Sokrat Habilaj: Dikur më shumë mund të të doja…

Të kam dashur gjithmonë, prej çastit të parë kur fshive cepin e syrit me një gisht drite, kur pashë, fytyrën time që rridhte në një lot ngjyrë shiu drejt gjirit tënd të bardhë përmbi lulen e buzëve të hapura...

Poezi nga Sokrat Habilaj

Dikur më shumë mund të doja,
Po në dashuri nuk jam ngutur.
Prisja një tjetër kohë ndoshta,
Që të bëheshe dhe më e bukur.

Mund të doja sa të derdhja lot,
Kur hëna braktisi shtratin e saj.
Veshur nuse u shfaqe në portë,
Prapë thash mungon një detaj.

Mund të doja dhe pa kufi malli,
Kur si llavë më the: – Do të vdes!
Po pa pritur që të shuhej zjarri,
Nga dufi im e fshihja një pjesë.

Dikur mund të të thosha:-Ja tani,
Tej këtij malli mbaron gjithçka,
Kur më ribëre dy herë si perëndi,
Prapë unë thash : – Të pres dhe ca!

Ndoshta prita thinjat kaq gjatë,
Se ajo dashuri që e lash pezull.
S’ishte grua që zhvishet në çast,
Po ankth që zgjatë sa një shekull.

ObserverKult

————–

Lexo edhe:

SOKRAT HABILAJ: ËSHTË BËRË KAQ E TRISHTË TË JETOSH

Është bërë kaq e trishtë të jetosh,
Po edhe të vdesësh s’zgjidh asgjë.
Sa ikën, pyesin:-La ndonjë borxh,
A luftërat që nisi, u shuan me të!?

Borxhe nga unë mos prisni më pas,
Se cent në cent do t’i marr në dhè.
Para se të më gozhdoni nën rrasë,
Edhe gjurmët e luftës do t’i fsheh.

S’jam nga ata që borxhet s’i kthej,
E të ngre supet se i gjeta më herët.
Luftërat që nuk i ndoqa dot më tej,
Do digjem me to, s’i lë për të tjerët…

POEZINË E PLOTË MUND TA GJENI KËTU