Mbi 50 veta në qeli, e qindra në pritje të një kafshate buke. Njeriu mblidhet strumbullar, e kur dhimbjet e ndëshkimeve mpihen, përpiqet të mbyllë sytë. Nuk është Aushvici që përshkruan, Primo Levi, por përballë këtyre imazheve, lind pyetja: “A është, vallë, njeri…?” Mikut të Vaçe Zelës, tanimë duart i janë paralizuar. E ka të vështirë të luajë me kitarën dhuratë të këngëtares, që i ngushëllonte në ato skuta që i përgjanin ferrit.
“Na priste puna, na priste lodhja dhe duhet të rezistonim shpirtërisht dhe mendërisht”, tregon ish-i burgosuri Gëzim Çela.
“Jeta e të burgosurve në kamp-burgun e Spaçit” shpaloset përmes më shumë se 50 grafikave. Janë ndërtuar mbi rrëfimet e të gjallëve, që gazetarja Admirina Peçi ka intervistuar, e ekspozohen në kuadër të “Ditëve të kujtesës”.
“Duke parë se burgu i Spaçit po degradon vit pas viti dhe gjurmët kanë filluar të zhbëhen, e pamë emergjente që të skiconim atë që kishte mbetur atje, dhe ta plotësonim me memorien e të mbijetuarve të Spaçit, të cilëve u kemi marrë shumë kujtime”, shprehet ideatorja dhe drejtuesja e projektit Admirina Peçi.
Artistja Ina Elezi i ka ‘gdhendur’ vizualisht këto dëshmi, që edhe para saj, shpalosën një realitet sa të panjohur aq edhe tronditës. Seritë e saj të skicave, mbartin në vetvete një qëllim kryesor.
“Qëllimi im është që edhe moshatarët e mi, brezi i ri të kenë të pasqyruar sa më mirë dhimbjen edhe trishtimin e pafund të asaj kohe”, thotë artistja.
Të tjera aspekte të jetës së përditshme të të burgosurve, do të shpalosen në vijim të projektit, i cili mbështetet nga Kujto.al dhe Fondacioni “Konrad Adenauer”./shqiptarja.com
Lexo edhe: