Mund dhe të ndodhte të mos ishe ti, E të kisha pranë imazhin e një tjetre. Mund të të zgjidhja pa pyetur njeri, Po ty nuk të zgjodha vetëm për vete.
Mund të ishe ti, më e prerë ndoshta, A edhe më delikate, si një pikëz vese. Mund të më thoshe:-Jam vetëm jotja, Po ty nuk të zgjodha vetëm për vete.
Mund ta mbaje fustanin lart, mbi gju, Dhe unë mos të të bëja asnjë vërejtje. A mund t’i prisje ndryshe flokët e tu, Po ty nuk të zgjodha vetëm për vete.
Mund të kërkoje një ishull të largët, Dhe pas të vija i bindur, nëpër dete. Brenda teje të më përpije nga flakët, Po ty nuk të zgjodha vetëm për vete.
Kisha bërë një pakt, pa më ardhur ti, Që sytë e tu, pa pikë dhe pa presje. Tu ngjanin syve të dy djemve të mi, Prandaj s’të zgjodha vetëm për vete.