Spartak Ngjela rrëfen ngjarjen e dhimbshme: Katerina vdiq në shpellë, në krahët e komandant Markut, nga hemoragjia që…

Spartak Ngjela

Nga Spartak Ngjela

Fragmente nga libri “SHPELLA E VRASJES”

Kurse Mark Ashta dhe Katerina Pogu, të ikurit e asaj nate, prej tre orësh po rrinin të fshehur në një shpellë, se i’u shkoi gjithçka ters e shtrembër dhe ndaj nuk e kaptuan dot kufirin. Por vendi ku qenë fshehur, ishte i sigurt; për këtë kish besim të patundur Ashta. Dhe aty do të kalonin të gjithë ditën, që të tentonin sërish natën e pritshme, ngase ditën ishte e pamundur të lëvizje.

Eh, gjithë ato orë nate u kishin shkuar gand, gjithë ajo avancë pastaj! Ja, këtë s’ia falte vetes Mark Ashta, se faji kishte qenë i tij. Ai, nxitimi i motivuar përgjysmë u kish kushtuar shtrenjtë, ndonëse Ashta e njihte vendin. Bile do të kishte qenë më mirë po qe se, nuk do ta kish njohur aq mirë.

Lakmova tepër nga besimi i madh që kisha te njohja ime, mendonte prerë Ashta dhe i kthehej gjithaq tërë asaj që kishte kryer si veprim atë natë: rrëmbimi i Katerinës nga kështjella (një veprim i përkryer ky), pastaj ecja e tërbuar e “Xhip”-sit, ai shkiste dhe bënte përpara si i gëzuar (jo, jo ishte merita ime e ngarasi asnjë herë tjetër, mbrëmë) dhe braktisja e makinës ishte bërë tamam aty ku duhej, s’kishte vend më të përshtatshëm se ai: asnjë vonesë udhës gjer te ajo pikë e caktuar qysh më parë, por aty u shfaq dilema.- Eh, e pse ndërrova mendje! – e pra, pse?; ngaqë duhej të ecte nëpër shtratin e thatë të përroit.

Kështu e pat menduar ikjen tërë ditën, veç aty, kur i erdhi çasti ndërroi mendje, – kështu është kur të shtyn djalli! – se ndoshta për këtë kish të drejtë: ç’ishte ai çast i përvjedhur që ia mori mendjen për të ndërruar udhën! Jo, atij në fakt i ishte dukur më e lehtë rruga e kodrës se, sa e përroit. Shtrati i tij ishte gjithë gurë që do ta lodhte Katerinën.

E ku mund të ecë dot një grua nëpër gjithë ata gurë! Prandaj pra e la përroin e mori udhën e kodrës. Eh, sa herë e kishte përshkuar gjatë luftës me këmbë atë kodër! Vërtet rruga zgjatej një gjysmë ore, por kohë kishte boll e ndjekja ende nuk i pat nisur. Ndaj menjëherë mori nga kodra, të ngjitej aty në majë të saj me gjithë Katerinën e, mandej të varej lingthi teposhtë faqes tjetër, që ai e dinte se ish një shkurrishte e ndarë në mes nga kufiri i dy shteteve.

– Eh si harrova që ishin dy kodra varg! – S’ia falte vetes! Megjithëse shpella ku rrinin ishte një vend i sigurt. E pra i ishte ngjitur asaj kodrës tjetër; dhe ecë e ecë e shkurrishte s’po shihte. Dhe ora ikte; gjersa më në fund një vijë uji e kishte sjellë në vete. Jo ai po e çonte në një kodër tjetër. Se dhe makinën nuk e kishte lënë tamam aty ku duhej. Natë. Errësira ndoshta!

Megjithatë gabimi ishte bërë: që nga ajo kodër kufiri largohej. Atëherë pa sahatin. Ora ishte 02.50. Katerina s’fliste. Për të dalë matanë ishte krejt e pamundur. Duhej më tepër nga tri orë. Do t’i kapte dita duke ecur. Jo, jo, i’u duhej një vend për t’u fshehur, se përndryshe do të ishin të humbur. Ku të futej për të pritur natën tjetër?!

– Më shpëtoi kjo shpellë! – se aty për aty, menjëherë i’u kujtua. Dhe s’ishte larg. Duhet të hynte në shtratin e përroit që kishte lënë pas, që aty mandej, duke ecur gjithë-gjithë dhe disa minuta, pesëmbëdhjetë ndofta, të strehoheshin te ajo shpellë. Eh, si e kish kapur prapë Katerinën nga dora dhe qe kthyer mbrapsht nëpër errësirë. – Vetëm kjo errësirë pus e zezë paskësh qenë e liga, pengesa ime në këtë kuturi!

– Por Katerina ecte njëlloj si ai, edhe kur hynë më në fund nëpër shtratin e thatë të përroit, donte ende dhe treçerek ore që të zbardhte.- Më shpëtove o plak. Ti më shpëtove o Nikollë! – Një bari ai, një çoban gjithsesi i këtyre anëve që ia kish treguar atë skutë aq të vetmuar.

Dhe tani ishte i sigurt se askush nga ndjekësit e tij nuk e dinte atë vend. Askush. Bile as nga vendësit. Çobani ishte nomad, dhe shpella ishte e zënë për mrekulli, m’u si me një derë guri, të bërë me dorë tamam për të. Kur hynë në shpellë ora kish qenë 04.13.

– Sa është ora, Mark? – e pyeti Ashtën, Katerina me një zë të psherëtimtë, ashtu siç qe, e shtrirë me kokë të mbështetur mbi prehërin e tij.

– Tetë e gjysmë, – i’u përgjigj ai pa e vështruar orën, sepse në ato çaste sapo e kishte parë. – Çohu pak më sipër, – i tha pastaj dhe, pasi e kapi nga beli e ngriti edhe më lart mbi prehër.

– Në të vërtetë, kish disa minuta që i ishin ndërprerë dhimbjet, por megjithatë ajo ndihej e lodhur, krejt si e dërrmuar e me një katali të përgjithshme. As për të folur nuk kishte fuqi. Frymëmarrja i ishte ashpërsuar dhe goja i thahej vazhdimisht. Dhe atë pak ujë që kishte mbetur në paguren e alumintë, Ashta mundohej që ta çonte sa më gjatë. I’a vuri edhe një herë dorën në ballë dhe psherëtiu: ethet i qenë shtuar. Balli i digjte si jezull.

– Vështroi edhe një herë sahatin: ora ishte 20.39.

Ndërkohë, jo kot, e kishte pushtuar cit një shqetësim i ankthshëm, ngaqë nuk po i pëlqente hiç ajo gjendje zjarrmie. Ç’të bënte. Gjithnjë mundohej ta bindte veten se asgjë e keqe nuk do të ndodhte. Ja, dhe ca pak kohë ende e do të çohej me gjithë të; do ta merrte në krahë dhe për dyzet minuta, qameti, do të ishin matanë. Aty pastaj do t’i jepej menjëherë ndihmë mjekësore.

E si mund të vdiste njeriu në dy orë? E pamundur! Të paktën tani asaj i ishin ndërprerë dhimbjet, dhe ai kishte bërë n’iet të çohej për rrugë në orën nëntë e gjysmë. Ndërkohë e kishte përcaktuar sakt gjithë rrugën dhe për të, tani ishte i sigurt. As që do të hynte fare në shtratin e përroit të thatë, sepse ai e dinte mirë që aty pas shpellës, niste një udhë dhish që zgjatej lakadredhas gjer përmbi vaun e përroit, aty, m’u buzë kufirit. Dhe nuk do të hynte as në va, se do të mbante djathtas në një vend gjithë shkurre.

Ata që e ndiqnin, në fakt, tamam për këtë shkak e kontrollonin dendur shtratin e përroit, e pra, që të mos e linin të hynte në shkurrishte. Por ata, kuptohej se, nuk e dinin rrugën që do të ndiqte ai.

Jam i sigurt, mendoi Ashta tek e përfundoi edhe njëherë të gjithë përvijimin e rrugës në kujtesë. E sa për Katerinën: ajo ishte e lehtë. Do të merrte me vete vetëm revolen. – Katerinë! – i foli asaj për t’i treguar orën e nisjes, i gëzuar sigurisht: por ajo nuk iu përgjigj. Ndenji pak në heshtje. Nëpër shpellë dëgjohej vetëm frymëmarrja e saj e lëshuar.

– Katerinë – i tha sërish e ajo këtë herë nxori vetëm një rënkim të lehtë e pas pak, me një zë thuajse të fikatur, u ankua rishtas për dhimbje. Por Ashta s’e pati më mendjen te fjalët e saj. Befas ndjeu t’i lagej dora e djathtë që e kishte mbajtur deri atëherë nën mjekrën e saj.

Një valë rrëqethëse i’a përshkoi menjëherë të gjithë trupin. Mos është gjak, mendoi aty për aty si i kapur nga gjarpri, e në çast ndezi një fill shkrepëse. Ishte e para që ndizte qysh se kishin hyrë në shpellë. Le të bëhet ç’të bëhet, tha ndërkaq nëpër dhëmbë dhe gjithë ankth, e hodhi vështrimin tamam te mjekra e saj.

Një fytyrë e verdhë gruaje: si meit. Vështroi dhe dorën e tij. Gjak, tha pastaj tërësisht si i ngarur dhe e fiku shkrepësen si i tërbuar, a thua ia kishte fajin ajo për çka kishte parë. – Katerinë! – i foli asaj me një zë që dridhej, por ajo i’u ankua prapë për dhimbje.

Tani mori fund gjithçka, mendoi pa iu shqitur nga mendja gjaku që kishte parë: dy fijëza të kuqe që dilnin nga dy shtjekat e buzëve e vareshin teposhtë nën mjekër. Fytyra e saj me një ngjyrë vdekjeje. Pikërisht tani duhej vendosur gjithçka. Koha kishte bërë përpara, andaj për të shpëtuar qenien duhej ecur bashkë me të. Ta marr në krahë e të çaj përpara, tha me vete dhe duart sakaq, nga instinkti i kishte vënë poshtë shpinës së saj. Bile mend u ngrit me të në krahë, aq ishte i vendosur. Por zëri i saj i përfiktuar që u dëgjua befas, përprishi gjithçka:

– Ç’është kjo zhurmë ngjethëse që po më krikëllin nëpër veshë…! Mark…o Mark! S’mundem më… të lutem m’i mbyll veshët se një zhurmë të tillë kurrë s’e kam dëgjuar…!

E ka nga ethet, mendoi Ashta dhe menjëherë u rrëmbush. E pra, tani çdo gjë ishte e kotë. Ajo kuptohej se ishte futur në hullinë e jermët të etheve prandaj ishte çmenduri ta mendoje më daljen nga shpella në ato çaste. Aty duhej pritur gjithçka, veç pa i ardhur dot në ndihmë, tek e dëgjonte që thosh:

– O Mark, ç’është kjo hata Mark…!

Ajo ishte në kllapi. Në rrugë për të ikur…! Nga një gurrni e stërmadhe kafkash, mendoi i rrëmbushur dhe me të dy gishtat tregues i zuri asaj vrimat e veshëve.

Katerina Pogu, vdiq aty ndaj mesnate gjithë po ashtu: pa dalë më për asnjë çast nga kllapia e saj e me hemorragjinë që i vazhdoi deri në minutën e fundit.

Tek i lëshoi pulsin, krejt i dërrmuar e pa asnjë lloj mendimi, Mark Ashta pa sahatin:

Tamam në këtë orë dola nga zyra mbrëmë, mendoi. Fati qenka i tmerrshëm. Psherëtiu. Jo, jo, nuk duhej të binte në fatalizëm, dhe ndoshta ka pasur të drejtë kur ka menduar se njeriu e ka vetë në dorë fatin e tij. Megjithatë vdekja mbetet ngaherë vdekje, dhe atë tani e kishte pranë, aq pranë sa kurrë ndonjëherë tjetër.

Pse vdiq vallë? Sipas të gjitha gjasave, nga apendisiti. Dhe ja, tani po ftohej dalëngadalë. Gjersa të marrë temperaturën e gurit të shpellës, mendoi Ashta dhe dorën s’e shkëpuste prej saj: e puthte dhe qante, e puthte sërish e prapë qante. Nuk i besohej, dhe disa herë vetja e gjithçka i’u duk si në prag të një shpërthimi të fuqishëm që mund të bërlutte tërë botën.

Kishte humbur gjithçka, apo s’kishte ndodhur gjë fare: e pamundur! Si mund të vdesë njeriu edhe kështu dhe, a s’mund të pritet një shkundullimë që ta mbyllë këtë strofull të gurtë e të humbej këtu në një terr pa ajër? Ajo përsëri ka vdekur. Ndërsa qiell nuk mund të ketë, prandaj, siç duket, ferri qenka e vetmja gjë që njohim me siguri. Një orë, dy, tri… e deri ndaj të gdhirë!

Se kishte filluar të ndihej më i qetë e disi më i përqendruar. Por i kukëzuar m’u në mes të shpellës mendonte:

Tani mbeta krejt vetëm e pa kurrgjë në fytyrë të tokës; pa askënd në këtë botë!/(gazetatema)


Lexo edhe:

IBRAHIM RUGOVA, PRIJËSI QË SFIDOI REGJIMIN KOMUNIST

ObserverKult