Dikur me ty kam dashur një pakt,
Mallit të mos i shkoja deri në skaj.
Thosha, malli për një grua në fakt,
Duhet të iki, dhe të kthehet pastaj.
Se ndoshta kur nuk ka dhe ndarje,
Malli për gruan kthehet si një rit.
E flokët që flenë netëve nën faqe,
Ngjajnë me mëndafshet pa shpirt.
Se ndoshta dhe të pëlqen një çast,
Ku kristalet rrëzohen me dënesë.
Ca lot i bëjnë më të bukura gratë,
Duke t’u përgjëruar: – Do të pres!
Se ndoshta, ia vlen vërtet ndarja,
Se dhe të kursen nga ca gjëra koti.
Të ruan nga grindjet, po dhe falja,
A imazhi i vjetër: – Bashkëshorti!
Dikur mendoja ndarje, ndarje trill,
Që mund të të shikoja më ndryshe.
Vetëm në distancë dallohet një yll,
Ndërsa hap krahët, të kthej si ishe!