Sotiris Pastakas: Poezi

Poezi nga Sotiris Pastakas

Me lëng elbi
dhe hudhra, u ndërtuan
piramidat.
Nuk i duhet
asgjë më shumë
njeriut
për të lënë
pas tij monumente.

*

Para pesëmbëdhjetë vitesh
varrosa babain tim.
Pas pesëmbëdhjetë vitesh
varrosa nënën time.
Sot, në të dyzetat e saj, më thoshte
motra ime, ushqyem
njëqintë e pesëmbëdhjetë veta.
Sot e di se, sado
që të vazhdoj të ha
nuk do të ngopem asnjëherë.

*

Kaloj nga tavolina
në tavolinë, për një krodhë buke
një kockë bërxolle derri
e nja dy paidhaqe.
Të dielave bëhem qen.

*

Rrugë të shkreta, dyqane
të zbrazëta nga klientët.
I pakët edhe ndriçimi
publik. Një qen
leh pas oborrit
të një vile. Një saksofonist
luan notat e tij në cep të rrugës.
Gjethet e verdha vallëzojnë
rreth tij, shumë më tepër
nga qindarkat në kapelën e tij.

*

Përsëri në vend të gabuar ndodhem
sepse kohën e përbashkët
nuk e ndaj
me atë që dashuroj
e çdo gjë ngjan e djegur
në qiellin që ngriu
derisa ylli i saj sonte
nuk më shoqëron.
Kthehem nga krahu tjetër
si trungu gjysëm i djegur
sepse e di që është diku aty,
zjarri që ndezi e vazdon të djegë.

*

Edhe këtë kafshatë buke
të vetëm do ta kapërdijmë,
ashtu si ushqehet shpirti ynë
e pastaj kthen
fytyrën e tij gjetiu,
si macja që shkon
e fshihet
poshtë tavolinës.

*

Një burrë është numri i plotë
që rezulton nga gabimet që ka kryer
minus koefiçentin e korigjimit të tyre.
Versioni i përkryer i një ecejake të vazhdueshme.
Një përpjekje imitimi nga librat mbase.
Nga kinemaja me siguri. Shembuj
babai ekuivalente me alkoolin në gjak.
Një njollë e mjegullt paqartësie. Një iluzion

burri në mendjen e një gruaje. Të një miku.

*

Sa më shumë pakësohet poezia, aq më shumë
shtohen poetët e saj.
Sa më e vështirë bëhet dashuria
aq herë më lehtë shfaqen
dashnorët,
dashnorët profesionistë
e të dashuruarit.

Solli në shqip: Vangjel Zafirati

Sotiris Pastakas, poeti, prozatori, përkthyesi, antologu, lindi në vitin 1954 në qytetin e Larisës – Greqi ku banon edhe sot. Studjoi për Mjekësi në Romë. Për një periudhë 30-vjeçare punoi si mjek psikiatër në Athinë. Ka botuar pesëmbëdhjetë vëllime poetike, libra në prozë (tregime) me ese e pjesë teatrale.

Poezia e tij është përkthyer në gjashtëmbëdhjetë gjuhë të ndryshme. Vetë ai ka përkthyer letërsi italiane në gjuhën greke dhe anasjelltas. Për veprën e tij është vlerësuar me çmime të rëndësishme letrare brenda e jashtë vendit.

Pjesëmarrës në shumë aktivitete ndërkombëtare si dhe botues periodikësh letrare.

ObserverKult


Musa Vyshka, grafikë nga Ylli Haruni

Lexo edhe:

CIKËL POETIK NGA MUSA VYSHKA: ERDH’ KOHA TË VDESIM? S’ËSHTË KEQ, NUK KEMI MË Ç’TË PRESIM!

Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poezish nga Musa Vyshka, i cili sot u nda nga jeta:

Erdh koha që të vdesim…

Mund të më thuash ti një ditë, për dreq,
“Erdh koha që të vdesim!”
Unë do të them i qetë: “S’është keq
Sikur dhe ca të presim!”

Vërtet që pema jonë në rrënjë u kalb,
Po bie dalëngadalë.
Po ne, pa rënë, zgjasim kokën prapë:
“A çelën gjethet vallë?!”

Janë gjethet tona, tonat, sigurisht,
Nga trungu ynë janë.
Mbi dashuritë e tyre përjetësisht
Pishtarin tonë mbajnë!

Nga dashuria jonë u përflak
Një dashuri e re
Dhe duam ne a s’duam, sadopak,
U bëmë Promethej

Pastaj ti mund të thuash prapë, për dreq,
“Hajde të dy të vdesim!”
E do të them i lumtur: “S’është keq!
Nuk kemi më ç’të presim!”

Nuk di: të dhimbsesha apo më doje

Në fund të arkës… një këmishë e vjetër.
Është vetë ajo e s’mund të jetë tjetër.

Ajo, praruar me mijëra ylberë.
Kurseva plot një verë për ta blerë.

Poezitë e tjera mund ti lexoni KËTU:

ObserverKult