista,
Nga dy duart e mia lë atje.
Kam frikë nga bukuria jote.
Dhe dua nën njolla, fshehur të mbaj.
Unë jam pjesë e kësaj bote,
Edhe ato janë pjesë e saj.
Por dhe ashtu më tremb bukuria,
Më trembin ata që kalojnë pranë,
Që të pëshpëritin për njollat e mia:
“Ç’nur i jep në faqe, ai nishan!“
ObserverKult
Lexo edhe
SOKRAT HABILAJ: TI S’BËHESH KURRË “ISH”…
Nëse s’do të kem më, ti s’bëhesh “ish”,
E mua “ish” s’do më duket kurrë vetja.
Kur një shpirt i vetëm ndahet në dysh,
Me ndarjen, varroset edhe e djeshmja.
Unë si gjethe vjeshte s’dihet ku do iki,
Ti kush e di ku do tundesh si erashkë.
Ai që s’e kupton se ndahet dhe shpirti,
Do pëshpëritë: -Të paktën janë bashkë…
Poezinë e plotë e gjeni KËTU