Sokrat Habilaj: Të dua kaq shumë dhe kur ngre armët!

sokrat habilaj
Sokrat Habilaj

Poezi nga Sokrat Habilaj

Unë do të lë të më mundësh në çdo luftë,
Se të dua kaq shumë dhe kur ngre armët.
Kur të ketë mbaruar lufta, kam një kusht,
Mos e kthe kokën të më shohësh plagët.

Do ta zgjedh humbjen se mendoj më pas,
Që nesër për luftën, të mburresh pa drojë.
Të dua kaq shumë sa nuk dua të lë shkas,
Të ndihesh turpëruar, si në një luftë-lojë.

Dhe kohën do zgjedh, nuk e zgjat me vite,
Sa ndoshta të jem i tretur nën një qiparis.
Të dua kaq shumë dhe i ruhem një frike,
Të vdekurit në luftë nuk bëjnë kompromis.

Mund ta ngre dhe armën bosh, pa fishekë,
Sikur dhe të më tallin se nuk më shkrepi.
Të dua kaq shumë, po si të dal në shteg,
Dhe pa plumba, pushkën e mbushë dreqi.

Unë do të lë të më mundësh në çdo luftë,
Se të dua kaq shumë dhe kur ngre armët.
Kur të ketë mbaruar lufta, kam një kusht,
Mos e kthe kokën të më shohësh plagët.

ObserverKult

Lexo edhe:

SOKRAT HABILAJ: DO MË PËLQENTE TË FLISJA ME YJET, SY MË SY…

Përse i bëjnë lotët më të bukura gratë?

Ndoshta nuk është kaq e thjeshtë dhe mund të mos thuhet tamam kështu. Ndoshta ky përcaktim nuk është i saktë. Ajo që dihet është fakti se loti është produkt i shpirtrave të bukur. Le të flasim për atë nëse loti e bën një fytyrë të bukur, duke rrëshqitur në faqe, apo është ky imazh gruaje prej nga buron loti, i jep lotit nurin e vetë. Ne e pranojmë se loti i bën më fisnik sytë nga ku buron, po në rastin e një gruaje, problemi nuk është kështu. Imazhi i një gruaje qoftë edhe fizik, ka plotë gjëra të tjera që e bëjnë atë të bukur. Në vazhdim, më lejoni të përgjigjem ndryshe, duke i përjashtuar dilemat. Janë gratë ato që i bëjnë lotët më të bukur.

Një grua që loton, në një lloj mënyre, rivret veten. E rivret për një mision që vetëm ajo mund ta kryejë, apo thjesht ta deshifrojë. Ajo rivret veten që do të thotë loton, thjesht që bota, duke parë lotin e saj, të bëhet më e bukur. Ka raste që bota i anashkalon këta lot, duke humbur kështu rastin të bëhet më e bukur. Por edhe pse ndodh kjo, gratë dhe për rrjedhojë lotët e tyre, do vazhdojnë të jenë po aty, stoike, thjesht që bota të ketë edhe raste të tjera shansi, për t’u bërë më e bukur.

Intervistën e plotë mund ta lexoni KËTU