Sokrat Habilaj: S’të premtoj dot, se nuk do të dua

sokrat habilaj
Sokrat Habilaj

Poezi nga Sokrat Habilaj

Ti s’ke asnjë arsye të mendosh më tej,
Nëse ikën, mos e kthe më kokën pas.
Të premtoj, se unë pa fund do të urrej,
Që kujtimin tim ta mbulosh me rrasë.

Të premtoj, se nuk do ta ndjesh ikjen,
Se unë do zhduk tek vetja çdo shenjë.
E mbi lëkurë, cigaret do t’i lë të fiken,
Derisa të djeg puthjet e tua, në rrënjë.

Të premtoj, kam për të harruar krejt,
Dhe sikur në ëndërr të t’i ndjej hapat.
Që të ta bëj ikjen tënde sa më të lehtë,
Ku vure këmbët, do t’i shkul pllakat.

Të premtoj, se dritaret do t’i bëj çika,
Që edhe fryma jote, të humbas në erë.
Por që të mos të të mbetet makth ikja,
Shtëpi e braktisur, do shkruaj në derë.

Dhe kur të jem vithisur, gurë pas guri,
Si gërmadhat që lë, kur ikën një grua.
Ti vazhdo beso premtimet e një burri,
Po s’të premtoj dot, se nuk do të dua!

Titulli i origjinalit “Premtim”

ObserverKult


Lexo edhe:

SOKRAT HABILAJ: TI, KURRË S’MË NJOHE MUA…

Poezi nga Sokrat Habilaj

Rri e qetë, ti s’më njohe mua,
As unë s’të njoha asnjëherë.
Në këtë botë, je thjesht grua,
Unë, burrë si mijëra të tjerë.

Në të flet ty një yll pa dashje,
E ti thua një emër nëpër natë.
Rri e qetë, rri pra se më plase,
Është nata që fletë përçartë.

Në të duket, kur puth një tjetër,
Se ngjizen me të, buzë të ftohta.
Rri e qetë, ikja është e vjetër,
E vjetër është vdekja, sa bota.

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult