Sonet nga Shekspiri: Në mendimet e mia ti je si buka…

Sonet nga Uilliam Shekspir

Në mendimet e mia ti je si buka për jetën
ose si për tokën i ëmbli shi pranveror;
dhe për të mirën tënde duroj të njëjtën betejë
që një koprrac bën me pasuritë e veta:

krenar për çfarë ka dhe po në atë çast,
i frikësuar që koha hajdute do i vjedhë thesarin;
duke peshuar nëse është më mirë të rri veç me ty,
apo të parapëlqej që bota t’shohë lumturinë time;

herë-herë i ngopur duke kullotur sytë e tu,
për t’u ndjerë në çast i uritur për një shikim;
duke mos pasur dhe mos kërkuar tjetër gëzim

veç çka më ke dhënë ose që ende duhet të marr.
Kështu ditë për ditë, herë lëngoj, herë shpaguhem,
ose duke ngrënë gjithçka, ose nga e gjitha i braktisur.

Përktheu: Erjon Muça

ObserverKult

Lexo edhe:

MENDIME DHE KUJTIME TË FAN NOLIT PËR UILLIAM SHEKSPIRIN

Prof. Nasho Jorgaqi

Në ditët e para të janarit, (vite më parë) kryeministri i Britanisë së Madhe, David Cameron, do ta shpallte vitin 2016 “Vitin e Shekspirit” në shenjë nderimi të 400 vjetorit të ndarjes nga jeta të dramaturgut të madh. Me këtë rast, ai i drejtohet opinionit botëror me lutjen “që të bashkohemi në këtë vit jubilar si një mundësi unikale për të përkujtuar jetën dhe trashëgiminë e tij jetëgjatë. Sepse te U. Shekspiri ne gjejmë njeriun, imagjinatën, kreativitetin e pakufishëm dhe instinktin e madh për njerëzimin, që përfshin një përvojë njerëzore, të cilën askush s’e ka parë përpara dhe pas tij… Te ai gjejmë nga historitë më të famshme të dashurisë deri tek tragjeditë më të mëdha, nga fantazitë më të fuqishme deri te komeditë më të zgjuara…”

S’ka dyshim që kjo thirrje fisnike për këtë jubile të madh i drejtohet dhe opinionit shqiptar. Kultura, arti dhe letërsia jonë, po dhe lexuesi shqiptar, i detyrohen aq shumë këtij korifeu gjenial, sa do ta shfrytëzojmë këtë rast për të shprehur mirënjohjen e thellë dhe për të nderuar denjësisht figurën dhe veprën e tij të pavdekshme.