Studiova fort dhe përfundova kamarier. Masteri nuk m’u desht gjë!

Rrëfimi i një studenti të dalluar, që nuk i eci në jetë. Tash e sa vite punon kamarier edhe pse ka përfunduar një master.

Nga Andi Zeneli

U rrita në një nga lagjet periferike të qytetit, në një shtëpizë të vogël, me mure të çara në dhoma.
Kjo si duket paracaktoi fatin tim.

Qysh atëherë do të duhej ta kisha ditur se edhe jeta e ëndrrat e mia do të çaheshin e thyheshin copë-copë. Por, jo. Shpresoja dhe ëndrroja.
Sa isha fëmijë, isha i duruar, me takt, i mirësjellshëm, plot edukatë.
Mësoja, lexoja, duroja kur më mungonin gjërat ndonjëherë edhe elementare të cilat i kishin moshatarët e mi.

Shkoja në mësime me një palë pantollona gjithë vitin dhe kurseja mjetet mësimore që t’i shfrytëzoja sa më gjatë.

S’i shihja të tjerët. As atëherë kur bulizonin me mua, s’ua vëja veshin.
Babai kishte vdekur në minierë, dhe ime më na rriste duke hequr të zitë e ullirit mua dhe dy motrat e mia. Punonte fshesaxhie. Zgjohej që pa u gdhirë mirë dita dhe kthehej vonë.

Shpesh punonte edhe në dy turne që të merrte ca lekë më shumë. Unë kujdesesha për motrat dhe argëtimi ynë i vetëm ishin librat. Lexonim që të na kalonte dita brenda. T’mos dilnim në lagje dhe të talleshin me ne kalamajtë e tjerë.
Sepse ne nuk kishim as top llastiku. S’kishim asgjë…

Iku fëmijëria dhe nisa universitetin. Studiova fort. Mama u plak dhe duhej ngjitur dora. Doja një punë. Biblioteka u bë shtëpi e dytë për mua. Lexoja, lexoja, lexoja… por, s’bëra gjë pasi mbarova studimet.

Më refuzuan në dhjetëra konkurse, shpesh pa më ftuar as në intervistë.
Vendosa të vazhdoja masterin, se mos më ndrinte fati po të kualifikohesha ende, dhe si thoni ju, ku përfundova?

Asgjë më shumë se kamarier në njërin nga lokalet e lagjes. Edhe aty nënë mjera pasi iu lut pronarit, i cili edhe ashtu na e dinte hallin, por i duheshin njëmijë e një të lutura për ego.

Ëndrrat? Çka dëshiroja të bëhesha kur të rritesha? Çfarë synoja të arrija më gjithë ato orë studimi?
Një jetë të dinjitetshme. Asgjë më shumë!
E deri atëherë, në ardhtë ndonjëherë ajo ditë, u pres më buzëqeshje duke ua shërbyer kafen e shpesh edhe duke i kullufitur edhe shikimet e juaja përçmuese!

ObserverKult

————————————

Lexo edhe:

Jam një parazit i diplomuar…parazitoj çdo ditë dyerve të punëdhënësve, për një vend pune…